Rasti i Dragica Gašić-it

A mund të merrni me mend që një grua lufton pothuajse kundër tërë qytetit? A mund të merrni me mend që jetoni në një qytet ku nuk keni miq? A mund të merrni me mend që nuk keni liri të shëtisni nëpër qytetin tuaj? A mund të merrni me mend që nuk ju lejojnë të bleni gjërat elementare për jetë?

0
101

Shumë vetë po shkruajnë për rastin e Dragica Gašić-it nga Gjakova, një rast që tërhoqi vëmendjen si të mediave serbe ashtu edhe të atyre të Kosovës. Disa e gjykojnë, disa i brohorasin, kurse kjo grua e guximshme e cila është në qendër të opinionit publik, po bën një betejë të vështirë për jetën e saj. Ajo po mbahet tejet mirë me presionet dhe të gjitha sprovat. Përpjekja që të kthehet në vendin e saj të lindjes, Gjakovë, u prit me “thikë” nga ana e bashkëqytetarëve të saj. I kuptoj familjet e shqiptarëve të Kosovës të cilat janë të revoltuara me kthimin e serbes së vetme në këtë vend, sepse gjatë luftës këtu ka pasur mjaft viktima. Edhe pse është vështirë të pranohet kjo, nuk duhet gjykuar kjo grua e guximshme e cila pati kurajo që të kthehej. Shumë pengesa, shqetësime të tilla si gjuajtje me gurë, kërcitjet në dyer, ngjitjet e fotografive dhe sulmet e shpeshta ndaj saj, tregojnë se urrejtja është më e fortë se toleranca. Për këtë arsye edhe mbetja e saj po vihet në pikëpyetje. Dragica, megjithatë, nuk mendon kështu.

I fundit në vargun e incidenteve rrallë mund ta lë indiferent ndonjë person. Pasi që bashkëqytetarët e saj nuk po e lejojnë të blejë gjëra ushqimore në Gjakovë, Dragica Gašić shkoi deri në Klinë. Kur u kthye, e priti banesa e thyer, të cilën para pak kohe e kishte kthyer nga uzurpatori. Gjërat që kishin vjedhur hajnat, nëse mund t’i quajmë vetëm me këtë emër, ishin ushqimi, valixhja e saj me garderobë, ruteri dhe kamera. E tërë kjo nuk do të ishte dukur aq e tmerrshme po qe se kjo grua të mos kishte pasur mbrojtje nga ana e policisë. Serbja e parë e kthyer thotë se do të rri në Gjakovë; me sa mund të vërehet, me ngulm, ajo dëshiron që të qëndrojë në qëllimin e saj që të mbetet në këtë vend, që të sendërtoj të drejtat e veta përkundër të gjitha krajatave me të cilat po ballafaqohet.  

Mirëpo, a duhet që presionin ta bart një grua vetëm pse është pjesëtare e popullit i cili ka luftuar me bashkëqytetarët e saj? A mund të merrni me mend që një grua lufton pothuajse kundër tërë qytetit? A mund të merrni me mend që jetoni në një qytet ku nuk keni miq? A mund të merrni me mend që nuk keni liri të shëtisni nëpër qytetin tuaj? A mund të merrni me mend që nuk ju lejojnë të bleni gjërat elementare për jetë? Merreni me mend që kjo po ndodh në truallin e Evropës së shekullit 21, ku “sundon” demokracia.

Incidenti i fundit me këtë zonjë nga Gjakova më tërhoqi goxha vëmendjen dhe mund të them lirisht më shkaktoi hidhërim. Ky hidhërim lindi më tepër për shkak të sistemit në të cilin po jetojmë, për shkak të apatisë së autoriteteve të Kosovës dhe policisë që nuk po ndërmarrin asgjë në këtë drejtim. Meqenëse është e vetmja serbe në qytet, është e qartë që edhe është në shënjestër, kurse policia dhe pushteti nuk duan ose nuk janë në gjendje që një grua ta mbrojnë nga vandalët. Kjo flet shumë se për çfarë mjedisi bëhet fjalë, flet edhe për të kaluarën nëpër të cilën ka kaluar ky mjedis, por tregon edhe atë se sa pak gjëra kanë ndryshuar që nga lufta e këndej. Ka munguar përparimi i shoqërisë.  

Kjo serbe është etiketuar, mediat shkruajnë për të në mënyra të ndryshme. Shpresoj që kjo do të kontribuojë në ndërgjegjësimin që kthimi i serbëve, por edhe i gjithë të tjerëve, në shtëpitë e tyre duhet të jetë një proces normal. Në këtë mënyrë do të përparojë komuniteti, shoqëria, ashtu që me kohë do të zhduket pengesa midis dy  popujve që kanë luftuar me njëri tjetrin. Tema është tejet e ndjeshme, kështu që në këtë rast duhet të raportohet me kujdes, ashtu që të ulen tensionet dhe të ngritet pragu i tolerancës. Mediat luajnë një rol të madh në zgjidhjen e situatave të tilla konfliktuoze, kështu që shpresoj që gazetarët të shkruajnë me ndërgjegje dhe të punojnë në ngritjen e vetëdijes. 

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës. 

SHARE