Qasja joadekuate e Kosovës në procesin e dialogut

Dialogu mes Serbisë dhe Kosovës vazhdon me prirjen e njejtë të të dy shteteve për normalizim marrëdhëniesh dhe njohje reciproke. Ndonëse të dy shtetet nuk është se kanë bërë progres evident, qasja e tyre në proces meriton vëmendje. Në këtë mënyrë, derisa shteti serb është karakterizuar me një qasje strategjike dhe me konsistencë sa i përket veprimeve dhe lidershipit të dëshmuar, qasja e shtetit të Kosovës vazhdon të jetë joadekuate, me mungesë konsistence dhe me mungesë lidershipi ose përfaqësimi.

0
92

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të karakterizohet nga një ritëm i ngadaltë dhe me një qasje përgjithësisht të pandryshuar mes dy palëve. Shteti i Kosovës vazhdon ta përqendrojë retorikën në idenë që vetëm njohja reciproke mes dy shteteve do të mund të prodhonte normalizimin e raporteve mes dy shteteve, ndërsa për shtetin serb kjo nuk është as edhe opsion. Megjithatë, siç edhe mund të vërehet nga zhvillimet, e po ashtu edhe nga opinionet e ekspertëve të ndryshëm, shteti i Kosovës duket se vuan nga nga një qasje joadekuate në këtë proces. Një qasje joadekuate për nevojat e këtij shkrimi do të definohet si mungesë e një qasjeje konsistente në proces, mungesë lidershipi dhe mungesë platforme apo strategjie të qartë.

Së pari, është folur për mungesën e një qasjeje konsistente sa i përket përfaqësimit të Kosovës në procesin e dialogut. Kjo mungesë e konsistencës natyrisht është evidente dhe në masë të madhe u atribuohet dinamikave të ndryshimit të qeverive të cilat duket që janë pjesë e konfiguracionit politik të Kosovës. Tingëllon reale që të diskutohet për mungesë konsistence kur mungon platforma e duhur për qasjen ndaj dialogut (ndonëse, për të qenë të sinqertë, idetë si njohja e ndërsjellë dhe normalizimi i marrëdhënieve mbeten një retorikë relativisht konsistente) e kur edhe figurat e pretenduara për udhëheqje të palës kosovare janë ndryshuar gjithmonë. Në anën tjetër, vërejmë që shteti serb i është qasur procesit të dialogut në mënyrë më strategjike e po ashtu me një konsistencë të dallueshme. Kjo sidomos me lidershipin konstant të treguar nga ana e Presidentit Alekasandar Vučić i cili në fakt është treguar i suksesshëm në ndërtimin dhe promovimin e narrativës se shteti serb është duke treguar një sjellje konstruktive në raport me Kosovën sa i përket përpjekjeve për normalizim marrëdhëniesh në procesin e dialogut. Pra, mund të konsiderohet si diçka objektive, dhe jo një interpretim, se Kosova nuk i është qasur aspak sistematikisht këtij procesi.

Qasja joadekuate e shtetit të Kosovës në procesin e dialogut ka rrjedhur jo vetëm si pasojë se nuk ka patur konsistencë por edhe si pasojë e një konfuzioni mbi atë se kujt i takon të drejtojë këtë pjesë dhe cili është legjitimiteti i personave të cilë kanë qenë pjesë e dialogut. Çështja e legjitimitetit të drejtuesit të këtij procesi është ndërlidhur me shumë faktorë siç janë: polarizimi i vazhdueshëm nga një spektër kompleks relativisht shumëpartiak në shtetin e Kosovës dhe po ashtu edhe nga fakti që qeveritë kosovare kanë patur tendencë që të jenë fare të brishta. Natyrisht, tani me qeverinë e brishtë të kryeministrit Avdullah Hoti, çështja e legjitimitetit është bërë shumë e theksuar por që në fakt e ka dëshmuar se si shtet Kosova i është qasur në një mënyrë ad hoc këtij procesi, pa patur një ide të qartë mbi atë se cili institucion (Presidenti apo Kryeministri, së bashku, apo edhe dikush tjetër) do të duhej që të drejtonte këtë proces. Ndoshta një zgjidhje potenciale do të ishte që ky proces të vazhdonte të drejtohej eksluzivisht nga Presidenti (përjashtojmë zhvillimet e fundit me Gjykatën Speciale) në mënyrë që të garantohej një qasje më strategjike në proces dhe ndoshta një qasje më e ngjashme me atë të shtetit serb që edhe mund të konsiderohet efektive pasi që shteti serb duket se e ka përmirësuar imazhin në rrafshin ndërkombëtar.

Dialogu mes Serbisë dhe Kosovës vazhdon me prirjen e njejtë të të dy shteteve për normalizim marrëdhëniesh dhe njohje reciproke. Ndonëse të dy shtetet nuk është se kanë bërë progres evident, qasja e tyre në proces meriton vëmendje. Në këtë mënyrë, derisa shteti serb është karakterizuar me një qasje strategjike dhe me konsistencë sa i përket veprimeve dhe lidershipit të dëshmuar, qasja e shtetit të Kosovës vazhdon të jetë joadekuate, me mungesë konsistence dhe me mungesë lidershipi ose përfaqësimi. Ndonëse objektivat e dialogut mbeten relativisht të qarta, Kosova duhet patur parasysh që të ketë një qasje më sistematike apo më të strukturuar në këtë proces në mënyrë që dialogu të ketë progres evident dhe që takimet të jenë realisht produktive për qëllimet e paracaktuara. Kjo nuk duket se ka ndodhur por duhet të ndodhë.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE