Mariq: Asociacioni i komunave serbe, pa kompetenca ekzekutive

Në intervistën dhënë Klan Kosovës të mërkurën, e që sipas tij është e para për mediet kosovare, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Ljubomir Mariq, tha se kriza politike në Kuvend po e pamundëson krijimin e Asociacionit.

0
512

Serbëve të Kosovës u janë shuar gati krejt shpresat se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe është afër formimit.

Kaq pesimist për këtë punë është edhe vetë ministri i administrimit të pushtetit lokal, Ljubomir Mariq.

Në intervistën dhënë Klan Kosovës të mërkurën, e që sipas tij është e para për mediet kosovare, ai tha se kriza politike në Kuvend, po e pamundëson krijimin e Asociacionit:

“Problemi më i madh është se formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe po përdoret si pretekst për luftë politike. Pra është si argument për konfliktin e brendshëm politik që po ndodhë në Prishtinë. Ështe krejt e pavërtetë se Asociacioni i Komunave Serbe është kundër shumicës shqiptare. I gjithë ky proces është degraduar tashmë dhe si po shkojnë punët tani po duket se është proces i pamundur formimi i atij Asociacioni. Serbët sot në Kosovë po i shesin pronat dhe Bashkësia është një mundësi që ata të mbeten. Nuk është fer kur opozita thotë që bashkësia është punë e vdekur. Mendoj se shumica shqiptare duhet t’u ndihmojë serbëve të mbesin këtu. Kam ndaluar të flasë për afatet se kur mund të themelohet AKS. Aq keq është situata këtu në Prishtinë sa që vështirë të pritet bërja e Asociacionit. Mirëpo sa mund të ndëgjohet nga zyrtarët e Bashkimit Evropian, pa themelimin e Bashkësisë nuk ka përparim në integrimet evropiane, sidomos në procesin e liberalizimit të vizave që unë mendoj se duhet të ndodhë sa më parë që është e mundur.”

Kurdo që ndodh krijimi i Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, Ministri Mariq, bëhet edhe zyrtari i parë i lartë serb nga Kosova që thotë se AKS nuk do ketë kompetenca ekzekutive:

“Disa herë kam dëgjuar argumente se Asociacioni do të jetë një Republika Srpska e re. Kjo është e pamundur, thjeshtë për faktin që AKS-ja nuk ka kompetenca ekzekutive dhe ligjore. Republika Srpska ka Kuvendin, policinë e saj, e të tjera, ndërsa në dokumentin e AKS askund nuk shkruan se do t’i ketë këto fuqi.”

Krahas angazhimit për funksionimin e Asociacionit, njeriu që erdhi si refugjat në Kosovë e u bë ministër, thotë se po i kryen në përpikmëri detyrat që i ka si ministër.

E veçanërisht, për integrimin e siç thotë, të katër komunave veriore në sistemin e Kosovës:

“Në këtë aspekt katër komunat në veri varen shumë nga dialogu që po zhvillohet në Bruksel. Tash për shkak të krizës politike s’ka implementim të ujdive nga Brukseli dhe për këtë katër komunat në veri s’po munden t’i ofrojnë shërbimet e duhura qytetarëve. Shihni çfarë buxhetesh u ka ndarë qeveria atyre komunave. Me këto para që i kanë në dispozicion komunat veriore vështirë se do të mbijetojnë deri në qershor. Sigurisht se atyre duhet t’u jipen më shumë para.”

E derisa flet për integrim serbësh, në zyrën e Mariqit nuk mund të shihet flamuri shtetërorë, por vetëm libra për Kosovën e Serbinë:

“Flamuri i Kosovës është diku këtu, sigurtë, por nuk po e shoh mbase për momentin nuk është në zyrë sepse i kemi ndërruar disa gjëra. Por ja shihni aty, është një libër për Kosovën.”

Por a e pranon pavarësinë e Kosovës ky ministër, i cili është banor i Mitrovicës veriore?

“Mendoj se kjo është pyetje që duhet shtruar ndonjë ministri të një shteti tjetër e jo dikujt që është ministër në qeverinë e Kosovës. Se a e pranoj shtetin e Kosovës nuk është pyetje për mua por për Ministrin e Jashtëm të Spanjës.”

Derisa e mban fshehur qëndrimin për pavarësinë, Ljubomir Mariq, kështu vepron edhe me biografinë e tij, të cilën, që kur u bë ministër kurrë nuk e publikoi.

Por kur rrëfen për jetën e tij, del të jetë interesant. Kjo pasi që ky është njeriu që në Kosovë erdhi si refugjat e u bë ministër:

“Kam lindur në Knin të Republikës së Kroacisë dhe nga aty ika bashkë me familje në vitin 1995 pas luftës që ndodhi atje. Atëbotë erdhëm në Kosovë në nëntor 1995 dhe u vendosëm në Mitrovicë; dhe më pas fillova studimet në Prishtinë ku qëndrova katër vjet në Qendrën Studentore në Breg të Diellit. Në qershor 1999 u ktheva prapë në Mitrovicë ku vazhdova me studimet në Fakultetin Teknik të atjeshëm. Kam punuar gjatë viteve 1998-99 si teknik në një televizion këtu në Prishtinë dhe më pas, në vitin 2000, punova si pjesëtar i OSBE-se në zgjedhjet e para në Kosovë; dhe më pas fillova të punoj në Kombinatin Trepça si shef i kabinetit të drejtorit të atëhershëm ndërkombëtar të Kombinatit. Për 14 vjet isha aty i kyçur derisa u bëra ministër në dhjetor të 2014, ku më pas kam ndalë së ushtruari postin paraprak ashtu siç e kërkon ligji.”
E pikërisht në verën e 2014-ës, Mariq ishte pjesëmarrës në vendosjen e të ashtuquajturit Park i paqes në urën e Mitrovicës, që u vendos nga serbët.

Ky e arsyeton veprimin tij, duke thënë se këtë e bëri për sigurinë e fëmijëve të tij, gjersa shtoi se pakica serbe, dëshiron më shumë komuna:

“Ne kurrë nuk kemi fshehur dëshirën që kemi edhe për dy komuna, pra Prelluzhën dhe Gorën. Nga ana tjetër, ne këtu në MAPL momentalisht kemi kërkesa nga shumë vendbanime që të bëhen komuna. Momentalisht po bëhet llogaritja në terren për numrin e banorëve dhe të tjera veçori, dhe më pas mblidhen si fakte dhe t’i çohen qeverisë si kërkesë.”

Sipas Mariqit, nëse shumica shqiptare në Kuvend nuk do të mund të gjejë një zgjidhje të krizës aktuale, atëherë Lista Serbe mendon se duhet të shkohet në zgjedhje.

E derisa vjen koha për votime në Kosovës, ato në Serbi janë përcaktuar për në fund prill, të cilat sipas Mariqit, duhet të mbahen edhe në territorin e Kosovës.

E këtë gjë sipas tij, duhet ta pranojë edhe Qeveria në Prishtinë, pjesë e së cilës është edhe ky.

(Klan Kosova, 09/03/2016)

SHARE