“Lini ju amerikanët, gjermanët… Çfarë të bëjmë me serbët?”

Përmbledhje reagimesh ndaj deklaratës së ministrit të jashtëm të Serbisë lidhur me krimet e luftës.

0
84

“Lini ju amerikanët, gjermanët, turqit dhe gjithë të tjerët. Çfarë të bëjmë me serbët të cilët flasin budallallëqe të ndryshme, iu tregojnë shqiptarëve dhe kroatëve se ku janë të varrosur shqiptarët në gjithë Serbinë”. Këto fjalë të Ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Dačić, në një intervistë për një televizion serb (01h28m10s – 01h28m30s) në fund të muajit të kaluar, u interpretuan gjerësisht si kërcënim ndaj atyre serbëve që mund të dinë diçka për fatin e kosovarëve të zhdukur gjatë luftës.

Deklarata e tij erdhi pas marrëveshjes së nënshkruar më 4 shtator, 2020, në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington, ku një nga zotimet e palëve ka të bëjë me intensifikimin e përpjekjeve të Kosovës dhe Serbisë për gjetjen e personave të zhdukur gjatë luftës.

“Të dyja palët zotohen të përshpejtojnë përpjekjet që të lokalizojnë dhe identifikojnë mbetjet e personave të humbur. Të dyja palët angazhohen që të identifikojnë dhe implementojnë zgjidhje të gjata dhe të qëndrueshme për refugjatët dhe personat e zhvendosur brenda vendit. Të dyja palët angazhohen që të përcaktojnë një pikë kontakti, që do t’i udhëheqë këto përpjekje brenda ministrive të tyre respektive dhe do t’i koordinojë këto përpjekje mes Beogradit dhe Prishtinës, si dhe do t’i përditësojë të dhënat për numrin e rasteve të zgjidhura dhe ato që janë në proces, çdo vit”, thotë pika 12 e marrëveshjes së Uashingtonit.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, tha se Dačić me këtë veprim ka shkelur marrëveshjen e Uashingtonit. “Mënyra se si e kupton Dačić marrëveshjen e Uashingtonit është që t’i kërcënojë publikisht të gjithë ata që ndihmojnë në përshpejtimin e përpjekjeve për të gjetur/identifikuar mbetjet e personave të zhdukur. Pikërisht brenda 1 muaji pas nënshkrimit nga [presidenti, Akesandar] Vučić, Serbia e vërteton rekordin e saj të gjatë të mosbesueshmërisë! Turp,” tha Haradinaj-Stublla përmes një postimi në Twitter.

Qeveria e Kosovës tha se zyrtarë të lartë të Serbisë vazhdojnë të shfaqin mungesë të thellë respekti për viktimat e luftës së fundit në Kosovë. “Këto deklarata skandaloze, përveç që fyejnë rëndë të gjitha viktimat e krimeve serbe, dëshmojnë para botës se Beogradi zyrtar, gjatë gjithë këtyre viteve, qëllimisht dhe vetëdijshëm i ka mbuluar gjurmët e krimit, duke e mbajtur fshehur vendndodhjen e varrezave masive, në të cilat kanë përfunduar qindra-mijëra civilë të pafajshëm”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kosovës.

Ndërkaq, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në Twitter tha se deklaratat e disa zyrtarëve serbë ndaj viktimave civile të luftës “e dëmtojnë dialogun” dhe “i minojnë përpjekjet e përbashkëta për pajtim”. “Deklaratat fyese të Dačićit dhe Vulinit ndaj viktimave civile të luftës, të vrarë nga regjimi i (Slobodan) Miloshevićit, janë dëshmi se Serbia ende nuk ka ndryshuar politikën e saj fashiste ndaj Kosovës”, ka shkruar Thaçi në Twitter.

Deklarata e ministrit Dačić ka si qëllim frikësimin e atyre që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, thonë organizatat kosovare që merren me fatin e personave të pagjetur. Kushtrim Koliqi, drejtues i organizatës “Integra”, i tha Radios Evropa e Lirë se “kjo më të vërtetë është brengosëse sepse [Dačić] në mënyrë të drejtpërdrejt ju është kërcënuar të gjithë njerëzve që në Serbi, në një formë apo tjetër, mund të ndihmojnë në ballafaqim me të kaluarën, mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur”.

Reagime pati edhe shoqata “Thirrjet e nënave”. Kryetarja e kësaj shoqate, Nysrete Kumnova, në një konference për media, tha se deklarata publike e Dačićit “duke i kërcënuar serbet të cilët po i tregojnë krimet serbe kundër shqiptarëve dhe vendet ku ndodhën varrezat masive, në fakt ku janë varrosur shqiptaret nga ushtria serbe, duhet të jetë edhe leksioni i fundit për pushtetarët tanë dhe të gjitha instancat ndërkombëtare“.

Nga ana e tij, Bashkimi Evropian tha se pret nga liderët e Ballkanit Perëndimor, që aspirojnë hyrjen në BE, që “të përmbushin obligimet e tyre për të forcuar raportet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal”. “Këto janë vlera të cilat i mbron dhe avancon BE-ja. Liderët politikë duhet vërtetë të jenë shembull duke zgjedhur që të punojnë së bashku, të promovojnë bashkëpunimin dhe klimën e besimit të ndërsjellë, respektit dhe mirëkuptimit, e jo të japin deklarata që shkojnë në të kundërtën”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

“Vetëm t’i dënosh ‘deklaratat që nuk shkojnë drejt pajtimit dhe fqinjësisë së mirë” nuk mjafton”, thotë korrespondenti i Kohës Ditore në Bruksel, Augustin Palokaj. “Krimet ndaj civilëve shqiptarë u bënë me qëllim, kufomat u bartën dhe u varrosën në Serbi në varreza masive me qëllim për t’i fshehur gjurmët e krimeve, ndërsa edhe kërcënimet për ata që tregojnë ku janë ato varre janë bërë me qëllim. Prandaj, kjo kërkon një përgjigje më të prerë”, shkruan Palokaj në një vështrim me titullin “Nuk duhet të ketë kompromis për çështje të krimeve të luftës”.

SHARE