Përmbledhje komentesh rreth aktakuzës ndaj presidentit Thaçi 

0
82

Rrugës për në Uashington, për të marrë pjesë në takimin e planifikuar të nivelit më  të lartë Kosovë-Serbi, presidenti Hashim Thaçi mori lajmin se Zyra e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë, kishte paraqitur për shqyrtim në Dhomat e Specializuara një aktakuzë e cila ngarkon atë, bashkë me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, dhe persona “të tjerë” me krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasje, zhdukje me forcë, persekutim dhe torturim të viktimave shqiptarë, serbë e romë.

Disa ditë më vonë, presidenti Thaçi iu drejtua qytetarëve me një fjalim duke thënë se do ta braktisë pozitën e kreut të shtetit në rast se konfirmohet aktakuza që e bën përgjegjës për krime lufte. Ai i quajti false akuzat, prej të cilave tha se, bashkë me Veselin, do të dalin të pafajshëm. Presidenti Thaçi më tutje deklaroi se “asnjë qëllim i mirë dhe asnjë vullnet i madh për drejtësi, nuk e arsyeton fabrikimin e një bombe mediatike për të inkriminuar të parin e shtetit të Kosovës, pikërisht në momentin kur dialogu me Serbinë kishte hyrë në një fazë të re falë angazhimit të drejtpërdrejtë të Shtëpisë së Bardhë”.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, tha se dyshimet e ngritura nga Zyra e Prokurorit Special janë plotësisht të pavërteta dhe nuk qëndrojnë. Veseli shprehu dyshime rreth motiveve të prokurorit. “Duke pasur parasysh kohën dhe rrethanat, pak ditë para takimit në Shtëpinë e Bardhë, me të drejtë janë ngritur dyshime se kjo është rastësi. Asnjë prokuror, asnjëherë nuk do të duhej të lejonte që vendimet e tij të udhëhiqen nga motive politike. Me këtë qasje, Prokurori ka paralajmëruar rrugën që ai pretendon ta ndjekë për ta ushtruar të gjithë pushtetin e tij”, tha Veseli.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, e quajti lajm të mirë njoftimin mbi aktakuzën ndaj presidentit Thaçi por tha se duhet treguar vetëpërmbajtje. “E dimë se ka pasur krime të tmerrshme ndaj serbëve dhe është mirë që për ta ekziston drejtësia. Por në çdo gjë tjetër duhet të tregojmë vetëpërmbajtje dhe me atë vetëpërmbajtje mbrojmë popullin serb në Kosovë prej çfarëdo dhune, incidentesh e sulmesh. Sepse, lehtë e kemi ne në Beograd, por vështirë ata në Shtërpcë dhe në vende tjera”, tha Vučić.

Publikimi i aktakuzës së Prokurorisë Speciale ndaj presidentit Thaçi ka qenë një gjë “e pritshme dhe e papritshme”, vlerëson analisti nga Berlini, Bodo Weber, dhe shton se të gjitha përpjekjet e Thaçit për marrëveshjen për shkëmbimin e territoreve me Serbinë, tash e tre vjet, “kanë qenë treguesi më i mirë se ai do të akuzohej”. Weber i tha Radios Evropa e Lirë se vendimi i Prokurorisë Speciale për të publikuar aktakuzën kishte lidhje me takimin e planifikuar në Uashington, midis përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, më 27 qershor.

Në anën tjetër, Daniel Serwer, ekspert amerikan për Ballkanin, thotë se Beogradi do të jetë i kënaqur me këtë aktakuzë për shkak se ka kërkuar drejtësi për krimet kundër serbëve pas përfundimit të luftës dhe për shkak se kjo do t’i japë Serbisë përparësi në negociata me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara. “Beogradi mund të përpiqet të rihapë çështjen e kompromisit territorial me Kosovën, duke pretenduar se aktakuza dëshmon se nga serbët nuk duhet të pritet që të jetojnë në një vend të dominuar nga armiq kriminelë… Pra, aktakuza nuk është vetëm çështje personale për Thaçin e Veselin, por është edhe institucionale dhe ndërkombëtare. Kosova është në telashe”, thotë Serwer.

Gazetari i Economist-it britanik dhe eksperti për Ballkan, Tim Judah, tha se nëse aktakuza ndaj Thaçit konfirmohet dhe ai jep dorëheqje, siç ka paralajmëruar, dialogu mes Serbisë dhe Kosovës do të dobësohet, pasi duhet që të dyja palët të jenë njësoj të fuqishme. “Zoti Vučić, i cili së voni mori konfirmimin e fuqisë së tij politike, aktualisht nuk ka partner të barabartë me të cilin mund të bisedojë. Supozoj se zoti Thaçi nuk do t’i prijë dialogut por nuk është kredibile që zoti Vučić të negociojë me zotin Hoti, kryeministrin. Duhet nga të dyja anët të keni njerëz të rangut dhe statusit të njëjtë”, thotë Judah.

Florian Bieber, profesor i Universitetit në Graz, tha se dialogu Serbi-Kosovë është në kaos. ‘Njëri bashkëbisedues kyç pritet të akuzohet për krime lufte (për t’u konfirmuar nga gjykata), tjetri autokrat që sundon pa opozitë. Kushdo që mendon se një zgjidhje e qëndrueshme mund të gjendet me këta partnerë është seriozisht në deluzion’, shkruan Bieber në Twitter.

Amy Mackinnon shkruan në Foreign Policy se dështimi i bisedimeve të udhëhequra nga SHBA ka të ngjarë që i ka lehtësuar vëzhguesit në të dyja anët a Atlantikut për shkak të frikës se takimi në Uashington mund të bënte më shumë dëm se sa mirë. Presidenti amerikan, Donald Trump, ishte i interesuar të forconte imazhin e tij si ‘deal-maker’ (ndërmjetës i suksesshëm) duke ndërmjetësuar një marrëveshje të nxituar me çdo kusht.

Në një shkrim për New Perspektivën, Eric Gordy, profesor në London University College, tha se pas publikimit të aktakuzës ndaj Thaçit, takimi në Uashington nuk u zhvillua dhe “iniciativa amerikane për t’i detyruar palët për një zgjidhje mori fund”. “Si rrjedhojë”, thotë Gordy, “inciativa për negociata është kthyer në duart e BE-së, e cila me gjithë problemet e saj ka më shumë gjasa të angazhohet në konsultime të gjëra dhe të negociojë një marrëveshje të qëndrueshme sesa që ka pasur Trump-i ndonjëherë, por kjo do të ndodhë ngadalë”.