Mbi debatin për origjinën e kishave ortodokse në Kosovë

Trashëgimia kulturore e Republikës së Kosovës, e prekshme a e paprekshme, përbën një tërësi unike, të pandashme dhe të patjetërsueshme (si dhe historikisht të pashtrembërueshme), e cila me shekuj të tërë është përdorur nga banorët vendës shqiptarë dhe nga minoritetet. Ndaj, ajo duhet mbrojtur, ruajtur, përkujdesur dhe prezentuar ashtu siç është, në mënyrë që gjeneratat e ardhshme të mësojnë për historinë dhe kulturën e pasur materiale të Kosovës.

0
59

Krahas çështjeve e temave të mëdha që rrahen pandalshëm në Kosovë që një kohë të gjatë, kohët e fundit ka pasur dhe një debat mbi origjinën e kishave ortodokse në Kosovë. Ky debat erdhi si rezultat i një shkrimi nga historiani Bedri Muhadri, i publikuar në gazetën Koha Ditore, ku autori radhiste argumente se kishat dhe manastiret ortodokse serbe në Kosovë në fakt janë rindërtuar dhe se origjina e tyre shtrihet shumë më herët në kohën e kishterimit të hershëm. Kjo nxiti reagime të shumta në Serbi, në mënyrë të posaçme në mediet e shkruara atje. Tema vazhdon të mbetet e ndërlikuar dhe e ndjeshme gjithsaherë shtrohet për diskutim, me argumente përforcuese e kundërshtuese në lidhje me të mbiquajturën “trashëgimi ortodokse serbe në Kosovë.” Çështja bëhet edhe më e vështirë për t’u trajtuar e zgjidhur pikërisht në kohën e dialogut të stërgjzatur politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në të cilin të dyja palët orvaten që të paraqiten me argumente të fuqishme (edhe historike) kundruall palës tjetër.

Po cili është thelbi i këtij debati dhe me ç’dëshmi historike mbrohen qëndrimet e secilës palë përkundrejt kësaj çështjeje? Trashëgimia kulturore e Kosovës është sa e pasur, aq dhe e llojllojshme. Ajo përfaqësohet me një sërë objektesh, monumentesh, rrënojash, ndërtimesh dhe reliktesh nga më të ndryshmet. Në mesin e tyre janë edhe ato që njihen me togfjalëshin “trashëgimi fetare.” Kjo lloj trashëgimie ilustrohet me objekte e monumente fetare të cilat janë përdorur gjatë historisë nga njerëzit e besimeve të ndryshme dhe disa prej tyre vazhdojnë të përdoren edhe sot. Pjesë të saj janë edhe kishat e manastiret ortodokse, të cilat shtrihen përgjatë territorit të Kosovës, disa prej të cilave madje janë edhe nën mbrojtjen e UNESCO-s. Nga Serbia, ato shihen si pjesë e trashëgimisë së saj në Kosovë, për çka dhe kurdoherë ka mbajtur qëndrim të palëkundur, veçanërisht pas luftës së fundit në Kosovë. Në radhë të parë, bëhet fjalë për kishat, manastiret dhe objektet e tjera sakrale në Kosovë të cilat Serbia mëton se janë trashëgimi e përjetshme dhe burimore serbe në Kosovë, si “dëshmi e gjallë e pranisë serbe gjatë shekujve të historisë në këtë vend.” Në anën tjetër, Kosova mëton se këto objekte të shenjta ortodokse në fakt e kanë origjinën që nga fillet e para të përhapjes së krishterimit në tokat iliro-arbërore, dhe se posaçërisht gjatë shekujve XIII-XIV këto janë rindërtuar dhe përvetësuar nga serbët, duke i shndërruar ato në ortodokse.

Le të shohim së pari pak më gjerësisht argumentet serbe mbi pretendimet e saj mbi këto objekte të shenjta ortodokse në Kosovë, dhe më pas kundërargumentet shqiptare. Sipas autorëve serbë, këto monumente të shenjta ortodokse, si Manastiri i Deçanit, Patrikana e Pejës, Manastiri i Graçanicës, Kisha e Zonjës Prendë në Prizren, etj., qenë ndërtuar nga mbretërit mesjetarë serbë, kur territori i Kosovës së sotme gjendej nën ombrellën e Rashkës e cila, sipas tyre, përbën bërthamën e shtetit mesjetar serb. Argumentin e tyre e përforcojnë edhe me lëvizjen e herëpashershme të selisë së Kishës Ortodokse Serbe gjatë shek. XIII e XIV nga Rashka në Kosovë, duke çuar kështu në mëtimet e tyre të njohura se “Kosova është djepi serb,” “Jerusalemi serb,” dhe cilësorë të tjerë. Pra, Serbia orvatet ta përdorë të drejtën historike si dëshmi themeltare për pronësinë dhe të drejtën mbi këto objekte fetare në një shtet tjetër, të pavarur e sovran. Midis tjerash, rol të madh përforcues ndaj këtij mëtimi ka luajtur edhe propaganda e Kishës Ortodokse Serbe por edhe vetë shteti serb, në përpjekje për të përligjur këtë të “drejtë historike” mbi këto monumente fetare. Porse, nuk janë vetëm këto monumente pikërisht ato për të cilat Serbia pretendon se janë me origjinë serbe; bashkë me këto bëhet fjalë edhe për prona të mëdha (të cilat njihen me termin “metohi,” prej nga buron dhe shprehja “Kosova e Metohia”) pranë dhe përreth këtyre kishave e manastireve ortodokse, element që e ndërlikon edhe më tepër këtë çështje. Këmbënguljen dhe mëtimin e saj, Serbia e çimenton dhe e përligj edhe përmes faktit se manastiret ortodokse serbe në Kosovë ishin pjesë edhe e Pakos së Ahtisaari-t, e cila më pas çoi në krijimin e Republikës së pavarur të Kosovës. Aty, në Aneksin V, pika 1.2, nënvizohet se “Kosova do ta njohë Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë, duke përfshirë manastiret, kishat dhe sitet e tjera të përdorura për qëllime fetare, si pjesë integrale e Kishës Ortodokse Serbe me seli në Beograd.”

Po kundërargumentet shqiptare? Fillimisht duhet theksuar se krishterimi në territoret e Kosovës së sotme u përqafua nga popullsia iliro-arbërore qysh në fillet e përhapjes së tij, dhe s’do mend se me kalimin e kohës kjo u shoqërua me ndërtimin e një varg objektesh dhe monumentesh sakrale në këtë territor. Pra, kjo po ngjante në një kohë kur sllavët akoma s’ishin dyndur drejt Ballkanit dhe akoma s’kishin formuar ndonjë formacion të fuqishëm politik. Përveç kësaj, mbretëria mesjetare serbe, në kuadër të fushatave të saj ortodoksizuese, sidomos gjatë shek. XIII-XIV, kishte edhe ndërtimin apo rindërtimin e kishave e manastireve ekzistuese anëpëranë vendit. Kjo dëshmohet nga ndryshimi i stilit të ndërtimit të këtyre monumenteve pasi i kthyen ato në ortodokse, nga gjurmët qe ende sot shihen në themelet e këtyre monumenteve, por edhe nga burimet e llojllojshme historiografike të autorëve vendës e të huaj. Këto dëshmi vënë në pah dëmtimet dhe shkatërrimet e monumenteve të krishtera që përdoreshin nga banorët vendës të këtyre tokave dhe shndërrimin e tyre në objekte të krishtera ortodokse.

Përmbledhtazi, u përmend që së fundmi ka pasur një debat mbi origjinën e kishave ortodokse serbe në Kosovë, çështje që ende mbetet e ndjeshme dhe jo lehtë e zgjidhshme, duke marrë parasysh këtu edhe dialogun aktual mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo temë përplas argumente të ndryshme dhe kundërti të skajshme ndërmjet të dyja palëve. Trashëgimia kulturore e Republikës së Kosovës, e prekshme a e paprekshme, përbën një tërësi unike, të pandashme dhe të patjetërsueshme (si dhe historikisht të pashtrembërueshme), e cila me shekuj të tërë është përdorur nga banorët vendës shqiptarë dhe nga minoritetet. Ndaj, ajo duhet mbrojtur, ruajtur, përkujdesur dhe prezentuar ashtu siç është, në mënyrë që gjeneratat e ardhshme të mësojnë për historinë dhe kulturën e pasur materiale të Kosovës. 

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës

SHARE