Pakicat etnike në Serbi e Kosovë si ura lidhëse

Me një qasje dhe mendësi të civilizuar dhe integruese, pikërisht pakicat etnike në shtetet respektive — ajo shqiptare në Serbi dhe ajo serbe në Kosovë — do të mund të luanin rolin e urave lidhëse dhe të mirëkuptimit për paqe të qëndrueshme aq shumë të nevojshme për të dyja vendet.

0
59

Shkruan nergut për New Perspektiva: Arben Hajrullahu

Krijimi i kombeve në Ballkan shpërfaq ideologjikisht një kombinim me elemente të botëkuptimit francez (kombit shtetëror) dhe atij gjerman (kombit kulturor) për shtetin, pra një përzierje të idesë franceze të shtetit nacional dhe kombit kulturor gjerman sipas Johann G. von Herder. Ky kombinim në këtë pjesë të Evropës ende vazhdon të ushqejë antagonizmat në rrafshin e krijimit dhe konsolidimit të shteteve e të identiteteve përkatëse kombëtare, të cilat janë të përcjellura me përçarje mes atyre „të lidhur me tokën e atdheut” dhe tek-tuk ndonjë „kozmopoliti”. 

Kur në vitin 1989 regjimet komuniste në Evropën Lindore dhe Juglindore gjendeshin në fund të „procesit vetëshkatërrimtar”, demokracitë evroperëndimore ishin të befasuara nga kjo kthesë e beftë dhe e papritur dhe aq më pak të përgatitura për veprime të shpejta. Me kalimin e kohës, shumë vende ish-komuniste arritën suksesshëm realizimin e reformave politike e ekonomike të cilat edhe shpien në anëtarësime si në Bashkim Evropian e NATO. Përkundrazi, për më shumë se tri dekada pas cezurës së vititi 1989, marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës, dy ish-njësi federative jugosllave, vazhdojnë të zotërohen nga një gjendje e turbullt e cila tani i ngjason një përzgjatjeje të një lloji të veçantë të një ,,Lufte të Ftohtë”. Në të dy vendet, konsolidimi strukturor (kushtetuta, organizimi i shtetit), ai reprezentativ (partitë, shoqatat), si dhe procesi afatgjatë i konsolidimit civilo-kulturor vazhdojnë të ngelin nën hijen e mosnjohjes së ndërsjellë dhe marrëdhënieve të tendosura fqinjësore. Kështu, Kosova, e përmes kësaj në mënyrë implicite edhe vet Serbia, mbetën edhe më tej në një paqartësi rreth së ardhmes së tyre si shtete që një ditë aspirojnë finalitetin post-komunist përmes anëtarësimit vetanak edhe në Bashkimin Evropian. Në këtë vorbull, testet lakmus të (mos)konsolidimit demokratik në të dy vendet shpërfaqet të jenë pakicat etnike në shtetet respektive, ajo shqiptare në Serbi, dhe ajo serbe në Kosovë.

Përderisa në Kosovë, në rastin e komuniteteve pakicë në përgjithësi, e posaçërisht atij serb në veçanti, është aplikuar një inxhiniering politiko-juridik i pashembullt në Evropë e përtej (p.sh. vendet e garantuara në parlament, shumica e dyfishtë përkitazi me vendime kyçe si dhe të drejta gjithëpërfshirëse), në Serbi vazhdon të mbetet i pamohueshëm fakti se qeveritë serbe edhe pas rrëzimit të regjimit të Slobodan Milošević-it nuk janë distancuar deri më sot nga politika serbomadhe, së fundi e shpërfaqur nën petkun e të ashtuquajturës ,,Bota Serbe”. Njëkohësisht, një shumicë dërrmuese e serbëve, bashkë me udhëheqësitë e tyre politike, vazhdojnë me mitet për dhe përreth Kosovës, sipas të cilave „të tjerët” kanë shkaktuar padrejtësi dhe kështu vazhdojnë kultivimin e vetpërfytyrimit se serbët gjithandej janë viktima të së kaluarës dhe të tashmes. Politika të këtilla të prekura nga sindromi i pseudologia fantastica, e të përcjellura nga mendësi tradicionale mitike ballkanase, vazhdojnë të pamundësojnë integrimin dhe trajtimin e barabartë të shqiptarëve etnik, gjeografikisht të koncentruar në tri komunat jugore në Serbi, Preshevë, Bujanoc e Medvexhë.

Tanimë për më shumë se një dekadë, Serbia dhe Kosova negociojnë e bisedojnë në Bruksel për të ardhmen e marrëdhënieve mes veti. Me një qasje dhe mendësi të civilizuar dhe integruese, pikërisht pakicat etnike në shtetet respektive, ajo shqiptare në Serbi dhe ajo serbe në Kosovë, do të mund të luanin rolin e urave lidhëse dhe të mirëkuptimit për paqe të qëndrueshme aq shumë të nevojshme për të dyja vendet. Që kjo të mund të ndodhë, palët negociuese do të duhej të mos harronin se krahas parimit të sovranitetit ndërvarësia mes shoqërive është tipari kyç i sistemit modern ndërkombëtar dhe kohës në të cilën jetojmë.

Përvoja dëshmon gjithandej që vetëm demokracia konsociacionale nuk mjafton, e aq më pak garanton dhe rezulton me shoqëri të integruara. Në fakt, në rastin e Kosovës, partia ,,Lista Serbe” ilustron se si, në kundërshtim me filozofinë demokratike konsociacionale të kooperimit të elitave, aplikohet suksesshëm formula etnike divide et impera dhe përmes saj ndahet pushteti dhe arrihet dominanca mbi klientelën përkatëse etnike. Në fund të fundit, vetëm një kulturë politike ku është i pranishëm vullneti për barazi, ku shumica heq dorë nga dominimi mbi pakicën dhe, në kuptimin e modelit të dialogut mbi bazën e njohjes, shumica i del pakicës përballë jo si superiore po si e barabartë mund të ofrojë suksesin e një sistemi demokratik konsociacional. Pyetja është se sa janë Serbia dhe Kosova të pjekura politikisht dhe kulturalisht që në njërën anë të jetësojnë shtete dhe shoqëri në të cilat dominon vullneti për barazi mes shumicave dhe pakicave etnike në vendet respektive dhe, në anën tjetër, që përmes dialogut mbi bazën e njohjes së ndërsjellë si të barabartë të arrijnë paqe mes veti? 

Posaçërisht marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës karakterizohen nga një moral i dyfishtë, fenomen i cili karakterizon edhe shumë lëvizje nacionaliste gjithandej nëpër botë. Kështu, në rastin konkret, të drejtat që kërkohen për serbët në Kosovë u mohohen shqiptarëve që jetojnë në Serbi siç është rasti p. sh. me vetëqeverisjen në nivel komunal e të drejtat në përfaqësim proporcional në vendimmarrje dhe punësim. Një qasje reciproke e balancuar do të mund të ofronte mundësi forcimi e afrimi, e jo dobësimi e ndarje, mes njerëzve dhe raporteve ndërshtetërore si në marrëdhëniet mes Serbisë e Kosovës ashtu edhe në Ballkan e përtej në përgjithësi. Kështu, edhe Serbia edhe Kosova do të duhej që të vendosnin interesin e njerëzve përpara çështjeve territoriale e atyre se cila palë arrinë të demonstrojë më shumë dominancë kundruall palës tjetër.

Duke i dhënë përparësi çështjeve thelbësore në marrëdhëniet e tendosura mes Serbisë dhe Kosovës, siç janë drejtësia tranzicionale, zbardhja e fatit të personave të pagjetur, mundësimin e drejtësisë për të mbijetuarit e dhunës seksuale, respektimit të të drejtave pronësore dhe kulturore, si dhe pranimit të parimit bazë të reciprocitetit përkitazi me të drejtat e komunitetit serb në Kosovë dhe atij shqiptar në Serbi, do të mund të hapej rruga e pakthim drejt krijimit të një paqeje të qëndrueshme mes dy vendeve, që është njëkohësisht edhe parakusht për tejkalimin e trashëgimisë totalitare e të dhunshme drejt një finaliteti të synuar evropian. Si parim bazë për të udhëzuar më tej marrëveshjet e dialogut mes Kosovës e Serbisë, duhet të ketë reciprocitet mes të drejtave për serbët në Kosovë dhe shqiptarëve në Serbi. Kjo siguron edhe normalizimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve si dhe rrit në mënyrë të njëtrajtëshme e reciproke të drejtat për komunitetet joshumicë në të dy vendet gjegjëse.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ishte menduar si një qasje shtesë për të arritur normalizimin mes dy vendeve, mirëpo ai ka ngecur kryesisht për shkak të shmangies së çështjes thelbësore, mosnjohjes reciproke mes Serbisë dhe Kosovës. Vetëm normalizimi i marrëdhënieve midis partnerëve të barabartë duke vendosur fatin e njerëzve në radhë të parë do të mund të shpie në një normalizim të qëndrueshëm paqësor në marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë. Palët duhet të jenë të gatshme të punojnë në drejtim të njohjes së ndërsjellë duke forcuar komunitetet pakicë në vendet e tyre si ura lidhëse. Kështu, edhe Serbia edhe Kosova nuk duhet marrë për bazë modelet e nacionalizmave përçarës, por ato integruese të cilat kanë për bazë vullnetin dhe kulturën politike për barazi duke demonstruar që shumica heq dorë nga dominimi mbi pakicën dhe, në kuptimin e modelit të dialogut mbi bazën e njohjes, shumica i del përballë pakicës jo si superiore po si e barabartë. E për t’u arritur kjo edhe Bashkimi Evropian, në cilësinë e lehtësuesit të dialogut, duhet ndihmuar më me vendosmëri Serbinë, duke folur që të gjithë me një zë të qartë e jo shumëkuptimor sidomos në çështjen e njohjes së sovranitetit, të drejtës për të ekzistuar, të Kosovës.

Për autorin: Dr. Arben Hajrullahu është profesor i shkencës politike në Universitetin e Prishtinës dhe Udhëheqës i Qendrës për Kurajo Politike (CPC). Ai mund të kontaktohet në: arben.hajrullahu@uni-pr.edu  apo Twitter: @ArbenHajrullahu

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE