Çfarë thonë media për dialogun dhe normalizimin?

Cilat janë efektet e dialogut Kosovë-Serbi tek qytetarët, si e kuptojnë ata këtë proces, kërkesa për përfshirjen e SHBA-së në të dhe zbatimi i Marrëveshjes për drejtësinë ishin disa prej temave me të cilat media u morën gjatë tetorit.

0
602

Në fillim të muajit, mediat njoftuan për mbajtjen e një tryeze nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ku u diskutua rreth ndikimit që ka dialogu Kosovë-Serbi në jetën e qytetarëve në rajonin e Mitrovicës. Sipas njoftimeve, të pranishmit në këtë tryezë e vlerësuan dialogun mes Kosovës dhe Serbisë si jo transparent, të largët për qytetarët dhe me rezultate të pakta. Ndërkaq, mediat po ashtu raportuan edhe për një tjetër diskutim të iniciuar nga i njëjti institut me shefat e grupeve parlamentare të Kosovës, gjatë të cilit u kërkua që Kuvendi të ketë rol më aktiv në procesin e bisedimeve Kosovë-Serbi. Sa i përket përfshirjes së Kuvendit në procesin e dialogut, në një intervistë dhënë Kohavisionit (KTV), kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se ka rënë dakord me presidentin Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarin, Kadri Veseli, për hartimin e një platforme nga qeveria për dialogun që më pas do t’i dërgohet parlamentit për t’u diskutuar dhe vlerësuar dhe, për më shumë, t’i jipet parlamentit autoriteti që i takon mbi këtë çështje. Po ashtu, pati njoftime se gjatë seancës parlamentare të 25 tetorit, kryeministri Haradinaj kishte deklaruar se Kuvendi i Kosovës do të njoftohej për marrëveshjet me Serbinë.

Mediat publikuan edhe të gjeturat e një hulumtimi të opinionit publik rreth dialogut Kosovë-Serbi, hulumtim i cili sugjeron se shqiptarët dhe serbët e Kosovës e kuptojnë “drastikisht ndryshe normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”. Sipas medias, ky hulumtim i kryer nga KDI më tutje tregon se “rreth 71% e qytetarëve vlerësojnë se element kryesor për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë është kërkim falja për krimet e luftës nga ana e Serbisë. Rreth 60% e qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë e interpretojnë normalizimin si mos pengim të njëra-tjetrës palë në rrugëtimin evropian apo anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, pa pasur nevojë që shtetet të njohin njëra-tjetrën”.

Rreth dialogut Kosovë-Serbi është deklaruar edhe Ish-Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar në Kosovë, Pieter Feith, i cili gjatë një intervistë dhënë Radio Televizionit Publik të Kosovës (RTK) vlerësoi se “dialogu është shumë i drejtuar lartë-poshtë nga Brukseli dhe është shumë konfidencial dhe sekret. Askush nuk e di se cili është qëllimi i dialogut”.

Çështja e përfshirjes së SHBA-së në procesin e dialogut ishte një ndër temat më të përfolura në media gjatë tetorit sa i përket procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Përderisa zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijančič, kishte thënë për agjencinë serbe të lajmeve Beta se “SHBA gjithmonë e ka mbështetur dialogun të cilin e ndërmjetëson BE-ja”, si kundërpërgjigje ndaj deklaratave të presidentit Thaçi gjatë shtatorit për përfshirjen e SHBA-së në dialogun mes Kosovës e Serbisë; në një intervistë dhënë agjencisë Reuters, kryeministri Haradinaj tha se “rolin e Amerikës në tavolinë e shohim si nevojë thelbësore”.

Gjatë tetorit në media u shënua zbatimi i Marrëveshjes së Drejtësisë për integrimin e gjyqësisë. Ndonëse raportuan se gjyqtarët në veri do të dekretoheshin nga presidenti më 17 tetor, siç qe paraparë nga takimi i fundit mes Thaçit dhe Vučić-it të ndërmjetësuar nga Mogherini gjatë gushtit, pati njoftime se gjyqtarët dhe prokurorët nuk u paraqitën atë ditë para presidentit Thaçi, por e bënë këtë vetëm me 24 tetor kur u dekretuan 40 gjyqtarë dhe 13 prokurorë të rinj. Mediat njoftuan se me këtë rast, presidenti Thaçi u kishte thënë të dekretuarve se e mirëpret gatishmërinë e tyre “për t’u integruar në gjyqësorin e Kosovës dhe për të punuar në përputhje me legjislacionin e Kosovës”. Por, në anën tjetër, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabić në Twitter deklaroi se “… gjyqtarët tanë nuk kanë dhënë kurrfarë betimi, por kanë bërë deklaratë të posaçme, neutrale sa i përket statusit”. Ndërkohë, pati edhe njoftime se opozita në Kosovë shprehën dyshime nëse gjyqtarët dhe prokurorët serbë kanë dhënë betim apo kanë bërë një deklaratë neutrale ndaj statusit. Klan Kosova në fund të tetorit njoftoi se prokurorët e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës tashmë kishin nisur punën në objektin në veri të qytetit, por jo edhe gjykatësit në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.

Në anën tjetër, mediat raportuan se Marko Đurić është emëruar në krye të Grupit Punues për dialogun e brendshëm për Kosovën në Serbi. Për Radiotelevizionin e Serbisë Đurić tha se “qëllimi i grupit është shqyrtimi i spektrit të gjerë të qëndrimeve dhe përzgjedhja e ideve më të spikatura dhe përmbledhja në një vend, me qëllim të fuqizimit të pozicionit të Beogradit.” Ndërkohë, pas raportimit se në fund të tetorit u mbajt takimi i parë i këtij Grupi Punues, pati njoftime se pritej që në ditët në vijim të shpallet se kur do të fillojë formalisht dialogu dhe se kujt do t’i bëhen ftesat e para për konsultime lidhur me Kosovën. Po ashtu, mediet njoftuan se nga ky Grup Punues pritej hartimin i një propozim-zgjidhjeje deri në mars të vitit 2018 për Kosovën.

Ditën e fundit të tetorit, Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalia Apostolova, u takua me Listën Serbe. Mediet raportuan se kjo e fundit i kishte kërkuar Apostolovas formimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe kishte shprehur se kjo parti do të punonte për “zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe formimin e Asociacionit të komunave serbe”.

SHARE