Për (mos)marrëveshjen

Tema e cila momentalisht po përshkon të gjitha mjediset në Kosovë është Marrëveshja e Brukselit, që edhe për serbët edhe për shqiptarët është diçka për të cilën shumë vështirë flitet dhe shumë më vështirë kuptohet. Arsyeja e tërë kësaj është se për të dihet shumë pak, e edhe ajo çka dihet është e shtrembëruar dhe e vendosur për së prapthi.

0
552

Tema e cila momentalisht po përshkon të gjitha mjediset në Kosovë është Marrëveshja e Brukselit, që edhe për serbët edhe për shqiptarët është diçka për të cilën shumë vështirë flitet dhe shumë më vështirë kuptohet. Arsyeja e tërë kësaj është se për të dihet shumë pak, e edhe ajo çka dihet është e shtrembëruar dhe e vendosur për së prapthi.

Janë të paktë ata që i dinë të gjitha për këtë Marrëveshje dhe ato hollësi i ndajnë me popullin në masën më të vogël të mundur, sikur kjo ka të bëjë me dikë krejt tjetër e jo pikërisht me këtë popull që jeton në Kosovë. Cilido njeri normal do të konkludonte menjëherë që këtu diçka po fshihet dhe po i paraqitet popullit të Kosovës në një mënyrë në të cilën nuk do të shkaktojë mospajtime dhe trazira. Kur e them këtë mendoj se disa detaje të Marrëveshjes së përmendur nuk do t’i pëlqejnë fare popullit shqiptar e disa sosh popullit serb në Kosovë. Derisa shqiptarët presin që më në fund me ndihmën e Bashkimit Evropian të vendoset sovraniteti i plotë në tërë territorin e shtetit, duke llogaritur këtu gjithsesi veriun e Kosovës, në anën tjetër serbët presin që në këtë mënyrë Republika e Serbisë do të jetë e pranishme në Kosovë në masë më të madhe se sa ka qenë deri tani, që është plotësisht joreale dhe praktikisht e pamundur. Megjithëkëtë, as njëra e as tjetra palë, sipas të gjitha gjasave, nuk do të marrin atë që e presin sepse kërkesat as të njërës e as të tjetrës palë nuk janë marrë si bazë për fillimin e negociatave para disa viteve, por si bazë është marrë nevoja që të shkohet kah normalizimi i marrëdhënieve në relacionin Beograd–Prishtinë që në atë moment ishte më se i nevojshëm sepse atëbotë ato marrëdhenie kishin arritur pikën e vlimit (me këtë mendoj në barrikadat në veri të Kosovës).

Edhepse me profesion jam profesor i historisë dhe ndoshta do të duhej të merresha ekskluzivisht me ato tema, njerëzia nuk më lë që të mbyll sytë dhe të hesht. Si historian e di që ky nuk është rast i veçantë por as një praktikë e zakonshme dhe mendimi im personal është që në periudhën e ardhshme edhe para serbëve edhe para shqiptarëve do të paraqitet kërkesa që të heqin dorë nga një pjesë e pretendimeve të tyre, si në planin territorial ashtu edhe në atë diplomatik. Sinqerisht shpresoj që edhe tek njëra edhe tek tjetra palë ekziston ajo shtresë e njerëzve qëllimi i të cilëve është pajtimi përfundimtar dhe normalizimi i marrëdhënieve midis këtyre dy strukturave etnike në Kosovë sepse duhet t’i japim fund praktikës së deritashme; shtresës së tillë të njerëzve i përkas edhe vetë, por me sa po shoh çdo ditë jemi megjithatë pakicë si te njëra ashtu edhe te tjetra palë. Atyre u bie që me diturinë dhe përvojën që kanë të kontribuojnë që propozimet që gjenden para palëve negociuese në Bruksel të kuptohen në mënyrë të duhur dhe që me propozime adekuate konstruktive të kontribuojnë që të dy palët të kuptojnë rëndësinë e vërtetë të kësaj Marrëveshjeje. Natyrisht, është e pamundur të gjendet një kompromis i plotë përkitazi me disa çështje, por është gjithsesi e mundshme që disa çështje të zgjidhen në mënyrë më të mirë gjë që për fat të keq nuk ka qenë kështu deri tani. Ka shumë shembuj në botë se si mund të zgjidhen disa ”kapituj” por edhe në njërën edhe në anën tjetër nganjëherë janë të ulur njerëz që sipas mendimit tim janë të painteresuar që të zgjidhin këtë në një mënyrë më të lehtë dhe më të thjeshtë. E për shkak të të gjithë kësaj, populli i Kosovës po duron; serbët tashmë kanë filluar të ndjejnë pasojat e zgjidhjeve të këqija derisa shqiptarët do ta hetojnë këtë në të ardhmen. Thjesht duhet ngritur zëri dhe të thuhet që KJO KËSHTU NUK BËN.

Me Marrëveshje është paraparë formimi i Bashkësisë së komunave serbe e cila si e tillë, me statutin e saj, duhet të paraqesë një faktor të caktuar politik dhe juridik në territorin e Republikës së Kosovës. Nga përditshmëria po vërej që ajo është njëri nga gurët më të mëdhenj në të cilin po merret në thua. Për mua personalisht kjo është plotësisht e pakuptueshme për arsye se kjo është një prej rrugëve më të sigurta që të kënaqen kërkesat edhe të njërës edhe të palës tjetër. Derisa serbët do të merrnin një lloj autonomie (në dukje) në marrjen e vendimeve dhe në veprim politik në territorin e Kosovës, në të njëjtën kohë edhe shqiptarët do t’i përmbushnin qëllimet politike e në një mënyrë edhe qëllimet territoriale sepse edhe statuti i lartpërmendur si dhe e tërë administrata do të duhej të harmonizoheshin me ligjet e Kosovës. Dhe siç thotë një fjalë e urtë popullore EDHE UJKU I NGOPUR, EDHE DELET NË NUMËR.

Hapat e ardhshëm të Beogradit dhe Prishtinës do të tregojnë se sa ka sinqeritet në këtë proces dhe në vepër do të dëshmohet pjekuria politike dhe diplomatike edhe e njërës edhe e palës tjetër e me këtë do të shihet edhe se çfarë ardhmërie na pret. Sinqerisht mendoj se prapëseprapë ardhmërinë e kemi të përbashkët. Në fund, që të mos e zgjas, mendoj se për fatin tonë vendosin njerëzit që nuk flasin as gjuhën shqipe e as atë serbe.

SHARE