Shengeni i vogël apo ‘pakti i djallit’

Për shkak të kësaj marrëveshjeje u paraqitën kundërshtime tek disa grupe të caktuara edhe tek shqiptarët edhe tek serbët, gjë që është krejtësisht normale. Ne kemi ditur që njëri-tjetrit t’i japim goditje të rënda në të kaluarën. Këto goditje duket se u harruan lehtazi, dhe politikanët lehtë i shëruan këto plagë. Për këtë arsye lindën teori të komplotit për këtë iniciativë, sado që liderët e pohonin të kundërtën.

0
166

Derisa presin të hyjnë në Bashkimin Evropian, e është pikëpyetje se kur do të ndodhë kjo dhe nëse do të ndodhë fare, vendet e të ashtuquajturit Ballkani Perëndimor – Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, vendosën që vetë të bëjnë diçka lidhur me lidhjen dhe ndërlidhjen regjionale. Sikur vetë djalli t’u kishte urdhëruar liderëve të këtyre vendeve që të bëjnë këtë mini union, “Shengenin e vogël”. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, ranë dakord për hapa konkret për të ardhmen. Regjistrimi softuerik në tregun e punës, ndihma në raste fatkeqësish natyrore, kalimi i kufirit me letërnjoftim. E gjithë kjo duket përrallore, por çfarë dhe kush fshihet pas gjithë kësaj?

Shikoj Djukanović-in, Ramën, Zaevin dhe Vučić-in se si shëtiten nëpër Durrës, bisedojnë me njerëzit e prekur nga tërmeti i fundit dhe fotografohen. Sa bukur duket ky bashkim, për një moment më shkon mendja se mbase të gjithë do të mund të jetonim në paqe, harmoni dhe prosperitet. Por ky është vetëm një moment, historia thotë se në Ballkan, pas çdo bashkimi, aleance, vjen deri tek ca luftëra në të cilat më së shumti pësojnë të pafajshmit. E po, kjo është arsyeja pse kësaj ideje m’i vjen erë e keqe që nga fillimi, vetëm që pas tërë kësaj të mos ndodhë diçka e keqe. 

Mali i Zi është vend që e ka ndjekur këtë iniciativë dhe e mbështet atë, dhe ka mundësi që edhe ai të bashkohet në periudhën e ardhshme, por Kosova e refuzoi, gjë që deri diku është edhe e kuptueshme. Ajo ka hedhur poshtë të gjitha përfitimet që sjellë kjo marrëveshje dhe do të privohet nga to. Çka fitoi Kosova, ndoshta edhe një armik tjetër në Tiranë? A i braktisi Rama bashkëkombëtarët e tij kosovarë siç po duket? Është e qartë se politikanët e Kosovës i dëgjojnë miqtë e tyre amerikanë, derisa të tjerët kanë humbur durimin duke pritur që BE-ja të tregojë mëshirë dhe vendosën të ndërmarrin hapa tejet të rëndësishëm për shtetet e tyre.

Kush humbet me “Shengenin e vogël” e kush fiton? A do të zgjas marrëveshja deri në konfliktin e parë të liderëve që nënshkruan këtë marrëveshje? Kush e bëri strategjinë më të mirë? Vučić-i, i cili ndoshta tërheqë fuqi punëtore dhe shkakton grindje midis Prishtinës e Tiranës, izolon Kosovën? Rama dhe Zaevi që duan një treg me 11 milion banorë? Kush do të tërheqë më së shumti investime të huaja? A po bëhet Kosova egjri i grurit të Ballkanit; a do të largohet ajo me këtë refuzim nga rruga evropiane, a kanë bërë gabim politikanët e Kosovës? Dyshoj, për sa kohë që miqtë amerikanë do të jenë me ta do të ketë edhe vendime të mira. Këtë e kanë të qartë të gjithë. Përgjigjjen nëse “Shengeni i vogël” do të funksionojë si duhet do të na e japin vitet e ardhshme.

Për shkak të kësaj marrëveshjeje u paraqitën kundërshtime tek disa grupe të caktuara edhe tek shqiptarët edhe tek serbët, gjë që është krejtësisht normale. Ne kemi ditur që njëri-tjetrit t’i japim goditje të rënda në të kaluarën. Këto goditje duket se u harruan lehtazi, dhe politikanët lehtë i shëruan këto plagë. Për këtë arsye lindën teori të komplotit për këtë iniciativë, sado që liderët e pohonin të kundërtën. Ata shikojnë vetëm përfitimet, që s’kam dyshime se do të ketë. Por, pas të gjithave, a do të shkojë dikush nga Serbia për të punuar në Shqipëri ose mbase në Maqedoninë Veriore, e cila më duket se është ekonomikisht më inferiore se Serbia? Besoj që edhe shqiptarët nuk do t’u vijë mirë që të fitojnë para, p.sh. në Serbinë qendrore. Rasti me Maqedonisë është pak më ndryshe, por Maqedonia nuk është një vend që ofron kushedi se çfarë mundësish, të paktën nuk tërheqë fuqi punëtore. Por le ta presim kohën që ta thotë të vetën.

Ndoshta ky është vetëm një nga hapat në mënyrë që këto vende të mbajnë qytetarët e tyre, sepse nëse Gjermania i hap dyert e saj për emigrantët (fuqi të kualifikuar punëtore) edhe jashtë BE-së nga janari i vitit të ardhshëm, atëherë një largim masiv i popullsisë është i pashmangshëm. “Shengeni i vogël” nuk do ta parandalojë këtë. Njerëzit janë ngopur me premtime, me jetë “më të mirë”, thjesht nuk duan të punojnë vetëm për të mbijetuar.

“Kush mbjell kunguj me djallin, për koke do t’i thehen”, thotë një proverb. E po, për shqiptarët ne jemi djalli e edhe ata janë për ne nëse shikojmë të kaluarën e kohëve të fundit, por edhe atë pak më të largët. Atëherë kjo marrëveshje do të mund të quhej “Pakti i djallit”. Çfardo qoftë ai pakt, ai është nënshkruar, kështu që na mbetet të shpresojmë se do të na sjellë përparim ekonomik. Mbase një ditë të gjithë së bashku do ta presim edhe ditën për të “hyrë” në Bashkimin Evropian.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE