Krimet dhe mohimet

Kur zgjohem për Krishtlindje në Beograd, nuk kam nevojë të ndez televizorin për të ditur që tri lajmet e para do të jenë: - Patriku Pavle shërben liturgjinë në ndonjë kishë - Kryetari i Republikës së Serbisë ua ka uruar festën besimtarëve - Është qëlluar me gurë autobusi me serbë të zhvendosur që janë nisur për Gjakovë

0
516

Kur zgjohem për Krishtlindje në Beograd, nuk kam nevojë të ndez televizorin për të ditur që tri lajmet e para do të jenë:
– Patriku Pavle shërben liturgjinë në ndonjë kishë
– Kryetari i Republikës së Serbisë ua ka uruar festën besimtarëve
– Është qëlluar me gurë autobusi me serbë të zhvendosur që janë nisur për Gjakovë

Dikush do të mendonte që unë kam aftësi të parashikimit. Por jo, nuk e kam. Vetëm e di që disa veprime politike me kokëfortësipërsëriten nga viti në vit. Natyrisht, nuk e kam fjalën për lajmet për Patrikun apo për Presidentin e shtetit.

Kur dëgjoj që dikush është qëlluar me gurë diku, gjëja më e logjikshme më duket ta pyes veten pse ka ndodhur kjo. Cilat ishin motivet e sulmuesve? Pse gjakovarët nuk ua lejojnë serbëve që për Krishtlindjet e tyre të sjellin buzmin në kishën ortodokse?

Duke i ndjekur njoftimet në mediat serbe mund të konkludohet që rrallëkush e bën këtë pyetje, e ndoshta edhe askush. Mediat nuk na e transmetojnë se çka thonë sulmuesit për motivet e tyre. Zëri i tyre nuk mund të dëgjohet. Gazetarët nuk e bëjnë këtë pyetje e edhe nëse e bëjnë, frikohen ta transmetojnë përgjigjen. Sepse po të dëgjohej ajo përgjigje, do të hynim në një rrëfim të komplikuar për luftën në Kosovë dhe përgjegjësinë e forcave serbe për krimet që janë kryer atje.

Regjistrat e gjatë të atyre që janë dëbuar dhe që kanë ikur gjatë kohës së „pastrimit të terrenit“. Disa qindra të rrëmbyer nga kolona e të ikurve në fshatin Mejë dhe më vonë të gjetur në varrezat masive në Batajnicë, afër Beogradit. Qendra e vjetër e qytetit e djegur. Vrasje masive më 1 prill. Këto janë vetëm disa nga ato që të kujtojnë konfliktin dhe Gjakovën – komunën e cila gjatë luftës ka qenë shpesh në shënjestër të forcave serbe për shkak se ndodhet buzë vetë kufirit me Shqipërinë.

Incidentet e përmendura janë kryesisht të panjohura për opinionin publik në Serbi. Njerëzit e rëndomtë nuk dinë asgjë për to. Me qëllim po them njerëzit “e rëndomtë”. Pres që elita politike megjithatë të ketë informata për këto krime, por po heshtë lidhur me to, duke e penguar kështu njeriun e rëndomtë që të marrë vesh se çka është bërë diku „në emër të tij“.

A thua sa informata kanë për krimet e lartpërmendura familjet e serbëve që kanë jetuar më parë në Gjakovë? Më duket disi e pamundur që nuk e dijnë, por nuk do të vëja bast për këtë. Nuk do të nënçmoja plotësisht fuqinë e mohimit, relativizimit, harresës, heshtjes mediale, paraqitjes së orkestruar të elitave politike dhe zëdhënësve të tyre. Më duket se Ministri i Kosovës Jablanoviq është një prej tyre – prototipi më i mirë i atyre që dërgojnë porosinë që e kaluara do të duhej futur nën rrogoz. Më frikëson kur e shoh se sa e madhe është fuqia e tij për të shkaktuar turbulenca në skenën politike.

Gjatë disa viteve të fundit, qëkur po përsëritet rrëfimi për incidentet rreth Krishtlindjeve në Gjakovë, kam biseduar shumë herë me të njohurit e mi nga Kosova për atë se a do të duhej megjithatë shqiptarët t’i lejojnë serbët e zhvendosur që në mënyrë të organizuar të vizitojnë kishën lokale dhe varrezat. Miqtë e mi zakonisht janë të ndarë në dy grupe: në ata që, përkundër të gjithave, do ta lejonin një gjë të tilllë dhe në ata që assesi nuk mund të harrojnë dhe të falin 1999-n.

Sa herë që fillojmë bisedën për dekadën e fundit të shekullit të kaluar në Kosovë, ne spontanisht shëtitemi nëpër tërë mileniumin e dytë. Gjatë atyre bisedave gjithçka del në sipërfaqe. Dëgjoj shumë rrëfime për relativizimin e krimeve, arsyetimin e një krimi me një krim tjetër. Has edhe në moskuptim të plotë të faktit se dikush edhe gjatë një lufte legjitime mbrojtëse mund të kryejë krime. Jo rrallë zë fill biseda për Shqipërinë e madhe, të pastër, etnike, natyrore si edhe për dhjetë shekuj të gjenocidit serb mbi shqiptarët.

Atëherë e kam të qartë se edhe Kosovës, si edhe tërë rajonit të ish-Jugosllavisë, i duhet një pastrim i madh. Unë po përpiqem që këtë oborrin tim serb ta rregulloj, por po e shoh që fshisa me të cilin po e bëj këtë është shumë e vogël. Vendeve tona u duhet shumë më tepër se fshisa ime dhe fshisat e mijëra njerëzve tjerë të rëndomtë që fshijnë ngapak. Kemi nevojë për turbo pastrues të teknologjisë më moderne. E ajo që para së gjithash dhe më së shumti na duhet është që ata pastruesë të drejtohen nga liderët e vendeve tona.

Në mënyrë që elitat tona politike të japin testin e vozitjes për drejtimin e këtyre pastruesve, ato duhet të njihen me disa fakte nga e kaluara dhe të flasin për to publikisht. Si literaturë përgatitore unë ua dërgoj dy vëllime të raportit të OSBE-së „Kosova: siç është parë dhe treguar“. Liderëve në Beograd dedikimin ua shkruaj në vëllimin e parë që merret me ngjarjet prej tetorit 1998 deri në qershor 1999, kurse atyre në Prishtinë vëllimin e dytë që mbulon periudhën prej qershorit deri në tetor 1999.

SHARE