Grenell vazhdon të jetë i Dërguar Special për Dialogun Serbi-Kosovë

0
30

Richard Grenelli edhe zyrtarisht ka dhënë dorëheqje nga Departamenti i Shtetit dhe nga posti i tij si ambasador i Amerikës në Gjermani.

“Ambasadori Grenell ka dhënë dorëheqje nga posti i tij dhe nga Departamenti i Shtetit më 1 qershor”, ka thënë një zëdhënës, raporton “Reuters”.

“Sot unë zyrtarisht dhashë dorëheqje nga Departamenti i Shtetit”, shkroi Grenelli ndër tjera në Twitter, teksa ka publikuar një foto bashkë me Trumpin.

Ai do të mbetet i dërguar i posaçëm i administratës Trump për dialogun Kosovë-Serbi. Këtë e ka konfirmuar për “Kohën” zëdhënësi i tij, Dick Custin.

“Po, Ambasadori Grenell do të vazhdojë të jetë i Dërguari Special për Dialogun Serbi-Kosovë”, ka thënë shkurt Custin. Por nuk ka komentuar për qasjen që Grenell do ta aplikojë në dialog dhe nëse do të tentohet arritja e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë para zgjedhjeve presidenciale në ShBA, që mbahen në nëntor të këtij viti.

Javë më parë, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka kërkuar nga të gjitha partitë politike në Kosovë që të pranojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila i dha të drejtë presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit për formimin e qeverisë së re, dhe ka thënë se “mezi pret të bashkëpunojë me qeverinë e re”.

Grenelli vazhdimisht kishte kritikuar qeverinë Kurti edhe pas heqjes së tarifës dhe vendosjes së reciprocitetit.

Nën ndërmjetësimin Grenellit, Kosova dhe Serbia arritën dy marrëveshje në fillim të këtij viti. E para për vendosjen e një linje direkte Prishtinë – Beograd si dhe marrëveshja tjetër për funksionalizimin e hekurudhave.

(koha.net, 02/06/2020)

SHARE