Media mbi heqjen e tarifës 100%

0
66

Nga fillimi i prillit, qeveria në detyrë e hoqi tarifën 100% ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë dhe Hercegovinës, ndërsa filloi ta aplikojë gradualisht masën e reciprocitetit me Serbinë. Vendimi për zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë obligoi si masë të parë që emërtimi i Kosovës në dokumente të përputhet me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Këto dokumente përfshijnë certifikatat fitosanitare dhe veterinare dhe dokumente të tjera ndihmëse për ushqim dhe produkte të tjera me origjinë bimore, joshtazore dhe shtazore, që janë objekt i kontrollit kufitar. Ndërkaq, për Bosnjë dhe Hercegovinën u hoq tarifa 100% pa asnjë shtesë tjetër. Ky vendim shfuqizoi vendimin e qeverisë së kaluar, të drejtuar nga ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, e cila në nëntor të vitit 2018 vendosi tarifën 100% ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës.

Tema e tarifës 100% ishte një ndër temat më të diskutuara për një kohë të gjatë – ajo bile ishte një ndër arsyet kryesore që çuan në rrëzimin e qeverisë 51-ditëshe të Albin Kurtit, si dhe solli edhe vëmendjen dhe intervenimin e Administratës amerikane. Krejt këto kontribuuan që mediat në Kosovë të merreshin në veçanti me të. Megjithatë, pasi tarifa 100% u hoq në fillim të prill, kjo temë duket se ra jashtë fokusit të mediave, qoftë atyre kryesore apo të tjerave.

Për tri ditët e para pas heqjes së taksës, nga Serbia në Kosovë kanë hyrë 160 maune me mallra, shkruan gazeta e Beogradit, Danas. Ajo i referohet një deklarate të zëdhënësit të Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, se masa e reciprocitetit me Serbinë po zbatohej dhe se nuk kishte pasur emërtime jokushtetuese në dokumentet nga Serbia.

Më vonë gjatë muajit, në një intervistë për RTV Dukagjinin, zëdhënësi Stavileci tha se që nga 1 deri me 17 prill, kishte pasur një rritje të importeve nga këto vende por jo në masë shumë të theksuar. Ai tha se “nga ajo periudhë kemi rreth 9 milionë euro importe nga Serbia dhe 660 mijë euro importe nga Bosnja. Nëse krahasohen këto shifra me periudhën paraprake nuk është një import i madh.” Kjo shifër u rrit në 12.4 milionë brenda 10 ditësh.

Në raportin përmbledhës të Doganës së Kosovës për zbatimin e masave të reciprocitetit për periudhën 1 – 26 prill rezulton se në Kosova nga Serbia janë importuar mallra në vlerë prej 12.4 milionë eurosh, prej të cilave 3.5 milionë janë lëndë e parë. Ndërkaq, Kosova ka eksportuar mallra në vlerë prej 0.7 milion euro. Mallrat me vlerën më të lartë të eksportuar në Serbi janë mallra të tjera, manaferra të buta dhe linjit. Siç njoftoi koha.net, kjo ka ndikuar pozitivisht në mbushjen e arkës së shtetit. Sipas raportit, nga 1 deri më 26 prill janë grumbulluar mbi 1 milion euro taksa.

Dogana e Kosovës poashtu deklaroi se kishte bërë plotësimet dhe ndryshimet e nevojshme në sistemet përkatëse, si dhe duke marrë në konsideratë pikat 1.1 dhe 1.2 të vendimit të Qeverisë, të cilat ndërlidhen me dokumentet dhe certifikatat fitosanitare dhe atyre veterinare, kompetencë e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), gjatë zbatimit të vendimit të lartëcekur, i kishte kushtuar ‘rëndësi të veçantë kontrollit të dokumentacionit doganor që përcjellin mallrat me qëllim të sigurimit që emërtimet e përdorura të jenë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.’

“Në të gjitha rastet ku është vërejtur ndonjë emërtim apo denominim provokues mallrat janë kthyer mbrapa në Serbi dhe nuk janë lejuar të importohen dhe të zhdoganohen në Kosovë. Gjatë kësaj periudhe është evidentuar një rast i tillë dhe mauna së bashku me mallrat është kthyer në Serbi”, thuhet në komunikatë.

Sipas raportit, llojet e mallrave të importuara nga Serbia përfshijnë: grurë, misër për farë, miell prej gruri të zakonshëm, ushqime për kafshë, preparate jorefrakatare sipërfaqësore për fasada, mure të brendshme, dysheme, tavane, spango lidhëse apo ambalazhuese, kontejnerë prej alumini, celularë, etj.

Duke iu referuar të njëjtit raport, kallxo.com njofton se ka pasur edhe sfida që janë identifikuar gjatë zbatimit të reciprocitetit. Sipas raportit, gjatë datave 21 dhe 22 prill pala serbe në mënyrë sporadike nuk ka lejuar kalimin e maunave me mallra nga Kosova në Serbi apo edhe atyre të zbrazët përmes PKK-ve në Merdare, Jarinje dhe Bërnjak. Por, sipas tyre, pas reagimit të instancave përkatëse qeveritare pranë BE-së, këto masa janë tërhequr nga pala serbe dhe nuk ka raportime për përsëritjen e tyre.

Në anën tjetër, Radio Evropa e Lirë raportoi se masa e parë e reprocitetit ndaj Serbisë po u shkaktonte probleme tregtarëve serbë në Kosovë që furnizohen nga Serbia. Sava Pereniq, një tregtar nga Graçanica, i kishtë thënë Radion Evropës së Lirë se ishte duke pritur 24 tonë miell nga Vojvodina. Sipas Pereniq, kamionët nuk mund të importojnë mallra në Kosovë pa certifikatë fitosanitare, duke iu referuar një dokumenti që vlen për kompani që kryesisht merren me prodhim të produkteve ushqimore ose me importim të tyre.

“Ne nuk mund të importojmë për momentin, për shkak të kësaj certifikate. Jemi duke pritur të shohim nëse mund të kalojmë kufirin pa të, por, siç duket, kjo nuk mund të ndodhë. Prodhuesi na tha se ai nuk mund të na lëshojë atë certifikatë dhe tani ne jemi duke pritur dërguesin e mallrave për të na njoftuar se si të vazhdojmë”, thotë Pereniq.