Individi nuk duhet izoluar ose sulmuar për shkak të stereotipizimit që i bëhet një kombi të tërë për veprimet e tij në të kaluarën. Kjo është përgjigje e zakonshme në një situatë pas konflikti. Rasti i zonjës Dragica Gašić në Gjakovë është një shembull i kësaj. Por nuk është i vetmi në Kosovë.
Kur po lexoja njoftime të ndryshme për atë se çfarë i ka ndodhur kësaj zonje pas kthimit në shtëpinë e saj në atë qytet, m’u kujtuan fjalët e urta të Presidentit gjerman Richard von Weizsäcker në vitin 1985 në 40 vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Ai foli për çështjen e përkujtimit ndonëse si pjesëtar i palës që kishte filluar atë luftë dhe kishte kryer krimet më të tmerrshme të luftës gjatë gjithë kohës sa kishte zgjatur ajo. Fjalët e tij më kanë mbetur fuqishëm në kujtesë:
“Nuk ka diçka të tillë si faj apo pafajësi e një kombi të tërë. Faji, si pafajësia, nuk është kolektiv, por personal. Ka faj individual që zbulohet ose fshehet. Njerëzit e pranojnë ose e mohojnë atë. Secili që e ka përjetuar atë epokë në mënyre direkte, sot duhet të pyesë veten në heshtje për përfshirjen e tij në të.”
Pikërisht kjo temë e fajit që nuk është kolektiv por personal është ajo që duhet të kuptohet në veçanti në Kosovën pas konfliktit. Është një argument që është përmendur me rastin e arrestimeve dhe gjyqeve që po zhvillohen në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë, ku është theksuar se këto janë raste kundër individëve dhe jo UÇK-së. Kur është fjala për një konflikt midis dy vendeve, dy kombeve, është lehtë që të etiketohet dhe stereotipizohet tjetri por çfarë ndodh kur një konflikt është midis pjesëtarëve të të njëjtit popull me të njëjtën prejardhje kombëtare të cilët kanë qenë në anë të kundërta p.sh. për arsye politike?
Znj. Gašić ka të drejtën e kthimit në shtëpinë e saj dhe ka ndjekur procedurën e duhur për ta bërë këtë. OJQ-të e Kosovës, në veçanti Qendra për të Drejtën Humanitare e Kosovës dhe Nisma e Rinisë për të Drejtat e Njeriut e Kosovës, e thanë këtë qartë. Ato në mënyrë të efektshme argumentuan se qëllimi i Komunës së Gjakovës për të ngritur padi kundër saj ishte në kundërshtim me frymën demokratike dhe multi-etnike të shtetit të Republikës së Kosovës dhe se kjo qasje nuk i kontribuonte procesit të ballafaqimit me të kaluarën.
OSBE-ja në Kosovë gjithashtu ka ritheksuar vendosmërisht nevojën për të respektuar këtë të drejtë të kthimit dhe u ka bërë thirrje mediave të raportojnë me përgjegjësi rreth këtyre çështjeve të ndjeshme.
Këto janë argumente të vlefshme që duhen dëgjuar ashtu si ai i personales përballë kolektives. Personat që qëndrojnë pas vendimit për ta çuar çështjen në gjyq dhe ata që kanë protestuar e ata që e frikësojnë këtë zonjë duhet të reflektojnë për mantra-n se faji nuk është kolektiv por personal. Nuk mund t’i dënojmë ose fajësojmë individët për mëkatet e bashkëkombësve të tyre. Vlen të kujtohet se përkundër të gjitha ndodhive të tmerrshme në konflikt ka edhe histori të pabesueshme të kujdesit dhe shpëtimit midis komuniteteve të armiqësuara. Këto janë reagime individuale e jo kolektive.
Të gjithë e dimë se Gjakova ishte një nga zonat e shumta në Kosovë që patën përvojë tejet tragjike dhe traumatike gjatë luftës 1998-99. E dimë se njerëzit kanë probleme me kthimin në pronat e tyne nga të dyja anët. Por si do të reagonin nxitësit e kësaj sjellje frikësuese dhe antagoniste ndaj kësaj zonje sikur e njëjta gjë t’u ndodhte bashkëkombësve të tyre?
Duhet të mbajmë mend personalen dhe të drejtat e përvojën e individit. Atyre nuk duhet imponuar kolektivisht fajin për gabimet dhe veprimet e të tjerëve por duhet të nxirren mësime nga konflikti i para më shumë se 20 viteve dhe palët duhet të punojnë së bashku për të shmangur dhunën në të ardhmen, për të lënë si trashëgimi një memorje me përgjegjësi dhe mirëkuptim të qëndrueshëm. Duke bërë këtë mund të adresohet në mënyrë korrekte procesi i ballafaqimit me të kaluarën, proces të cilin dy OJQ-të e përmendura më lartë e kanë theksuar posaçërisht në deklaratën e tyre.