Politika e shtyrjes në Kosovë dhe Serbi

Interesat politike shtetërore dhe personale shpesh vihen para interesave të njerëzve të zakonshëm, dhe zbatimi i marrëveshjeve që do të kishin efekt pozitiv në jetën e tyre shtyhet me qëllim të pritjes së kushteve më të mira politike për të shënuar sa më shumë pikë politike.

0
92

Bona fide, ose “me mirëbesim”, është një term që shpesh e dëgjojmë në lidhje me dialogun e Brukselit. Zyrtarët e BE-së, si dhe përfaqësuesit e Serbisë dhe të Kosovës thonë se të dy palët duhet të angazhohen në normalizimin e marrëdhënieve të tyre në mirëbesim, domethënë: me qëllime të sinqerta, me ndershmëri. Marrëveshjet e arritura gjithashtu duhet të zbatohen në të njëjtën mënyrë. Sidoqoftë, dialogu i Brukselit gjithmonë duket se na çon një hap para e dy hapa mbrapa. Sa herë që ka një fije shpresë që marrëveshjet thelbësore, siç është krijimi i Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, do të realizohen, pengesat duket sikur mbijnë nga toka dhe e shtyjnë atë, ose e vënë në dyshim plotësisht. Pengesa të tilla janë zgjedhjet e parakohshme, bojkotimet e qeverisë, vendosja e taksës 100% – vetëm për të përmendur disa. Bona fide është një shënjues bosh që duhet të nënkuptojë gjithçka për dialog, por në thelb nuk do të thotë asgjë.

Që nga fillimi i dialogut në Bruksel në vitin 2011, janë zhvilluar tri palë zgjedhje parlamentare në Serbi (2012, 2014 dhe 2016), dhe të rradhës janë në prag (fillimi i vitit 2020). Kjo do të thotë që për një periudhë nëntë vjeçare, zgjedhje janë mbajtur mesatarisht çdo dy vjet e tre muaj, edhe pse mandati i qeverisë zgjat katër vjet. Dy nga këto (2014 dhe 2016) ishin zgjedhje të parakohshme. Në Kosovë, situata është mjaft e ngjashme: që nga viti 2011, zgjedhjet parlamentare janë mbajtur tri herë (2014, 2017 dhe 2019), dhe të gjitha kanë qenë zgjedhje të parakohshme. Në fakt, asnjë qeveri nuk ka kryer mandatin katër vjet të plota që kur Kosova shpalli pavarësinë. Në vend se të pyesim pse dështojnë koalicionet, që në shumicën e rasteve nuk kërkon shumë zgjuarsi, mund të jetë e dobishme t’i shikojmë zgjedhjet e parakohshme si një mjet politik që përdoret kur duhet të zbatohen marrëveshje “të papërshtatshme”, ose politikisht të ndjeshme. Mund të mos jetë fjala se koalicioni kishte mosmarrëveshje të brendshme, por që zgjedhjet e parakohshme janë identifikuar nga koalicioni si zgjedhje e qëlluar strategjike në një situatë ku nuk ka vullnet për të zbatuar marrëveshje jopopullore.

Le të shohim, për shembull, zgjedhjet serbe në 2016 dhe zgjedhjet kosovare në 2017. Këto zgjedhje përkojnë me një ngecje në dialogun e Brukselit, veçanërisht lidhur me zbatimin e marrëveshjes më të rëndësishme për Asociacionin/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe. Meqenëse Gjykata Kushtetuese e Kosovës mori vendim në fund të vitit 2015 se Asociacioni/Bashkësia nuk mund të zbatohet në bazë të marrëveshjes së arritur në gusht 2015, ngecja që rezultoi u justifikua dhe madje u zgjat nga zgjedhjet që pasuan në të dy kontekstet. Sidomos pasi Haradinaj mori detyrën në shtator, 2017, dhe mori një qëndrim më të ashpër ndaj negociatave me Beogradin, pasuan masa tjera të shtyrjes, siç është futja e taksës 100% për të gjitha mallrat e importuara nga Serbia. Zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 6 tetor 2019 janë vazhdim i kësaj logjike, qoftë për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme, presionit ndërkombëtar lidhur me atë se çka duhet bërë me dialogun Beograd-Prishtinë, ose për shkak të një zgjedhjeje strategjike.

Në mënyrë të ngjashme, në skenën ndërkombëtare Serbia vazhdon të lobojë në vende tjera për tërheqjen e njohjes së tyre të Kosovës, si dhe për pengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Edhe kjo kontribuon në shtyrjen e angazhimit të mëtejshëm midis palëve. Edhe pse kemi dëgjuar shumë figura ndërkombëtare që bëjnë thirrje për t’i dhënë fund kësaj ngecjeje, asgjë konstruktive nuk ka ndodhur që nga nëntori i vitit 2018 kur u vendosën këto masa. Në të njëjtën kohë, bojkotimi nga ana e Serbisë i takimit të fundit joformal të “Gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor” (WB6) në Helsinki nuk ishte për shkak të shqetësimit të tyre pse Kosova u ftua si e barabartë me shtetet e tjera të rajonit, ose që kjo mund të krijojë një lloj “precedenti”. Kjo nuk ishte hera e parë që WB6 takohej nën kujdesin e BE-së: procesi i Berlinit i ka ofruar këto mundësi për vite me radhë. Kjo ftesë u refuzua sepse erdhi gjatë periudhës së ngecjes dhe dukej se Beogradi kishte nevojë vetëm për një justifikim që të mos angazhohej me Prishtinën në çfarëdo forme të mundshme.

Të gjitha këto masa mund të shihen si pjesë e politikës së shtyrjes në dialogun Beograd-Prishtinë, dhe duket se i leverdis si Kosovës ashtu edhe Serbisë. Interesat politike shtetërore dhe personale shpesh vihen para interesave të njerëzve të zakonshëm, dhe zbatimi i marrëveshjeve që do të kishin efekt pozitiv në jetën e tyre shtyhet me qëllim të pritjes së kushteve më të mira politike për të shënuar sa më shumë pikë politike që të jetë e mundur. Imagjinimi i një periudhe utopike, ku të gjitha interesat ndërkombëtare janë në përputhje me interesat e shtetit serb, apo me interesat shtetërore të Kosovës nga ana tjetër, vazhdon të motivojë mënyrën se si bëhet politika midis Beogradit dhe Prishtinës. Sipas kësaj logjike: derisa të vijë ajo periudhë, nëse vazhdojmë të bllokojmë, bojkotojmë ose vendosim taksa ndaj njëri-tjetrit, nuk kemi nevojë të angazhohemi me njëri-tjetrin. Këto janë pengesa të krijuara artificialisht që nuk kanë asnjë lidhje me parimin bona fide.

Ajo që rrjedh nga kjo është pyetja nëse bona fide nuk është po aq pjesë e një vizioni utopik të politikës, ku dëgjohen, respektohen dhe merren parasysh argumentet e palës tjetër. Ne nuk jetojmë në një botë të privuar nga raportet pushtetore dhe secili kontest politik nuk e ka një pikënisje neutrale. Serbia dhe Kosova tashmë janë të ngulitura në diskurse të ndryshme ndërkombëtare (por ndonjëherë edhe të ngjashme) mbi pushtetin politik, interesat kombëtare ose pozicionimin gjeopolitik, secila me historitë e veta. Duke marrë parasysh këto, duket se politika midis Serbisë dhe Kosovës ka të bëjë më pak me shqyrtim të çështjeve në mirëbesim, ku argumenti më i mirë fiton, e më shumë me kontestim hegjemonik, ku dominojnë momentet e favorshme politike të pengimit e bojkotimit, artikulimet antagoniste të tjetrit dhe aleatët e fuqishëm. Nëse ndonjëherë arrihet një marrëveshje përfundimtare midis dy palëve, nuk do të jetë për shkak të shqyrtimit të çështjeve në mirëbesim.

SHARE