Shënimi i muajit

0
42

Sa i përket zhvillimeve konkrete në procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Prishtinës e Beogradit, ky do të mund të ishte shënimi më i shkurtër i muajit nga të gjithë qëkur kemi filluar këtë rubrikë para afro dy vitesh.

Pati madje vlerësime se dialogu ka vdekur. Se procesi është ngrirë. Jo vetëm që nuk u zhvillua ndonjë takim, por as nuk u paralajmërua ndonjë i ri në të ardhmen e afërt. Ndonëse zëdhënësja e përfaqësueses së Lartë të BE-së, Maja Kocijančič, u citua se ka thënë që “puna është duke vazhduar në nivelin teknik, përkitazi me takimin e lartë të ardhshëm të dialogut, data e të cilit pritet të konfirmohet”. Një takim që u përmend se do të ndodhë mes presidentëve, Hashim Thaçi e Aleksandar Vučić, është ai në Paris, më 11 nëntor, me ftesë të presidentit francez Emanuel Macron në shënimin e 100 vjetorit të Armpushimit në Luftën e Parë Botërore. Takimin e konfirmoi edhe Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, i cili tha se me atë rast do të diskutohet për normalizimin (min. 28’28”), por më pas vetë Thaçi tha se atje “nuk do të ketë dialog Kosovë – Serbi”.  

Nga ana tjetër, gjatë muajit u fol shumë rreth idesë së ‘korrigjimit të kufijve” si pjesë të një zgjidhjeje finale midis dy vendeve. Jo vetëm në Prishtinë, Beograd e Bruksel, po u debatua edhe në Minsk të Bjellorusisë – pa shpalosje të ndonjë hollësie të re apo ndonjë hapi konkret. Përkundrazi, kryeministri, Ramush Haradinaj, disa herë gjatë tetorit e përsëriti se edhe “ideja për korrigjimin e kufijve ka vdekur”.

Derisa në shënimin e kaluar regjistruam se gjatë shtatorit pothuajse as që ishte përmendur projektstatuti i Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, në tetor, në Mitrovicën e Veriut, Lista Serbe organizoi një tubim për të theksuar se nuk heqin dorë nga krijimi i Bashkësisë. Ekipi menaxhues i ngarkuar me hartimin e statutit pati thënë se do ta ketë gati atë më 4 gusht, por, sipas njoftimeve, ai ende nuk është dorëzuar as në Bruksel e as në Prishtinë. Vetë ekipi menaxhues nuk u bë i gjallë për të konfirmuar apo përgënjeshtruar këto njoftime!

Në një takim me shefin e UNMIK-ut në Kosovë, kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, akuzoi palën serbe se po e pengon përurimin e urës. Projekti për revitalizimin e saj (i financuar nga BE) tani ka përfunduar, tha ai, dhe gjithçka është gati për përurim.

Edhe një tjetër projekt, objekti i menaxhimit të integruar të kufirit në Merdarë, në të cilin po ashtu është i përfshirë Bashkimi Evropian, si zbatues, “vazhdon të jetë jofunksional”.  Sipas njoftimeve, pala serbe refuzon të zhvendoset në të.

Tridhjetë e një tetori ka qenë dita e fundit e përcaktuar nga ARKEP-i (Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare) për zbatimin në tërësi të kodit të ri ndërkombëtar për Kosovën +383, që i është ndarë Kosovës para afro dy vitesh, në dhjetor 2016, por edhe ky afat – i vazhduar edhe një herë tjetër më parë – nuk u respektua.

Me një notë më pozitive…

Bashkëpunimi midis organeve të drejtësisë dhe atyre të rendit e sigurisë në veri të Kosovës është vlerësuar i shkëlqyeshëm në një takim midis përfaqësuesve të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës dhe Policisë Rajonale të Mitrovicës-veri. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore, Shyqyri Syla dhe drejtuesit e Policisë së Rajonit të Mitrovicës – Veri ranë dakord që çdo muaj të zhvillojnë takime të rregullta mes vete.

Në një konferencë të organizatës joqeveritare LINK, të Mitrovicës së Veriut, u tha se që nga shtatori ka filluar të zbatohet vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës që ua mundëson regjistrimin e lindjeve, martesave dhe vdekjeve në regjistrin qendror të gjendjes civile të Kosovës të gjithë atyre që këto i kanë regjistruar në strukturat paralele serbe në periudhën qershor 1999 – shtator 2016. Mospranimi i deritashëm i certifikatave të lëshuara nga strukturat paralele ka qenë pengesë e madhe për marrjen e letërnjoftimeve të Kosovës.

 

comments

SHARE