Realiteti dhe dezinformatat mbi Covid-19 në komunat me shumicë serbe në Kosovë

Rekomandimet e OJQ Aktiv i drejtohen institucioneve qeveritare dhe publike që të organizojnë fushatë gjithëpërfshirëse dhe të vazhdueshme të informimit publik rreth Covid-19, t’i përkthejnë në kohë udhëzimet dhe vendimet në gjuhën serbe, si dhe ta rrisin komunikimin me komunitetin serb dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile për këtë qëllim.

0
87

Vetëm 10% e komunitetit serb në Kosovë do të merrnin një vaksinë të aprovuar kundër koronavirusit dhe, pas mediave të pavarura në Beograd, mediat sociale janë burimi më i besueshëm i informacionit për ta se sa krejt burimet e tjera mediale, sipas gjetjeve të një hulumtimi të kryer në korrik në komunat me shumicë serbe në Kosovë

Tashmë janë bërë 6 muaj që nga paraqitja e rastit të parë të infektuar në Kosovë me COVID-19 dhe, ashtu siç e kanë tërhequr vërejtjen organizatat ndërkombëtare, informacioni cilësor në këto kohëra është jetik. Një hulumtim i realizuar nga OJQ Aktiv ofron të dhëna interesante rreth relacionit në mes të komunitetit serb, informacioneve për pandeminë COVID-19 dhe qëndrimeve të tyre rreth kësaj situate. Hulumtimi gjithashtu kishte si qëllim përcaktimin e nivelit të besimit ndaj institucioneve të ndryshme shtetërore dhe mediave. Megjithëse në hyrje të raportit thuhet se ai synon t’i identifikojë këto qëndrime tek komunitetet joshumicë, raporti në fakt duket se ka si mostër vetëm respondentë nga komuniteti joshumicë serb dhe rekomandimet nuk përfshijnë komunitetet e tjera joshumicë. 

Gjithsej shtatëqind (700) të anketuar morën pjesë në hulumtim, nga të cilët 51% janë banorë në veri të Kosovës dhe 49% në rajone që ndodhen në jug të lumit Ibër në periudhën 13 – 20 korrik. Keq që numri i të anketuarve nuk ka qenë më i lartë. Gjithsesi, prirjet që rezultojnë nga ky raport mund të përdoren për ndonjë hulumtim më gjithpërfshirës që do t’i formësonte politikat e qeverisë së Kosovës rreth informimit të komunitetit serb në Kosovë për pandeminë COVID-19, por edhe për çështje të tjera me rëndësi.

Të dhënat e raportit tregojnë se:

  • Pavarësisht statistikave vendore dhe botërore mbi vdekshmërinë e pandemisë COVID-19, vetëm 44.1% e respondentëve besojnë se koronavirusi është kërcënues për jetën e njeriut; 20.0% nuk besojnë në rrezikshmërinë e tij dhe 9.3% nuk besojnë fare në ekzistencën e tij. 
  • Nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Qeveria e Kosovës, Qeveria e Serbisë dhe institucionet lokale si burime informacioni, respondentët kanë vlerësuar më së larti OBSH-në me 2.77 dhe më së ulti Qeverinë e Kosovës me 2.2 pikë nga 5 në total. 
  • Vetëm 21% e të anketuarve besojnë në numrin e raportuar të vdekjeve nga institucionet kompetente.
  • Pas medieve të pavarura nga Beogradi me 2.90 pikë nga 5 në total, respondentët kanë vlerësuar mediet sociale më së miri, me 2.87 pikë kur iu kërkua ta vlerësojnë raportimin në lidhje me koronavirusin.
  • Vetëm 30.70% e respondentëve i përmbahen masave aktuale të përcaktuara nga institucionet kompetente kundër përphapjes së pandemisë. 54% kanë deklaruar se përmbahen pjesërisht, ndërkaq 15.30% se nuk i përmbahen fare.
  • Nëse rekomandohet një vaksinë e aprovuar nga institucionet kompetente shëndetësore, vetëm 10.10% do ta merrnin, ndërkaq 34% prej tyre deklaruan se nuk do ta merrnin assesi. Respondentët e pasigurtë nëse do ta merrnin ose jo rezultojnë me përqindje të barabarta, ku 19.70% e tyre mendojnë se do ta merrnin, por nuk janë krejt të sigurtë dhe përqindje e njëjtë mendojnë se nuk do ta merrnin, por prapë pa siguri të plotë.
  • Të pyetur mbi teorinë e famshme konspirative se pandemia lidhet me rrjetin 5G, vetëm 38.1% prej tyre nuk besojnë se ka ndonjë lidhje mes këtyre dyjave, 24.4% besojnë në një lidhje mes këtyre dyjave dhe 37.4% nuk janë të sigurtë. 

Sipas OJQ Aktiv, rezultatet tregojnë se boshllëku informativ i krijuar tek komuniteti serb, të paktën pjesërisht nga dështimi i institucioneve të komunikojnë në mënyrë efektive me këtë komunitet, ka krijuar hapësirë për përhapjen e teorive konspirative dhe formave tjera të “lajmeve të rrejshme”. Sipas tyre, komunikimi i Qeverisë së Kosovës me komunitetet joshumicë ishte shpesh i pafrytshëm, duke krijuar një mjedis në të cilin banorët lokalë përballeshin me një boshllëk informues i cili shpesh ishte i mbushur me thashetheme dhe spekulime. Kjo nga ana tjetër, nxiti një atmosferë konfuze ku komunitetet morën informacione kontradiktore nga mediat kryesore dhe ato sociale në lidhje me shtrirjen dhe vlefshmërinë e masave të caktuara (të tilla si urdhra izolimi, orë policore etj.), si dhe me natyrën dhe shkallën e përhapjes së virusit. 

Rekomandimet e OJQ Aktiv, ndër të tjera, kryesisht i drejtohen institucioneve qeveritare dhe publike që të organizojnë fushatë gjithëpërfshirëse dhe të vazhdueshme të informimit publik, t’i përkthejnë në kohë udhëzimet dhe vendimet në gjuhën e komunitetit serb, si dhe ta rrisin komunikimin me komunitetin serb dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile për këtë qëllim. 

Do të ishte interesante të krahasohen qëndrimet e shumicës shqiptare në Kosovë me ato të komunitetit serb. Një krahasim i tillë do të tregonte se sa ndikojnë në qëndrimet e banorëve të Kosovës elementet e përmendura në këtë raport si burimi i informimit, niveli i besimit dhe efikasiteti i komunikimit qeveri – qytetar.

SHARE