Momenti për qasje më konsistente në proces të dialogut

Procesi i dialogut është dëshmuar si një proces tejet i komplikuar, i vonuar dhe përgjithësisht i pafrytshëm. Një arsye në këtë drejtim ka qenë qasja jokonsistente e shtetit të Kosovës në këtë drejtim. Megjithatë, ardhja në qeveri e Vetëvendosjes mund të përbëjë një ndryshim kualitativ në këtë proces ku për herë të parë krijohen parakushtet për veprim më sistematik dhe të njëtrajtshëm nga pala kosovare.

0
40

Mund të argumentohet se deri më tani procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë jo vetëm që është vonuar tejmase duke mos prodhuar rezultate të dukshme, por që njëkohësisht është shoqëruar edhe me një lloj mungese të madhe të vazhdimësisë nga ana e shtetit të Kosovës. Kjo mungesë vazhdimësie ka dëmtuar shumë palën kosovare duke mos çuar në realizim të ndonjë objektivi të rëndësishëm në raportet Kosovë – Serbi e veçanërisht duke bërë një përfaqësim joadekuat të Kosovës në këtë proces. Megjithatë, tani me ardhjen e Vetëvendosjes në pushtet, hapet rruga për një qasje më konsistente në këtë proces. Vetëvendosje në këtë moment mund të ofrojë legjitimitet dhe koherencë në proces e po ashtu vepron brenda një momentumi të jashtëzakonshëm dhe këto elemente mund t’i kontribuojnë shumë efektivitetit të palës kosovare në proces të dialogut.

Së pari, ndryshe prej qeverive të mëparshme të Kosovës kemi të bëjmë me një qeveri e cila në terme relative (pra në krahasim me qeveritë tjera) mund të konsiderohet si më stabile. Fakti që Vetëvendosje ka 58 deputetë, ofron një lloj parakushti që për herë të parë pas disa vitesh në Kosovë mund të bëhet fjalë për një qeveri e cila mund të ofrojë më shumë stabilitet dhe po ashtu më shumë jetëgjatësi se që është është krijuar “norma” në Kosovë. Po ashtu, në kuadër të mundësisë për veprim më të njëtrajtshëm e konsistent, një qeveri potenciale e cila nuk ka për koalicion një grupim të rëndësishëm politik i ofron Vetëvendosjes mundësinë që të krijojë më shumë uniformitet në qasjen e përzgjedhur në proces të dialogut pa patur ndërhyrje relevante nga mekanizma tjerë. Ky element është i rëndësishëm sepse nevoja për kompromis mes grupimeve partiake do të mund të komplikonte më tutje ato që mund t’i konsiderojmë priroritete shtetërorë në raport me dialogun.

Një element tjetër që pritet t’i kontribuojë një qasjeje më konsistente në proces të dialogut është që ky proces për herë të parë pritet të udhëhiqet jo vetëm nga një grupim i fortë politik por edhe nga një figurë politike që gëzon legjitimitet të lartë në popull dhe kjo mund të kontribuojë pozitivisht në konsistencën ose njëtrajtshmërinë e shtetit të Kosovës në proces të dialogut. Kjo meriton vëmendje sepse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka si kundërshtar në këtë proces presidentin e Serbisë, Aleksandar Vučić, që konsiderohet si një lider tejet popullor në vendin e tij. Në këtë mënyrë, ndonëse procese të tilla si marrëveshjet ndërshtetërore nuk kanë një element të theksuar demokratik ku do të kërkohej miratimi popullor, përfaqësimi i shtetit nga një figurë që është gjerësisht e pranuar në procese të tilla në mënyrë indirekte rrit legjitimitetin e zgjidhjeve të ofruara nga ky lider.

Duhet patur parasysh që argumenti i radhës për një mundësi për veprim më konsistent në procesin e dialogut është edhe ekzistenca e një momentumi të përgjithshëm për shtetin e Kosovës –  një momentum i paparë deri më tani. Kur themi momentum kuptojmë që ekziston një ambient i përgjithshëm politik i cili ofron parakushte më të mira për veprim më sistematik në raport me dialogun. Siç u theksua, Kosova deri më tani është karakterizuar me qeveri jostabile dhe një mungesë totale të konsistencës në veprime, pjesërisht edhe si pasojë e një lidershipi tërësisht jokonsistent në këtë proces, por që tani kjo ndryshon me Vetëvendosjen. Po ashtu, tani ekziston edhe një vullnet i qartë nga ana e SHBA-së (sidomos me ardhjen e Presidentit Biden) dhe Bashkimit Evropian që një zgjidhje të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë në këtë proces. Duhet patur parasysh që një momentum i tillë mund edhe të mos përsëritet lehtë dhe që kjo situatë duhet përdorur në dobi të arritjes së një zgjidhjeje.

Procesi i dialogut është dëshmuar si një proces tejet i komplikuar, i vonuar dhe përgjithësisht i pafrytshëm. Një arsye në këtë drejtim ka qenë qasja jokonsistente e shtetit të Kosovës në këtë drejtim. Megjithatë, ardhja në qeveri e Vetëvendosjes mund të përbëjë një ndryshim kualitativ në këtë proces ku për herë të parë krijohen parakushtet për veprim më sistematik dhe të njëtrajtshëm nga pala kosovare. Kjo natyrisht vjen në masë të madhe nga legjitimiteti i perceptuar si i lartë i qeverisë Kurti dhe ky legjitimitet pritet të jetë pozitiv në arritjen e një zgjidhjeje jo vetëm më të shpejtuar por edhe më efektive në raport me procesin e dialogut.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE