Lajçak pret marrëveshje Kosovë-Serbi brenda mandatit të Qeverisë Kurti 2

0
54

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak deklaroi në Prishtinë se pret që marrëveshja gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi të arrihet brenda mandatit qeverisës të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit.

Pas një takimi me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, ai tha se edhe BE-ja pret zbatimin e programit elektoral të kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Osmanit, por se partnerët ndërkombëtarë, BE-ja dhe SHBA-ja, presin edhe vazhdimin e dialogut.

“E kam thënë edhe në të kaluarën dhe e po e përsëris se ky proces do të mund të përmbyllet brenda disa muajve, nuk kërkon vite që të arrihet marrëveshja. Por, ne nuk jemi ata që po nxitojmë ose ata që e ngadalësojnë procesin. Janë Kosova dhe Serbia që vendosin se sa shpejtë duan të procedojnë. Nëse duan të takohen na baza mujore, ne jemi aty. Nëse ata duan të takohen në baza javore, ne jemi këtu për të ndërmjetësuar dhe ne nuk na duhen edhe dhjetë vjet të tjera, as pesë vjet të tjera, as tre vjet, nëse ka përkushtim dhe vullnet të palëve”, u shpreh Lajçak.

Ai tha se pret që klasa politike në Kosovë të jetë unike në këtë drejtim dhe ta kuptojë rëndësinë e dialogut me Serbinë.

Lajçak i siguroi liderët kosovarë se procesi i dialogut është në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara.

“Jam i lumtur të them se pas ardhjes së administratës (së presidentit amerikan, Joe) Biden, ky bashkëpunim nuk mund të jetë më i ngushtë sesa është. Ne po punojmë ngushtë në baza ditore, me partnerët tanë amerikanë dhe miqtë dhe ne e ndajmë qëllimin e njëjtë që është e ardhmja evropiane për Kosovën dhe për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Lajçak.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, e cila garoi në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se institucionet e reja do të angazhohen në dialog, por me një qasje të re, e cila sipas saj, synim kryesor do të ketë trajtimin e barabartë në dialog dhe njohjen e ndërsjellë si akt final.

“Qasja e re nënkupton që ne assesi nuk mund ta pranojmë që çështja e kufijve, sovraniteti, rregullimit kushtetues të Kosovës të bëhen pjesë e negociatave sepse ato negociata kanë përfunduar në vitin 2008, nën mandatin e Ahtisartit”, tha Osmani.

“Kosova ka bërë shumë koncesione, sa e kanë sjellë buzë jofunksionalitetit. Nuk është tema se çfarë mund të japë sërish Kosova, por se si BE-ja mund t’ua jap përfitimin Kosovës dhe Serbisë për anëtarësim në BE”, shtoi ajo.

Osmani tha se ka kërkuar nga Lajçaku që pas konstituimit të insititucioneve të reja, t’iu ofrohen të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në kuadër të dialogut dhe të shihet se në çfarë faze janë zbatuar ato dhe çfarë mund të bëhet.

Pas takimit me Osmanin, Lajçak u takua me kryeministrin në detyrë, Avdullah Hoti.

Sipas njoftimit për media, Hoti e ka falënderuar Lajçakun për bashkëpunimin e deritanishëm në ndërmjetësimin e dialogut dhe “i ka dëshiruar atij sukses në finalizimin e këtij procesi”, thuhet në njoftimin për media të zyrës së Hotit.

Mirosllav Lajçak arriti të hënën në Kosovë, ku takimin e parë me lidershipin e Kosovës e zhvilloi me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, partia e të cilit i ka fituar zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.

Kurti, pas fitores ka thënë se dialogu me Serbinë nuk është në mesin e prioriteteve kryesore të qeverisë që ai mëton ta udhëheqë.

Pas takimit të së hënës me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së, Kurti deklaroi se nuk e mohon rëndësinë e dialogut me Serbinë, por shtoi se ai duhet të jetë i përgatitur mirë dhe i sinqertë.

Kurti tha se “nuk është në presion të kohës” dhe nuk dha datë se kur mund të rifillojë dialogu.

Lajçak, në një postim në rrjetet sociale, takimin me Kurtin e ka cilësuar si konstruktiv.

“Ne diskutuam thellësisht për dialogun, por edhe për pikëpmajet për hapat e ardhshëm”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Më herët është thënë se “Bashkimi Evropian është i bindur se normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është absolutisht i mundur”.

Pas Kosovës, Lajçak do të vazhdojë vizitën në Serbi, nga 3 deri më 4 mars dhe gjithashtu do të vizitojë Malin e Zi si pjesë e mandatit të tij rajonal nga 4 deri më 5 mars.

Nën ndërmjetësimin e BE-së, dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Pas një ndërprerje 20-mujore, dialogu rinisi në korrikun e vitit 2020.

Takimi i fundit i udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë është zhvilluar në shtatorin e vitit të kaluar.

Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës, Brukseli zyrtar ka paralajmëruar se nuk do të ketë takime në kuadër të dialogut.

(evropaelire.org, 02/03/2021)

SHARE