E VËRTETA E NJËANSHME E SË KALUARËS

0
1368

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, këtë vit inicioi themelimin e një Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin, por shumë pikëpyetje janë ngritur mbi funksionimin dhe efektin e tij nëse Serbia refuzon të bashkëpunojë.


Nga Serbeze Haxhiaj

Përpjekjet mund të kishin qenë më të mëdha për të ndihmuar që saga e pritjes e  Ferdonije  Çerkezit të përfundonte. Por, ajo ka mbushur 18 vjet në pritje për të vërtetën dhe për drejtësinë për katër djemtë dhe burrin e saj  të rrëmbyer  gjatë luftës së vitit 1999 në  shtëpinë e tyre në Gjakovë.  Dy djemtë e saj u gjetën në dy varreza masive të ndryshme në Kosovë. Por dy të tjerët  dhe burri vazhdojnë të jenë në mesin e 1600 të zhdukurve  nga të gjitha komunitetet në Kosovë, shumica prej të cilëve janë shqiptarë.

Kjo grua rrëfen që shpesh tejkalon kufijtë e realitetit  në betejë me dhimbjen e saj. Ferdonija tronditi njerëzit kur një pasdite prilli  në vitin 2015 shtroi tavolinën e drekës për të gjithë anëtarët e munguar të familjes së saj.

“Kam 18 vjet që pres trupat e gjithë familjes. Pres të dijë si u ekzekutuan dhe u shpërndanë në varreza masive. Mbi të gjitha, nuk pashë drejtësi,” thotë Ferdonija.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, këtë vit inicioi themelimin e një Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin, një prej ngjarjeve më të rëndësishme në procesin e marrjes me të kaluarën në ish-Jugosllavi.

Gati dy dekada pas ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë në vitin 1999, ky trup pritet t’i kontribuojë të vërtetës për luftën dhe imazhit të vendit. Megjithatë themelimi i këtij komisioni ka pikëpyetje të mëdha mbi funksionimin  dhe efektin e tij, nëse Serbia refuzon të bashkëpunojë.

Hapi i vështirë dhe i njëanshëm për pajtim

Presidenti Thaçi e sheh më të lehtë arritjen e të vërtetës dhe pajtimin për faktin se ai konsideron se është pajtim i brendshëm.

“Krimi është krim dhe ai nuk mund të fshihet. Pas luftës jemi dëshmitarë të gjërave jo të mira. Dikush flet për vlerat e UÇK-së. Por, vlerat e UÇK-së nuk cenohen nëse zbulohet e vërteta e një plake, plaku apo fëmije,” ka thënë presidenti në  mars të këtij viti në një takim konsultativ për çështjen e këtij komisioni.

Nora Ahmetaj, bashkëthemeluese e Qendrës për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim (CRDP), thotë se ky komision mund të jetë një platformë ku zëri i viktimave mund të dëgjohet.  “Ideja e presidentit është që ky komision të mos merret me drejtësinë penale ngase me të do të merret Gjykata Speciale. Ai insiston që Komisioni  të merret me zbulimin e së vërtetës dhe pajtimin. Do të ishte e udhës që Komisioni të ketë mandat më të qartë dhe të themelohej si Komision për personat e zhdukur,” thotë Ahmetaj.

Ajo thotë se Presidenti duhet të forcojë konsensusin politik të të gjitha palëve të cilat do të zotohen se do të pranojnë themelimin e komisionit dhe pastaj edhe të gjeturat e tij.

“Aty do të duhej që të përballeshin viktima me kriminelin dhe viktima do të vendoste a të gjykohet apo falet. Së paku viktimat do të mund të dëshmonin për atë që u ka ndodhur,” thotë Ahmetaj.

Krimet e luftës ende rezonojnë fort dhe pak progres është bërë në ndjekjen penale të tyre, derisa viktimat presin të vërtetën dhe drejtësinë për atë çfarë pësuan gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.

“Nuk mund të vazhdojë gjithmonë  kështu. Asnjëri shtet nuk ka bërë sa duhet për të gjetur personat e  zhdukur,” thotë Ferdonija.

Kosova ishte e fundit në zinxhirin e shpërbërjes së përgjakshme të ish-Jugosllavisë dhe një dekadë pas pavarësisë së saj nga Serbia vendet vazhdojnë të jenë të mbërthyera në tensione dhe përplot armiqësi.

Rade Stojanović nuk beson se do të ketë të vërtetë dhe drejtësi për babain dhe 13 fqinjët e tij që u vranë mbrëmjen e 23  korrikut të vitit 1999 në fshatin Grackë e Vjetër e Lipjanit. I ati Nikola dhe të tjerët ishin duke korrur grurin në arë kur u sulmuan me automatikë nga mali në afërsi. Kjo ishte vrasja më masive e serbëve pas luftës në Kosovë.

“Ka kaluar shumë kohë prej atëherë. Tetëmbëdhjetë vite pas, çfarë peshe mund të ketë edhe nëse gjenden kryerësit e krimeve,” thotë Stojanović.

Ai gjithashtu shprehë rezerva nëse Komisioni i së Vërtetës dhe Pajtimit, iniciativa e presidentit Thaçi, mund të zbulojë diçka të re në rastin e kësaj vrasje. “Si ide është e mirë, por nuk e di sa do të funksionojë,” thotë ai.

Përderisa bashkëpunimi i këtij komisioni me Serbinë rreth hulumtimit dhe dokumentimit të krimeve është ende i paqartë, pengesat për pajtimin dhe  rehabilitimin e viktimave  mbesin  të mëdha e të diskutueshme.

Nenad Maksimović, drejtues i Qendrës për Paqe dhe Tolerancë, thotë se kjo shfaqë një zotim të ri të një kuraje politike, por që mund të jetë e njëanshme.

“Është një dritare mundësie që palët të përfshihen në formësimin e një mekanizmi të së vërtetës dhe pajtimit. Por cili mund të jetë efekti i tij nëse Serbia refuzon të bashkëpunojë,” pyet Maksimović.

Ai gjithashtu paralajmëron sfida serioze për komisionin që ndërlidhen me mungesën e besimit nga komunitetet e tjera. “Sidomos komuniteti serb dhe shoqëria civile nuk besojnë në seriozitetin dhe përkushtimin e qeverisë kur bëhet fjalë për ballafaqimin me të kaluarën,” thotë Maksimović.

Procesi i themelimit dhe funksionimi i Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit do të ecë paralelisht në kohë me një proces tjetër delikat, atë të punës së Gjykatës Speciale për Kosovën, e cila do të trajtojë krimet  që pretendohet se janë kryer nga ish-pjesëtarë të UÇK-së.

Maksimović thotë se është i rëndësishëm konteksti i krijimit të një mekanizmi të drejtësisë tranzicionale.

“Ngutia dhe shpejtësia e themelimit të këtij Komisioni nacional të së Vërtetës që përkon me funksionalizimin e Gjykatës Speciale ngre disa pyetje dhe ka shtuar shumë zëra se pse Presidenti ka vendosur të krijojë  këto mekanizëm në këtë moment ,” thotë ai.

Këtij komisioni i duhet të përpiqet të kërkojë të vërtetën për atë që ka ndodhur dhe t’iu përgjigjet nevojave të viktimave në një sistem të dobët të drejtësisë në Kosovë, tensioneve dhe riciklimit të krizave politike.

Uniteti,  besimi dhe dialogu

Presidenti ka nënshkruar në tetor vendimin për themelimin e një  grupi punues përgatitor i cili do të përgatis platformën e komisionit. 

Ardian Arifaj, këshilltar i presidentit Thaçi, thotë se ekipi përgatitor do të përcaktojë statutin e komisionit, periudhën kohore, bashkëpunimin me institucionet e tjera, përfshirë edhe ato të drejtësisë.

“Ekipi do të punojë edhe në ruajtjen e konsensusit politik për komisionin, punën dhe të arriturat e tij. Komisioni mund të bëhet shembull për shtetet e tjera të rajonit,” thotë Arifaj.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, që ka monitoruar gjykimet për krime lufte në  Kosovë e Serbi, ngre dilema nëse puna apo të gjeturat e komisionit që është vetëm i Kosovës do të pranohen edhe në vendet fqinje.

“Kam frikë që ky komision nacional nuk do të ndikojë që viktimat të pranohen edhe  jashtë Kosovës  nga komunitetet prej të cilave kanë ardhur kryesit e krimeve. Por, komisioni mund të kryejë edhe shumë punë të rëndësishme edhe brenda,” thotë Blakaj. 

Presidenti Thaçi  në korrik 2016  bëri homazhe tek memoriali i viktimave serbe në Grackë të Vjetër. Por, Rade Stojanović  e sheh këtë si një veprim “për qëllime politike”.

Kushtrim Koliqi,  aktivist i të drejtave të njeriut që udhëheq organizatën “Integra”, thotë se interesat e viktimave civile dhe bashkëpunimi me Serbinë  duhet të jenë në zemër të  punës së këtij komision. “Në  bazë të këtyre dy çështjeve gjithçka më pas duhet të dizajnohet. Puna e një komisioni  të tillë varet se çfarë lloj krimesh do të përfshijë, se çfarë periudhe kohore, çfarë fushëveprimi do të ketë, konsensusin politik, pavarësinë e tij  dhe mbi të gjitha raporti me shtetin serb dhe Gjykatën Speciale,“ thotë Koliqi.

Ai thotë se ky do të jetë një instrument  alternativ që ia lejon shtetit të merret me një kapitull të errët të luftës.

“Gjykata Speciale është pasojë e mosgatishmërisë së institucioneve kosovare për t’u marrë me akuzat e Dick Marty-t sepse kur doli raporti, politikanët në Kosovë janë tallur me të. Komisioni mund të japë rekomandime për  gjyqësorin duke  hulumtuar dhe dokumentuar krimet e kryera,” thotë Koliqi.

  realitet, ideja për një trup të tillë nuk është krejt e re. Në kohën sa ishte kryeministër në vitin 2012, Thaçi themeloi një Grup Punues Ndërministror për Ballafaqim me të Kaluarën. 

Komisioni ishte përkrahur nga UNDP dhe, pasi projekti përfundoi,  grupi pushoi së funksionuari ngase ishte i varur tërësisht nga donacionet e huaja. 

Teuta Hoxha, një nga pjesëtaret e ish-Grupit Punues për Ballafaqim me të Kaluarën, tregon se ky trup nuk pati shumë mbështetje politike e financiare. “Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk ka shfaqur interesim për një gjë të tillë,” thotë Hoxha.

Ajo thotë se koha prej dy viteve për mandatin e  komisionit, e paraparë në draftin fillestar, është shumë e shkurtër.

Ish-presidenti serb, Vojislav Koštunica,  në vitin 2002 themeloi  po ashtu një Komision të së Vërtetës dhe Pajtimit në Serbi, por që u shua një vit pas themelimit.

Në Ballkan pati gjithashtu një ide të ngjashme që nuk arriti të shkojë tutje.

Në vitin 2006, një rrjet regjional i organizatave joqeveritare krijoji një komision të quajtur “KOMRA”, një iniciativë për vërtetimin e fakteve për krime lufte te kryera ne territorin e ish-Jugosllavisë gjate viteve 1991-2001.

Në vitin 2013, presidentët e vendeve të ish-Jugosllavisë, përfshirë edhe ish-presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, caktuan të dërguarit e tyre në KOMRA për të punuar ne rishikimin e statutit të këtij komisioni nëse është në përputhje me kushtetutën.

Në bazë të praktikave në botë një  mekanizmi të një natyre të tillë çfarë mendohet të jetë Komisioni i së Vërtetës dhe Pajtimit i duhet një mandat prej 3 deri në 5 vite.

Në një atmosferë me një progres të ngadaltë në dialogun me Serbinë dhe ku marrëdhëniet mes dy vendeve janë ende larg normalizimit, ky komision, sipas Ahmetajt, tërthorazi do ta ndihmonte edhe dialogun.

“Të gjeturat e këtij komisioni  do të përafronin dy komunitetet dhe do të ulnin mungesën e informatave për të kaluarën në të dyja taboret,” thotë Ahmetaj.

Qeveria e Serbisë ka refuzuar të  komentojë për mundësinë e bashkëpunimit me autoritetet në Kosovë rreth të vërtetës dhe pajtimit.

Joanna Hanson nga New Perspektiva thotë se ky komision duhet t’i japë një kuptueshmëri më të madhe të vërtetës për atë që ka ndodhur gjatë luftës dhe të ndihmojë viktimat, jeta e të cilëve është shkatërruar. “Është një proces i zgjidhjes dhe ndërtimit duke i dhënë një gjenerate të pasluftës një kuptim të qartë të së kaluarës për të mos u lënë atyre mbi supe barrën shkatërruese të një trashëgimie të shtrembëruar,” thotë Hanson.

Projektuesit e këtij komisioni besojnë që kjo mund të ndikojë në një lloj paqeje të qëndrueshme dhe në imazhin e Kosovës. “Do të jetë e vështirë, ndoshta e pamundur, por duhet provuar,” thotë Kushtrim  Koliqi.

Sidoqoftë, derisa e vetme shtyn ditët në shtëpinë muze në Gjakovë, nëna Ferdonije nuk e ka të lehtë të besojë në të vërtetën dhe pajtimin, gati dy dekada pasi humbi tërë familjen e saj. ”Ndoshta mund të ketë ndonjë ndryshim. Por, vështirë,” thotë ajo.