Kosova e pret tenisten serbe

Tenisi kosovar po e thyen çdo akull. Sporti i bardhë mund të bëhet i pari në vend që përfaqësohet nga një teniste serbe.

0
427

Marija Djordjevic duket të jetë e gatshme ta veshë fanellën e Përfaqësueses së Kosovës në “Fed Cup”. Mirëpo, fjalën e fundit do ta thotë babai i saj, i cili po ngurron paksa. 17-vjeçarja do ta japë përgjigjen përfundimtare shumë shpejt

Marija Djordjevic mund të bëhet sportistja e parë serbe që e përfaqëson Kosovën. Tenistja nga Graçanica është e gatshme t’i mbrojë ngjyrat verdhekaltër, duke i thyer të gjitha barrierat dhe akullin, pasi garon me sukses dhe pa problem në turne të ndryshëm në vend. Deri më tash asnjë sportist serb nuk e ka përfaqësuar vendin tonë dhe me këtë rast Marija mund t’ia bëjë sefte, shkruan sot Gazeta Zëri.

Mirëpo ajo duhet t’i kalojë disa pengesa, duke i pasur parasysh paragjykimet dhe vështirësitë nëpër të cilat has në enklavat serbe në Kosovë.

Fjalën e fundit do ta thotë babai i saj, i cili do t’ia japë Federatës së Tenisit të Kosovës (FTK) përgjigjen definitive shumë shpejt.

Zëri shkruan se drejtuesit e tenisit kosovar shpresojnë në përgjigje pozitive, edhe pse janë të vetëdijshëm se frika dhe paragjykimet e serbëve në vend mund ta detyrojnë 17-vjeçaren t’i thotë “Jo” Kosovës.

“Ne kemi biseduar me Marijan dhe ajo e ka shprehur gatishmërinë për të luajtur për Kosovën. Mirëpo, ka thënë se duhet të konsultohet me babanë e saj dhe shumë shpejt do ta marrim një përgjigje nga ajo”, thotë për “Zërin” Shkëlzen Domi, kryetar i FTK-së.

Marija, e cila më 21 shkurt mbush 18 vjet, e ka mundësinë e vetme për të luajtur në “Fed Cup” (lloj i Botërorit) përmes Kosovës, pasi me Serbinë një gjë të tillë e ka praktikisht të pamundshme, duke e pasur parasysh cilësinë e tenisteve serbe.

“Duhet t’i kuptojmë edhe ne sepse nuk e kanë të lehtë, duke i pasur parasysh problemet që i kanë në enklavat serbe, paragjykimet dhe vështirësitë në të cilat hasin nga nacionalistët atje. Unë i kam thënë asaj se mundësinë e vetme për të luajtur në ‘Fed Cup’ e ka përmes Kosovës. Ajo e do shumë tenisin dhe nuk është mirë ta lëshojë një mundësi të tillë”, shton Domi.

Ai thotë se do të donte që çfarëdo race apo nacionaliteti të ndihet mirë që jeton në Kosovë dhe ta përfaqësojë me qejf dhe dëshirë Kosovën. “Duhet ta lëmë anash politikën. Ky është sport”, u shpreh ai.

Kosova me legjionare

Ndërkohë, trajneri i Përfaqësueses së Kosovës në konkurrencën e femrave, Arben Islami, shpreson ta ketë në dispozicion Marijan për “Fed Cup”. “Beni” ka biseduar edhe vetë me tenisten më të mirë të vitit për U-18, e cila ka dhënë shenja të mira, por që topi është tek babai i saj.

Gjithashtu Islami njofton se për Kosovën në “Fed Cup” do të paraqiten edhe Arlinda Rushiti, që jeton dhe luan në Zvicër, si dhe Edita Raci, që luan në Angli. Ai i ka në listë edhe gjashtë teniste, prej tyre ka edhe nga Suedia dhe Gjermania. “Fed Cup” mbahet nga 13 deri më 18 prill të këtij viti.

(Zëri, 19/02/2016)

SHARE