Mbetet e pazbardhur djegia e 25 koshereve në Pasjan

Organet e rendit ende nuk e kanë zbardhur rastin e vitit të kaluar në Pasjan, kur bletarit Vlasta Gužvić i ishin djegur 25 koshere të bletëve. Jo vetëm që nuk janë zbuluar akterët, por pronari as nuk është kompensuar për dëmin, edhe pse kjo i ishte premtuar. Gužvić tani mundohet ta ringjallë biznesin me ato pak koshere të mbetura.

0
443

Djegia e 25 koshereve të bletëve vitin e kaluar, pronë e një serbi në fshatin Pasjan, ka mbetur akt i pazbuluar dhe organet e rendit ende janë duke zhvilluar hetime.

Bletari nga Pasjani, Vlasta Gužvić, ende nuk e di se kush e shkaktoi zjarrin, në mars të vitit të kaluar, i cili përfshiu kosheret me bletët e tij. Përkundër hetimeve të zhvilluara nga Policia dhe Prokuroria e Gjilanit, ende nuk janë identifikuar përgjegjësit e këtij akti. Vetë pronari i bletëve thotë se nuk i di motivet e sulmit dhe se këtë po pret ta sqarojë Policia e Kosovës.

Flakët e zjarrit që kishin shpërthyer mbrëmjen e 21 marsit në oborrin e familjes Gužvić kanë qenë të mëdha, duke ia djegur pothuajse të gjitha kosheret me bletë. U desht të ndërhynin urgjentisht ekipet e zjarrfikësve nga Gjilani për ta parandaluar përhapjen e zjarrit. Kosheret me bletë kanë qenë biznesi i vetëm me të cilin mbijeton familja Gužvić. Edhe pse nuk ka pasur të plagosur, dëmi i shkaktuar në biznesin e tij vlerësohet të jetë rreth 5 mijë euro. Jo vetëm që nuk është zbardhur rasti, por pronari as nuk është kompensuar për dëmin, edhe pse kjo i ishte premtuar.

Gužvić tani thotë se është duke u munduar ta ringjallë biznesin, me ato pak koshere të mbetura. Thotë se është interesuar për rastin dhe se policia i ka thënë se hetimet janë duke vazhduar.

“Në mars më janë djegur 25 koshere të bletëve. Përkundër përpjekjes për ta shuar zjarrin nuk ia kemi dalë pasi ai ka qenë shumë i madh dhe e pamundur të lokalizohet. Po ashtu ende nuk jam kompensuar për dëmin. Këtë e kam biznes të vetëm prej të cilit jetojmë”, thotë Gužvić.

Ai ka zhvilluar takime edhe me pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Sa i përket dyshimeve, ai nuk e drejton gishtin nga askush, pasi pret që rastin ta zbardhin organet kompetente.

“Kam biseduar me policinë dhe ata kanë thënë se janë duke punuar në këtë rast”, është shprehur Gužvić. Ai thotë se ka vite që intensivisht merret me kultivimin e bletëve, ndërsa këtë punë e ka të trashëguar nga familjarët e tij.

Policia dhe Prokuroria thonë se hetimet janë duke i vazhduar

“New Perspektiva” ka pyetur edhe në policinë dhe prokurorinë themelore të Gjilanit përkitazi me këtë rast. Zëdhënësi i Policisë në Drejtorinë Rajonale të Gjilanit, Ismet Hashani, ka thënë se janë marrë shumë deklarata nga persona të ndryshëm, por që rasti ka mbetur i pazbuluar.

“Në lidhje me rastin në fjalë, kur në mars të vitit 2015 ishin djegur 25 shoqëri bletësh, pronë e një serbi banues në fshatin Pasjan, Policia e Kosovës ka zhvilluar hetime duke marrë shumë deklarata nga persona përreth. Por fatkeqësisht rasti ka mbetur i pazbuluar dhe është dërguar në Prokurorinë e shtetit me ‘kallëzim Penal me Persona të panjohur’”, ka thënë Hashani. Sipas tij, Prokuroria e Shtetit në Gjilan përmes një shkrese ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të vazhdohet me hetimin e rastit dhe gjetjen eventuale të kryesve të kësaj vepre penale. Të njëjtën gjë e kanë konfirmuar edhe në Prokurorinë Themelore të Gjilanit. Përmes një përgjigje me shkrim, ata kanë thënë se me datën 5 maj 2016, pranë Prokurorisë Themelore në Gjilan, është pranuar kallëzimi penal, nga kryesit e panjohur, dhe e njëjta është e regjistruar në Departamentin e Përgjithshëm.

Prokuroria: Nuk mund ta konstatojmë se incidenti është i motivuar etnikisht

“Prokurori i çështjes, me datën 18.05.2016, i është drejtuar Stacionit policor në Partesh – Njësitit të hetimeve, me kërkesë për mbledhjen e të dhënave të duhura, në drejtim të veprës penale Zjarrëvënie, nga neni 334, paragrafi 1, të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPRK), lidhur me rastin që ka ndodhur me datë 21.04.2015, në fshatin Pasjan, nga kryesit e panjohur”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë. Aty me tej shkruan se “deri më sot, Stacioni policor në Partesh, njësiti i hetimeve, nuk ka sjellë kurrfarë informate – raporti lidhur me identifikimin e kryesve të veprës penale”.

Sa i përket dyshimeve që incidenti të jetë i motivuar etnikisht, në prokurori janë shprehur se aktualisht këtë nuk mund ta konstatojnë.

“Konsiderojmë, se tani për tani nuk mund të konstatojmë se kjo vepër ka të bëjë me motive të mundshme etnike”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Gjilanit.

Në fshatin Pasjan, i cili është i banuar me serbë, sot jetojnë rreth 1000 vetë. Pasjani është vetëm një nga tri fshatrat që përbëjnë komunën e re “Partesh-Pasjan” në rajonin e Gjilanit, e formuar në vitin 2010 sipas pakos së Ahtisarit për decentralizim të pushtetit në Kosovë. Komunat e reja në Kosovë ishin themeluar me qëllim të integrimit të komunitetit serb në institucionet dhe shoqërinë kosovare.

comments

SHARE