Me ‘lotsjellës’ mbi mjegullën rreth dialogut

Njerëzit në Kosovë dhe Serbi mendojnë se shumë kohë u shpenzua për tema kot, dhe duke zgjidhur probleme të cilat kryesisht vetë (liderët) i kishin krijuar, sipas parimit “ejani të krijojmë një krizë, të vogël, më të madhe, apo edhe të tillë që kërcënon me eskalim, dhe kështu e fitojmë vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare, sigurojmë zgjedhësit, e me dashtë zoti edhe naj shpërblim e marrim…”.

0
818

Thënë ndershmërisht, nuk është aspak i domosdoshëm lotsjellësi që të mjegullohet gjithçka rreth dialogut Kosovë – Serbi. Nëse shikojmë prapa, këto vite, gjithçka u zhvillua prapa dyerve të mbyllura, ose, thënë me gjuhë metaforike, nëpër mjegull, ndërkohë që ne po përpiqeshim me e marrë me mend se çfarë flitej aty në të vërtetë, çfarë marrëveshje po zihej pas perdes, aty ku politikanët po merreshin vesh për fatin tonë, ndërkohë që ne, masa, mundoheshim me sy, ose me forcën e mendjes, të kuptojmë se çfarë po ndodhte atje në Olimpin politik të Evropës.

Por, ja, tash kosovarët vendosën që gjithë kësaj mjegulle t’i shtojnë edhe lotsjellësin,  përkatësisht njeriun e mësuar të punojë derisa sytë i lotojnë nga lotsjellësi, nga tymi i bardhë e i sertë, çfarë pak a shumë po përpiqen të na e paraqesin edhe atmosferën e këtyre bisedimeve.

Pra, zgjedhjet e tetorit në Kosovë e dënuan klasën politike e cila u soll me hipokrizi e arrogancë kundrejt dialogut, dhe problemeve të vërteta të qytetarëve. Çfarë ka ndodhur vërtetë prapa perdes? A kishte përparim? A do të ketë paqe dhe marrëveshje?  Përse i humbëm 20 vite që nga lufta për të arritur atë që quhet normalizim i marrëdhënieve?

As që duken kund thërrmijat e ndonjë ndjenje faji te politika serbe, për krimet në Kosovë; nuk flitet as nga ana e politikanëve kosovarë për serbët që pësuan pas lufte në Kosovë; thjesht të gjitha palët bluajnë në të thatë, ndërkohë që shqiptarët nuk i besojnë Serbisë sepse kanë frikë se dikush që e arsyeton krimin mundet edhe me e përsëritë atë, ndërsa serbët nuk i besojnë qeverisë kosovare për arsye se askush deri më sot nuk foli, ashtu siç foli z. Kurti për serbët që pësuan, siç tha ai, për shkak të plaçkës ose të interesave të tjera individuale.

Kështu, herë pas herë deri te ne “rridhnin” fjalë, të folura me qëllim për këtë lojë (ar)miqësie me ndërmjetësim ndërkombëtar. Dialogu paraqitej si luftë e mundimshme, fytafyt, në të cilën asnjëra palë nuk dorëzohet, ku dy palët (dmth zakonisht pala tjetër) shërbehen me metoda apo bëjnë kërkesa joparimore  dhe të pandershme. Në fakt, është mendim i përgjithshëm, së paku në Kosovë, se interesi i tyre i vërtetë ishte kriza e jo marrëveshja.

Eh, çka do të bënte Serbia pa Vučić-in, apo Kosova pa Thaçin, këta dy armiq të cilët pafundësisht (nuk) duhen? Aq shumë nuk durohen sa nuk rrinë dot pa u takuar sa herë u jepet rasti, apo sa here e krijojnë vet rastin, tinëz. Pastaj, kjo fshehtësi e madhe, sipas zakonit, rrjedh përmes mediave të afërta me ta. Kështu, njerëzit në Kosovë dhe Serbi mendojnë se shumë kohë u shpenzua për tema kot, dhe duke zgjidhur probleme të cilat  kryesisht vet i kishin krijuar sipas parimit “ejani të krijojmë një krizë, të vogël, më të madhe, apo edhe të tillë që kërcënon me eskalim, dhe kështu e fitojmë vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare, sigurojmë zgjedhësit, e me dashtë zoti edhe naj shpërblim e marrim, mbase edhe Nobelin”.

Tash, nuk dmth se e kemi zgjidhur problemin, siç nuk e kanë zgjidhur as disa nobelistë konfliktin në mes palestinezëve dhe  izraelitëve, por me rëndësi është se janë angazhuar me gjithë zemër. E merituan Nobelin, e meritojmë edhe ne, do të thoshin njëzëri Vučići dhe Thaçi, të cilët kurrë nuk e lëshojnë rastin të dëshmojnë se nuk duhen, thuajse dikush seriozisht ka shprehur dyshim në dashurinë e tyre.

Në rregull, është e dëshmuar se nuk duhen, dhe nuk kërkohet të duhen, por të dyja palët, madje edhe e treta (bashkësia ndërkombëtare) duhet të respektojnë më shumë njerëzit për të cilët bëhet fjalë, popujt të cilët nuk duhet të ndiejnë frikë apo urrejtje ndaj njëri-tjetrit.

Ndërrimi i qeverisë në Kosovë sjell politikan të ri, përfaqësues të Kosovës në bisedime. Është e vërtetë se serbët, por edhe shqiptarët, atë e identifikojnë me lotsjellësin që hidhej në kuvend, për të penguar politikën e vjetër, kryesisht atë të udhëhequr nga zoti Thaçi, president i republikës së Kosovës, për të cilën dikur pat luftuar si ish-drejtor politik i UÇK-së. Edhe z. Kurti, në fakt, ishte përfaqësues politik i UÇK, dhe atë në Prishtinë, në zyrën e z. Demaçi.

Ajo që bëri që këta të dy të konfrontohen, në jetën politike, është qasja e tyre jo vetëm ndaj dialogut por edhe politikës në përgjithësi. Zoti Kurti pohon se veten e sheh vetëm si shërbyes të qytetarëve, ndërkohë që z. Thaçi nuk është se lavdërohet, e as që është i njohur  për  këtë qasje, përkundrazi emri i tij  është thirrur, nëpër mitingjet e ish-opozitës, i përcjellur me kualifikime për tradhti dhe hajni, apo korrupsion.

Në fund fare, thuhet se vullneti i popullit është edhe i zotit, kështu, qytetarët shqiptarë dhe serbë, nga kjo apo ajo anë, do të gjenden para zgjedhjes se kujt do t’i besojnë më tepër: atij që hidhte lotsjellës apo atyre që shisnin mjegull.