Shënimi i muajit

0
149

Takimi i 7 shtatorit ne Bruksel, në të cilin pritej të vazhdonte puna për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme midis Kosovës e Serbisë, nuk u realizua. Ndonëse nuk pati takim trepalësh, mikpritësja, Federica Mogherini e BE-së, kishte zhvilluar disa raunde bisedimesh me të dy presidentët, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vučić, në formatin bilateral, mbi të gjitha çështjet e shtruara në tryezë. Mogherini tha se “vështirësitë mbesin” megjithëse ajo beson “në përkushtimin e plotë të të dy presidentëve për të vazhduar procesin dhe për të arritur në muajt e ardhshëm një marrëveshje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, në pajtim me të drejtën ndërkombëtare”. Mogherini tha se do të thërriste “në Bruksel sesionin e radhës të dialogut në nivel të lartë para javës ministrore të Asamblesë së Përgjithshme të KB-së (në Nju Jork) për t’i bërë bashkë dy palët për të çuar përpara punën rreth përmbajtjes së marrëveshjes”. (As ky sesion nuk u mbajt).

Palët ofruan – në mënyrat e tyre – sqarimet për arsyet që bënë të mos mbahet takimi trepalësh. Derisa drejtori i Zyrës për Kosovë të qeverisë së Serbisë, Marko Djurić, foli për mungesë të kushteve minimale për vazhdimin e dialogut në Bruksel, ministri i jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ishte pak më konkret dhe nxori në pah se problemi ishte te itinerari i vizitës së presidentit Vučić në Kosovë që do të pasonte një ditë më vonë. Ndonëse për disa orë u vu në pikëpyetje e tërë vizita, ajo megjithatë u realizua, dhe duket se do të mbahet në mend – të paktën për këtë u komentua më së shumti – për fjalimin qendror në shesh në Mitrovicën e Veriut në të cilin, siç shkruan Nevena Radosavljević, “presidenti serb ia doli që në të njëjtin fjalim t’u bëjë thirrje njerëzve për paqe dhe të glorifikojë personin i cili nisi luftën në këto hapësira”.

Vetëm pak ditë para takimit të paralajmëruar të presidentëve në Bruksel, qeveria e Kosovës emëroi ekipin e ri negociator, me në krye Fatmir Limajn, kryetarin e partisë NISMA, pjesë e koalicionit qeveritar. Vendimi i qeverisë – i cili rezervon vende në ekipin negociator edhe për përfaqësuesë të opozitës dhe shoqërisë civile – i është dërguar kuvendit për miratim por deri më sot ai nuk është miratuar.  Opozita nga ana e saj i shkroi letër lehtësueses së dialogut, Mogherini, në të cilën thotë se institucionet aktuale nuk kanë legjitimitet për ta përfaqësuar Kosovën në këtë proces, derisa presidenti po vepron jashtë përgjegjësive të tij kushtetuese dhe pa mandat nga Kuvendi”. Katër nënshkruesit, në emër të LDK-së, VV-së, PSD-së dhe Alternativës, thonë se me këtë duan të demonstrojnë pakënaqësinë dhe mospajtimin e thellë të deputetëve të opozitës me “planin e përvijuar nga Presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë për një korrigjim kufiri”.

Ndërkohë, në terren…

Revitalizimi i urës mbi Ibër nuk ka përfunduar, më shumë se dy vjet pas fillimit të punimeve. Përurimi i saj është dashur të bëhet gjatë shtatorit, citohet se ka thënë kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, i cili ka shtuar se shefja e zyrës së BE-së në Prishtinë, Natalyia Apostolova, i ka thënë se kjo pritet të ndodhë pas dy javësh.

Kur po bëhet një vit nga integrimi i gjyqësisë, vlerësimet janë të ndryshme se si ka ecur puna. Nga një anë ka ankesa se kjo ende nuk po funksionon dhe se përkthimi ështe problem kyç i gjyqësisë së integruar. Nga ana tjetër thuhet se integrimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë vazhdon edhe më tej dhe se që tani shihen efektet pozitive të marrëveshjes së Brukselit: në veri të Kosovës ka 20% më pak lëndë penale, janë mbyllur të gjitha lëndët e vjetëruara që kanë të bëjnë me katër komunat e veriut dhe prokurorët janë maksimalisht të angazhuar.

Autoritetet në Serbi vazhdojnë të mos i njohin diplomat e Universiteteve të Kosovës. Në Këshillin Kombëtar Shqiptarë (organ përfaqësues i shqiptarëve në Serbi) thonë se kërkesat për njohje të diplomave nuk janë ndalur asnjëherë, por ky proces është stopuar nga Ministria serbe e Arsimit. Si pasojë, shumë të rinj nga Lugina e Preshevës detyrohen t’i ndjekin studimet në Maqedoni e Shqipëri.

Zbatimi në tërësi i kodit të ri ndërkombëtar për Kosovën +383 (brenda afatit që tashmë është shtyrë njëherë) duhet të përfundojë deri më 31 tetor por kjo po shihet si një sfidë e madhe për operatorët e telefonisë mobile që veprojnë në Kosovë. Kodi i është ndarë Kosovës para afro dy vitesh, në dhjetor 2016.

Projektstatuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin u tha se ishte gati t’i prezantohej palëve në fillim të gushtit, pothuajse as që u përmend gjatë shtatorit.

Gjatë muajit u bënë publike disa anketa e raporte, ndër të cilat, ajo e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) që thotë se më shumë se 3/4 e qytetarëve (77.6%) e kundërshtojnë idenë e shkëmbimit të territorit si pjesë të një marrëveshjeje eventuale midis Kosovës dhe Serbisë. 

Në një raport me titull Tendencat për rrënimin e multietnicitetit – Largimet masive të pjesëtarrëve serb të Forcës së Sigurisë së Kosovë dhe Roli i Serbisë, Qendra Kosovare për Studime të Sigusirsë (QKSS) thotë se “presionet ndaj pjesëtarëve serb të FSK-së dhe largimi masiv i tyre përbën një ndër ndërhyrjet më brutale të Serbisë në institucionet shtetërore të Kosovës. Këto ndërhyrje kanë për qëllim rrënimin e multietnicitetit dhe të arriturave të deritanishme në FSK.”

Analiza e trendeve 2018 solli rezultatet e anketës më të fundit të OJQ AKTIV mbi qëndrimet e qytetarëve të veriut të Kosovës. Një prej konkluzioneve thotë se “derisa besimi në institucione dhe aktorë politik po shënon rënje, mund të shohim se besimi ndëretnik mes serbëve e shqiptarëve po rritet. Kjo reflektohet edhe në kontaktet gjithnjë e më të shpeshta, por edhe në përvojat pozitive nga ato kontakte”.

comments

SHARE