Mbi evoluimin potencial të raportit Kosovë-Serbi

Derisa deri para një muaji ideja që të shpejtohen zhvillimet sa i përket raportit Kosovë-Serbi ishte thuajse prioritet në agjendë të shtetit të Kosovës, tashmë kjo çështje, edhe si rezultat i pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi por më shumë si pasojë e zhvillimeve politike, e ka humbur momentumin.

0
122

Derisa qeveria Kurti tashmë është rrëzuar nga pushteti, ky zhvillim në fakt është dramatik jo vetëm për politikën e brendshme të shtetit, por njëkohësisht hap pikëpyetje edhe mbi vazhdimin e raportit me shtetin serb – raport i cili do të duhej që në një pikë të mbyllet me njohje reciproke. Derisa deri para një muaji ideja që të shpejtohen zhvillimet sa i përket raportit Kosovë-Serbi ishte thuajse prioritet në agjendë të shtetit të Kosovës, tashmë kjo çështje, edhe si rezultat i pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi por më shumë si pasojë e zhvillimeve politike, e ka humbur momentumin. Në këtë pikë, duke hipotezuar që shkohet në zgjedhje, vendi kthehet në pikën zero dhe njëkohësisht rifillon edhe qasja jonë ndaj shtetit serb. Pra, një qeveri e re sjell edhe pikëpyetje tjera lidhur me mënyrën se si do të funksionojë marrëdhënia e shtetit të Kosovës me Serbinë në drejtim të normalizimit të raportit mes dy shteteve.

Së pari, duke konsideruar që vendi më së
shumti ka tendencë që të shkojë në zgjedhje, Vetëvendosje (LVV) pritet të hyjë në këto zgjedhje si e vetme. Në një situatë hipotetike dhe deri diku vështirë të mundur (edhe pse ekziston një sentiment i fuqishëm pro-Vetëvendosje në popull) ku Vetëvendosje fiton, atëherë LVV-së do t’i hapet rruga që të ndjekë një kurs deri diku individualist mbi raportin me Serbinë. Natyrisht, ky kurs do të ndikohej edhe nga inputi i ndërkombëtarëve por që ekziston një ide e qartë që ky proces do të drejtohej nga idetë e kryeministrit aktual z. Albin Kurti. Çështja e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi, edhe sipas deklarimeve të mëhershme të z. Kurti, do të duhej t’i nënshtrohej një procesi me parime të paracaktuara ku ide si sovraniteti shtetëror apo çështja e kufijve nuk do të diskutoheshin në asnjë mënyrë.

Një skenar tjetër që ka edhe një element të realitetit (sepse nuk ka edhe opsione tjera realiste), është që zgjedhjet e radhës në Kosovë të fitohen nga një kombimin mes LDK-së, PDK-së, AAK-së dhe eventualisht edhe Nismës. Në këtë rast, ekzistojnë më shumë kombinime mbi atë se si do të formohej qeveria ose edhe se kush do ta drejtonte qeverinë. Duke patur parasysh këto rrethana, është relevante të mendohet mbi atë se si do të ishte qasja ndaj normalizimit e raportit me Serbinë. Nëse pra supozojmë një koalicion i cili do përfshinte partitë e lartpërmendura, nuk kemi një kuptim të qartë mbi atë  se si do të procedohej lidhur me raportin Kosovë-Serbi sepse nuk është që kemi patur qëndrime nga këto parti mbi mënyrën se si do trajtonin konkretisht çështjen e dialogut. Kjo situatë hipotetike hedh në dyshim nëse do të kemi marrëveshje mes dy shteteve, të asistuar nga faktori ndërkombëtar, apo që vendi do të vazhdojë me bisedime dhe mbi çfarë parimesh apo kushtëzimesh do të ndërtohej një dialog i tillë. Për më tepër, duke patur parasysh ndikimin real të Presidentit Thaçi mbi PDK-në, në një koalicion mes LDK-së dhe PDK-së, Presidenti Thaçi fare lehtë do të mund ta rriste ndikimin në proces duke minuar në një formë kryeministrin e ardhshëm pa marrë parasysh se kush pritet të jetë.

Derisa shteti i Kosovës përballet me një situatë të atillë ku qeveria aktuale tashmë është rrëzuar, në mesin e shumë problemeve, ekzistojnë edhe pikëpyetjet lidhur me atë se si do të procedohet në lidhje me raportin mes Kosovës dhe Serbisë. Ndonëse në këtë fazë çdo gjë mund të konsiderohet si hipotetike, çdo situatë e re në fakt na sjellë shumë pikëpyetje mbi atë se si do jetë qasja ndaj Serbisë dhe kush do përbëjë lidershipin në këtë proces. Varësisht nga formacionet politike të radhës, ekzistojnë mundësi që mund të jenë mjaft ndryshe nga njëra-tjetra por që do të duhej të dërgonin në konkluzione të pranueshme për të gjitha palët e përfshira.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE