Lidhni rripin e sigurisë, një pilot i ri në kabinë

Administrata e Trump-it, pak minuta pas zyrtarizimit të emërimit në Inteligjencë, konfirmoi se Grenell do të jetë edhe ambasador në Gjermani por edhe do të jetë i angazhuar në dialogun Kosovë-Serbi. Pra, për këdo që nuk ka besuar, tani po konfirmohet se Grenell është njeriu më i afërt i Trump dhe, kur flet ai, nuk mund të jenë të tjera gjëra përveç atyre që i flet me numrin 1 të SHBA.

0
144

Që nga fillimtetori kur ambasadori Richard Grenell u emërua si Emisar Special për dialogun Kosovë-Serbi, u kuptua se presidenti amerikan, Donald Trump, e ka të rëndësishme çështjen më të komplikuar të Ballkanit. Të gjithë, gati njëzëri, thoshin se Grenell e konfirmon interesimin e të parit të shtetit amerikan për ta përmbyllur dialogun që për shumë vjet po vazhdon me ritëm modest.

Mirëpo, u desh një marrëveshje për ta kuptuar seriozitetin e qasjes së Grenellit në këtë mes. Ndërmjetësimi që bëri të mundur marrëveshjen për linjen ajrore Prishtinë-Beograd e bëri ambasadorin amerikan kryeprotagonist. Në fakt, tempoja me të cilën u përmbyll një marrëveshje e tillë dhe mënyra si u pranua nga të gjithë, nuk linin hapësirë që Grenell të konsiderohej më pak se kryeprotagonist. Ndryshe mund të quhej edhe piloti i ri.

Marrëveshja për linjën ajrore u prit mirë nga të dyja palët, madje edhe kundërshtarët e linjës amerikane në dialog, si ish-kryeministri Ramush Haradinaj (kryeministër në detyrë atëkohë), e quajti historik një të tillë hap. A kishte më hapësirë për të dyshuar për kryeprotagonistin?

Ndërkohë, një vizitë e befasishme në Kosovë dhe Serbi, vetëm pak ditë pasi u hodhën firmat në një marrëveshje, elektrizoi politikanët e të dyja vendeve. Në Kosovë, Grenell dha mesazh të qartë se i intereson marrëveshja finale në mes të dy vendeve, e po ashtu në Serbi nuk kërkoi gjë më pak. Të dy taboret u shfaqën në siklet. Në një anë Kosova po bëhej gati për pushtetin e ri i cili është dashur ta ketë parasysh çështjen “Grenell”, dhe në anën tjetër Serbia që po shkonte drejt zgjedhjeve me Grenellin dhe agjendën e tij si barrë mbi shpinë.

Vizitat përfunduan me paralajmërimin për dy marrëveshje të reja. Grenell, për të treguar edhe një herë seriozitetin, u tha se kjo gjë do të ndodhte pas jo më shumë se dy javësh. Në Kosovë erdhi Qeveria e re, zyrtarët e së cilës u ulën bashkë me zyrtarët serbë në një tavolinë që po monitorohej nga ambasadori gjerman. A kishin tjetër zgjidhje përpos të hidhnin nënshkrimin? Mendoj që jo.

Pas këtyre marrëveshjeve, Grenell dha mesazh të qartë për të dyja palët: duhet të uleshin në tryezë për dialog. Kosovës i kërkoi heqjen e taksës dhe Serbisë ndaljen e fushatës anti-Kosovë.

E, ndonëse u zotuan për qasje konstruktive, të dyja palët po vazhdojnë me avaz të njëjtë. Qeveria e Kosovës, ndonëse thotë se do ta largojë taksën, por do ta vendos reciprocitetin, masë kjo që po kundërshtohet njëlloj nga Amerika. Serbia, ndërkaq, nuk po heziton ta minojë cdo fushë diplomatike. I tillë ishte rasti i njohjes së Kosovës nga Xhamajka ku, sipas mediave në Kosovë, në tërheqjen e njohjes ndikoi Rusia dhe Serbia.

Por, nga Grenelli erdhi një mesazh i ri: Ai u bë shef i Inteligjencës amerikane, një prej posteve kryesore të shtetit. Administrata e Trump-it, pak minuta pas zyrtarizimit të emërimit në Inteligjencë, konfirmoi se Grenell do të jetë edhe ambasador në Gjermani por edhe do të jetë i angazhuar në dialogun Kosovë-Serbi. Pra, për këdo që nuk ka besuar, tani po konfirmohet se Grenell është njeriu më i afërt i Trump-it dhe, kur flet ai, nuk mund të jenë të tjera gjëra përveç atyre që i flet me numrin 1 të SHBA.

E kur janë punët kështu, Kosova dhe Serbia duhet t’i ulin kokat dhe të kryejnë përgjegjësitë që u takojnë. E para duhet ta heqë taksën dhe të mos e vendosë reciprocitetin, dhe e dyta duhet ta ndalë luftën ndaj shtetësisë së Kosovës dhe të bëhet gati për njohje.

Pra, lidhni rripin e sigurisë, një pilot i ri në kabinë!

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE