Mediat rreth vizitës së Palmerit e Lajčakut në Kosovë

0
17

Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe Zëvendësndihmësi i Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Matthew A. Palmer, qëndruan për dy ditë në Kosovë në fillim të muajit. Mediat raportuan se arsyeja e vizitës ishte përgatitja për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, përkatësisht përgatitja e takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić.

Vizita e përbashkët e Palmerit dhe Lajčakut u cilësua si ‘ndezje e motorëve euro-amerikanë për dialogun’ nga Koha Ditore, e cila raportoi se ky koordinim është mirëpritur nga krerët institucionalë kosovarë. Këtë koordinim ngjashëm e cilësuan edhe analistë të kësaj fushe. 

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Rrahman Paçarizi, analist, tha se deklaratat se koordinimi mes SHBA-së dhe BE-së është i shkëlqyeshëm, japin shpresë për drejtimin që do të marrë dialogu Kosovë-Serbi. Por, ai shtoi se i takon palës kosovare që të këmbëngulë për përfshirje të drejtpërdrejt të SHBA-së në këtë proces, pasi udhëheqja evropiane ka dështuar t’i shtyjë palët t’i respektojnë rezultatet e deritanishme të dialogut. 

Lidhur me takimin që pritet mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vučić, Paçarizi tha se gjykuar nga qëndrimet e fundit të Vučićit kundër pavarësisë dhe të Kurtit për njohje të ndërsjellë, vështirë se mund të ketë një marrëveshje, por sipas tij, është e rëndësishme që të rinisë procesi i dialogut.

“Është normale që Vučić-i të mos deklarohet i gatshëm për të pranuar pavarësinë, pasi që një deklarim i hershëm do të mund ta dëmtonte në planin e brendshëm, pasi do të llogaritej se sikur Vuçiqi është i gatshëm që si president i Serbisë të shkelë Kushtetutën, e cila Kosovën e sheh si pjesë të saj. Të njëjtën situatë e kemi në Kosovë. Nëse të gjithë thirren në Kushtetutë, nuk mund të ketë zgjidhje”, thotë Paçarizi.

Ndërkaq, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në një prononcim për Telegrafin theksoi se kjo vizitë bëri të qartë edhe rikthimin e SHBA-ve në procesin e dialogut.

“Vizita e sotme Matthew Palmer dhe Miroslav Lajçak, përbën një moment pozitiv për zhvillimet në kuadër të procesit të dialogut. Tani kemi edhe rikthimin e SHBA në këtë proces, meqenëse deri më tani SHBA edhe pse ka qenë e përfshirë në proces përmes kontributeve anësore, vizita e tyre së bashku përbënë një mesazh për të gjitha palët e në veçanti për Kosovën, se SHBA do të jetë e përfshirë ndonëse jo në formatin siç e kemi parë më herët përmes të deleguarve të posaçëm apo emisarëve siç ka qenë rasti me Grenellin”, tha Cakolli.

Në ditën e fundit të vizitës së tyre, përmes një cicërrime në Twitter, Lajčak njoftoi se bashkë me Palmerin takuan patriarkun e ri të Kishës Ortodoksë në Serbi, Porfirije. Lajčak njoftoi se me patriarkun Porfirije shkëmbyen pikëpamjet mbi dialogun dhe rajonin. Ky njoftim nxiti reagime të shumta në Kosovë dhe rajon. 

Doktori i shkencave politike, Jasmin Mujanović, reagoi ndaj këtij takimi duke e cilësuar atë si ‘një vendim i tmerrshëm’. Në një cicërrimë në Twitter, Mujanović tha se ky takim ‘është me të vërtetë një vendim i tmerrshëm nga të gjitha palët e përfshira. As BE-ja e as SHBA-ja nuk duhet të përfshihen në punë të promovimit të institucioneve fetare si aktorë politik. Një gjykim jashtëzakonisht i keq nga Lajčak dhe Palmer”. 

Lajčak dhe Palmer vizituan edhe Beogradin ku u takuan me krerët instituticionalë serbë. I pyetuar nga televizioni N1 nëse ekziston një ‘plan B’ apo mundësia për një marrëveshje që nuk përfshin njohjen e ndërsjelltë, Palmer deklaroi se qëllimi përfundimtar i Shteteve të Bashkuara është që të arrihet njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, ai e ka lënë të hapur mundësinë që Uashingtoni të mbështesë edhe modalitete tjera të marrëveshjes gjithëpërfshirëse, nëse për ato pajtohen të dyja palët.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Blerim Çollaku, ish-këshilltar i ish-presidentit, Hashim Thaçi, dukë thënë se çdo epilog tjetër i këtij procesi, përveç me njohje, do të ishte i dëmshëm për Kosovën dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Sipas Çollakut, BE dhe SHBA duan marrëveshje ligjore të obligueshme dhe të pranueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por ata nuk e përcaktojnë përmbajtjen e marrëveshjes. “Prandaj, atyre nuk iu pengon edhe skenari i arritjes së një marrëveshje e cila nuk rezulton me njohje reciproke për aq kohë sa dy palët pajtohen. Por ky opsion është tepër i keq dhe i rrezikshëm për Kosovën. Duke qenë i tillë, nuk duhet të merret në konsideratë fare”,  ka thënë Çollaku.

një intervistë speciale për RTK-në, i pyetur për mundësinë e ndryshimit të kufijve si pjesë e marrëveshjes finale, Palmer tha se pala kosovare ka qenë mjaft e qartë në këtë çështje dhe se nuk mendon se kjo është në agjendë. 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, pritet të takohen gjatë muajit qershor, për të vazhduar procesin e dialogut Kosovë – Serbi, të lehtësuar nga BE. 

SHARE