Gjyqësia e integruar në veri tek pas 17 janarit

0
647

Marrëveshja për gjyqësi, për të cilën janë marrë vesh në Bruksel Prishtina e Beogradi, e cila ishte planifikuar të fillonte së realizuari më 10 janar, nesër, është shtyrë për 17 janar, transmeton Koha.net.

Sipas burimeve të gazetës së Beogradit “Veçernje Novosti”, është e pasigurt nëse edhe me këtë datë do të fillojë zbatimi i marrëveshjes.

Shtyrja e zbatimit të marrëveshjes të nënshkruar më 2013 është konfirmuar në takimin e serbëve të punësuar në gjyqësinë e Kosovës me përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë.

Edhe pse numri i të punësuarve në gjyqësinë e integruar është caktuar me marrëveshje, problem kanë mbetur detajet teknike për të cilat, thotë gazeta, afat kanë kërkuar Brukseli e Prishtina.

Në bazë të Marrëveshjes, Gjykata Themelore në Mitrovicë do të punojë në dy ndërtesa – në ekzistuesen në veri dhe në ish – ndërtesën e Jugobankës në jug, përcjell Koha.net. Përfaqësi të Gjykatës do të ketë edhe në Leposaviq e Zubin Potok.

Në veri do të punojnë 12 gjykatës serbë e nëntë shqiptarë e në jug përqindja do të jetë 60 me 40 në dobi të shqiptarëve.

Veç kësaj, edhe 11 gjykatës serbë do të vendosen nëpër përfaqësitë e kësaj gjykate në Graçanicë, Shtërpcë e Ranillug.

Në krye të Prokurorisë në Gjykatën e Mitrovicës do të jetë pjesëtari nga nacionaliteti shqiptar e në të do të punojnë 9 prokurorë të përkatësisë serbe.

Në krye të Gjykatës së Apelit do të jetë pjesëtari i nacionalitetit serb e në të, të punësuar, do të jenë pesë gjykatës serbë e dy shqiptarë.

Apeli në veri do të shqyrtojë ankesat e serbëve nga veriu dhe nga mjediset tjera me shumicë serbe në Kosovë.

(koha.net,  09/01/2017)

SHARE