Shënimi i muajit

0
169

Duke folur për vizitën më të fundit në Kosovë, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, në blogun e saj të botuar në fillim të marsit tha se “është koha për të mbyllur plagët e së kaluarës dhe për të bërë hapa të rinj për të garantuar stabilitetin në rajon dhe në mbarë Evropën”. Këtë, tha ajo, e kishte diskutuar me udhëheqësit kosovarë si dhe me një grup të rinjsh dhe përfaqësuesë të shoqërisë civile, bisedë të cilën e kishte vazhduar më pas në Sofje me që të gjashtë partnerët ballkanik. Sipas Mogherinit, në muajt në vazhdim ata kanë “një rast të veçantë për t’i dhënë fund ndarjeve në Evropë dhe për të bashkuar kontinentin tonë”. Disa ditë më pas ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, shprehu në twitter kënaqësinë që “po e shihte rifillimin e punimeve ne urën e Ibrit”, duke shtuar se “nuk ka alternativë përveç Dialogut në Bruksel dhe suksesi varet nga implementimi i secilës marrëveshje”. Punimet në revitalizimin e urës rifilluan pas gati një viti dhe çështja ishte temë e bisedimeve që rinisën gjatë shkurtit, bisedime për të cilat u tha se ishin tejet konstruktive, pa dhënë ndonjë hollësi. Njëri prej pjesëmarrësve në ato bisedime, këshilltari i presidentit Thaçi, Ardian Arifaj, në një intervistë dhënë RTK2, tha se në takimin e shkurtit “të gjitha palët kishin shprehur gatishmërinë që të vazhdohet me implementimin e atyre që tashmë kanë filluar të implementohen dhe të krijohen kushtet për implementimin e marrëveshjeve që ende nuk kanë filluar të implementohen.” Një prej marrëveshjeve që tashmë ka filluar të zbatohet, ajo e integrimit të gjyqësorit  në veri, nga autoritetet e Kosovës vlerësohet se po ecën mirë e pa probleme.

Për marrëveshjet e pazbatuara deri më tani, Asociacionin e komunave me shumicë serbe, atë të energjisë, urës, IBM-së dhe lirisë së lëvizjes diskutuan hollësisht kryenegociatorët Avni Arifi e Marko Djurić, së bashku me ekipet e tyre respektive, edhe në mars, por pa shënuar ndonjë progres. BE ua rikujtoi palëve se progresi në normalizimin e marrëdhënieve është vendimtar në rrugën e tyre evropiane, dhe u bëri thirrje që t’i intensifikonin përpjekjet në punën e implementimit. Vetëm dy ditë më vonë në Bruksel u realizua edhe takimi në nivelin më të lartë, mes presidentëve Hashim Thaçi e Aleksandar Vučić, siç u tha, “për të diskutuar më tej përgatitjet e një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve”. Përfaqësuesja e lartë e BE-së theksoi në veçanti “nevojën urgjente për fillimin e themelimit te Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe”.

Kaq sa i përket përpjekjeve dhe përkushtimit të palëve për normalizimin e marrëdhënieve.

Në ditën kur tre udhëheqësit e vendit, presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit në një takim arritën përfundimin “për ta krijuar një Grup Punues të gjerë institucional, i cili do të bashkëpunojë me Ekipin Menaxhues dhe me Misionin e OSBE-së në Kosovë, për draftimin e Statutit të Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”,  në Mitrovicën e Veriut, njësitë speciale ROSU ndërmorën një aksion dhe në praninë e medias arrestuan kryenegociatorin serb Marko Djurić i cili kishte hyrë në Kosovë pa lejen e autoriteteve kosovare. Presidenti Thaçi bëri thirrje për qetësi duke thënë se “policia e Kosovës ka vepruar në përputhje me kompetencat e veta, me profesionalizëm dhe në mbrojtje të rendit dhe ligjit në Kosovë.” Presidenti Vučić nga ana e tij e quajti këtë “provokim brutal” dhe “aktin më të rëndë kriminal” të kryer nga autoritetet e Prishtinës. Dy ditë më parë, vetë Vučić i kishte sfiduar autoritetet kosovare për të reaguar, kur tha se, me leje apo pa të, Djurić do të merrte pjesë në tubimin në Mitrovicën veriore.  “Ta shohim se çfarë do të bëni në lidhje me këtë,” thotë Vučić në këtë video (minuta 00’19”).  Zëdhënësja e BE-së për punë të jashtme, Maja Kocijančič, rikujtoi palët që t’i përmbahen marrëveshjes për vizita zyrtare, ndërsa shefja e saj, Mogherini, të nesërmen në kthim e sipër nga një konferencë në Tashkent (Uzbekistan) u ndal në Beograd ku në bisedë me presidentin Vučić shprehu indinjatën e saj me zhvillimet dhe tha se “ajo çfarë ndodhi dje nuk duhet të ndodhë më”. Si rezultat i incidentit në Mitrovicë, pas konsultimeve në Beograd, Lista serbe vendosi të dalë nga koalicioni qeverisës dhe njoftoi se në përvjetorin e pestë të Marrëveshjes së Brukselit, 10 komuna me shumicë serbe në Kosovë do ta themelojnë vetë Asociacionin e komunave serbe, nëse Prishtina zyrtare nuk e formon atë deri më 20 prill.

comments

SHARE