Prokuroria thotë se krimi në Talinoc më 2012 nuk ka motive etnike

Vrasja e çiftit serb Milovan dhe Ljiljana Jevtić në fshatin Talinoc të Ferizajt, në vitin 2012, sipas prokurores së rastit, nuk dyshohet se ka të bëjë me vepër penale për motive etnike. Edhe pse janë ndërmarrë shumë veprime më qëllim të zbardhjes se këtij krimi, kryesit e krimit ende nuk janë vënë para drejtësisë.

0
380

Vrasja e çiftit serb Milovan dhe Ljiljana Jevtić në fshatin Talinoc të Ferizajt, në vitin 2012, sipas prokurores së rastit, nuk dyshohet se ka të bëjë me vepër penale për motive etnike. Edhe pse janë ndërmarrë shumë veprime më qëllim të zbardhjes se këtij krimi, kryesit e krimit ende nuk janë vënë para drejtësisë.

Vrasja e çiftit serb Milovan dhe Ljiljana Jevtić nga fshati Talinoc i komunës së Ferizajt nuk është zbardhur ende plotësisht. Por nga hetimet e deritashme të organeve të drejtësisë ka rezultuar se kjo vrasje e dyfishtë nuk ka të bëjë me vepër penale për motive etnike. Kështu kanë thënë prokurorë të rastit të cilët janë duke ndjekur procedurat hetimore në lidhje me rastin.

Më 6 korrik të vitit 2012, dy të kthyer serbë të Kosovës, Milovan dhe Ljiljana Jevtić që të dy në të pesëdhjetat, ishin vrarë në Fshatin Talinoc afër Ferizajt. Sipas përshkrimit që i ishte bërë rastit, çifti Jevtić është ekzekutuar brenda shtëpisë së tyre. Trupat ishin gjetur disa orë më vonë nga fqinjët e tyre. Më pas, zona ishte mbushur me hetuesë të Policisë së Kosovës dhe të Misionit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

“New Perspektiva” ka kërkuar sqarime nga institucionet përkatëse në lidhje me fazën e hetimeve. Nga policia e Kosovës kanë thënë se i kanë kryer të gjitha veprimet e nevojshme dhe se rasti është proceduar më tej në prokurori.

“Policia e Kosovës – DRP (Drejtoria Rajonale e Policisë) Ferizaj lidhur me rastin në fjalë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore dhe rasti është proceduar te organet e drejtësisë ku për informacione të mëtutjeshme mund t’u referoheni të njëjtëve”, ka thënë Agim Gashi, zëdhënës nga Departamenti i Policisë, Ferizaj.

Ndërkaq nga Misioni i EULEX-it, i cili ka qenë i përfshirë në këtë rast, kanë konfirmuar se procedurat hetimore më tej i kanë kaluar për trajtim Prokurorisë Themelore të Ferizajt.

“Rasti për të cilin na keni pyetur, i është dorëzuar Prokurorisë së Ferizajt me 16 korrik 2014”, ka thënë shkurt zëdhënësja e EULEX-it, Besa Domi.

Veprimet e prokurorisë në zbardhjen e rastit

“New Perspektiva” ka biseduar edhe me Prokuroren e Shtetit në Ferizaj e cila është duke u marrë me rastin. Florije Salihu-Shamolli ka treguar për veprimet që kanë ndërmarrë në zbardhjen e rrethanave të vrasjes së çiftit Jevtić. Sipas saj, nga hetimet e deritashme ka rezultuar se krimi nuk është kryer për motive etnike, siç kishin ngritur dyshime banorët e fshatit menjëherë pas vrasjes.

“Duke filluar nga EULEX-i, me qëllim të zbardhjes se këtij rasti janë kryer shumë veprime hetimore, ku i dyshuar është Tomic Dragolub i lindur në fshatin Talinoc, Komuna e Ferizajt. Nga shkresat e lëndës nuk dyshohet se kemi të bëjmë me një vepër penale për motive etnike”, thotë Salihu-Shamolli.

Përkundër hetimeve të zhvilluara, ato ende nuk janë përfunduar. “Edhe pse janë ndërmarrë shumë veprime më qëllim të zbardhjes se kësaj vrasje akoma nuk janë plotësuar kushtet për zbardhjen e rastit në fjalë”. Prokurorja nga Ferizaj ka listuar me radhë veprimet që kanë ndërmarrë për zbardhjen e vrasjes së çiftit serb, përfshirë edhe urdhër arrestin për të dyshuarin. Ajo thotë se është marrë urdhër për masa të fshehta, përkatësisht matje të thirrjeve telefonike. Është bërë kërkesë për listën e hyrjeve/daljeve të thirrjeve dhe SMS-vë të të dyshuarve si dhe janë zhvilluar masa të fshehta në përgjimin e telekomunikimeve. Po ashtu kanë bërë fletë dorëzimin për konfiskimin e hard diskut si dhe fletë dorëzimin për shenjat e gishtave në dy shtresa.

Në kuadër të veprimeve tjera, po ashtu janë aplikuar masa të fshehta për Zbulimin e të Dhënave Financiare. Po ashtu në kuadër të dokumenteve është edhe raporti i hetuesit mbi inspektimin e skenës së krimit dhe kërkesa që të bëhet mbikëqyrja e dyshemesë së korridorit dhe të banjos së shtëpisë, ku është vrarë çifti. Prokuroria po ashtu ka mbledhur edhe deklaratat e dëshmitarëve. “Për çdo informacion do të ju njoftojmë me kohë pasi që vazhdimisht jemi duke kontaktuar me policët hetues të cilët kanë kryer hetimet”, ka potencuar prokurorja Salihu-Shamolli.

I vrari, Milovan Jevtić, ka qenë përfaqësues i këshillit të fshatit Talinoc ku bashkë me gruan e tij ishin rikthyer në shtëpinë e tyre në Kosovë në vitin 2004. Pas vrasjes së çiftit, ka pasur reagime të shumta, ku është kërkuar ndriçimi i rrethanave të vrasjes. Vrasja është dënuar nga zyrtarët e Kosovës dhe përfaqësuesë të bashkësisë ndërkombetare në Kosovë. Ka reaguar edhe Qendra Evropiane për Çështjen e Minoriteteve në Kosovë (ECMI). “ECMI Kosova dënon fuqishëm këtë akt, i cili nuk kontribuon për të ndërtuar një Kosovë të qëndrueshme dhe shumëtnike si dhe u bëjmë thirrje autoriteteve për ta hetuar rastin në tërësi dhe për t’i sjellë autorët para drejtësisë”, është shprehur ECMI. Si pasojë e kësaj vrasje, banorët serbë të mbetur në Talinoc, kishin vendosur të largoheshin nga shtëpitë e tyre në këtë fshat. Ata i kishin kërkuar KFOR-it dhe EULEX-it, që t’i përcjellin në veri të Kosovës, atje ku banon shumica serbe.

Moszbardhja e rastit, tek serbët kishte ngritur dyshime se vrasja është e motivuar etnikisht. Madje Peshkopi Teodosije, për rajonin e Rashkës dhe Prizrenit, kishte thënë se sulmi është kryer nga shqiptarët. “Krimi brutal kundër familjes Jevtić si dhe shumë presione dhe kërcënime me të cilat serbët lokalë nga ky fshat janë përballur që prej kthimit të tyre, tregojnë se krimi i fundit përfaqëson kulmin e shtypjes me motive etnike, qëllimi i të cilit është për t’i detyruar serbët të largohen nga shtëpitë e tyre dhe pronat t’ua shesin shqiptarëve”, kishte deklaruar peshkopi Teodosije. Ai kishte adresuar “shqetësimin” e vet edhe tek përfaqësuesit ndërkombëtarë e vendor në Kosovë, duke kërkuar zbardhjen e rastit.

Krimet e pazbardhura

Shumë krime të kryera gjatë dhe pas luftës ndaj shqiptarëve dhe serbëve vazhdojnë të jenë të pazbardhura. Kjo çështje së fundi është aktualizuar edhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili në adresë të kryeprokurorit të shtetit ka nisur katër letra, në mesin e të cilave flitet edhe për krimet e tilla.

Në letrën e parë, presidenti Thaçi ka theksuar nevojën për t’u marrë me krimet e luftës të kryera në Kosovë. Ai ka thënë se rastet e njohura të krimeve të rënda të luftës, siç është masakra kundër familjes Jashari në Prekaz, masakra në Reçak, në Izbicë, në Abri të Epërme, në Krushë të Madhe, në Likoshan, në Mejë, në Dubravë, në Qyshk, në Lubeniq, në Grashticë apo kudo tjetër në Kosovë – duhet të marrin trajtimin e duhur nga drejtësia”.

Në letrën e dytë, ai ka kërkuar që vëmendje t’u kushtohet edhe shumë krimeve serioze të kryera menjëherë pas lufte apo në vitet e mëvonshme, siç janë vrasja e vëllezërve Bytyçi në qershor 1999, përpjekja për atentat kundër ish-presidentit Ibrahim Rugova në mars 2005, si dhe vrasja e disa personaliteteve publike. Por, edhe për rastet si ai në Grackë të Vjetër të Lipjanit, rasti në Gorazhdec të Pejës, ku u vranë dy fëmijë, dhe rasti i sulmit në autobusin e “Nish-ekspresit”, në afërsi të Podujevës.

Ndërsa, në letrën e tretë, presidenti Thaçi ka kërkuar që gjithashtu vëmendje e veçantë t’i kushtohet edhe krimeve monstruoze, siç ishte përdhunimi i personave, veçanërisht i grave dhe vajzave gjatë luftës në Kosovë, më 1998-1999.

Në disa raste të vetmuara dhe të izoluara, sipas presidentit Thaçi, këto sulme kanë pasur edhe primesa të ekstremizmit duke shkaktuar edhe tensione që cenojnë tolerancën shumëvjeçare, dialogun ndërfetar dhe pajtimin ndëretnik.

comments

SHARE