Shënimi i muajit

0
790

Gjërat që u shtynë nga muajt e kaluar jo që dolën në plan të dytë por krijohet përshtypja se janë harruar krejtësisht. Psh integrimi në gjyqësi? Hapja e zyrave të qeverisë në Leposaviq e Zubin Potok? Funksionimi i zyrave tashmë të hapura në dhjetor në Mitrovicën e Veriut? Po marrëveshja për reciprocitet në tabelat e automjeteve… Kjo hyrje nuk është çudi që tingëllon si përsëritje e shënimit të muajit të kaluar!

Të provojmë ndryshe. Dy ishin zhvillimet që me interesim të shtuar priteshin të ndodhnin/mos ndodhnin në shkurt. Takimi i dytë i nivelit më të lartë të pëfaqësuesve të Kosovës e Serbisë brenda pothuajse një jave, dhe paralajmërimi i përfaqësuesve të serbëve të Kosovës se do të nisin vetë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe (AKS), nëse Prishtina deri në mes të shkurtit nuk bën hapa drejt kësaj.

Shikuar tash nga distanca gadi një mujore, takimi i 1 shkurtit në Bruksel i presidentëve Nikolić e Thaçi dhe kryeministrave Vučić e Mustafa ndoshta edhe do të mund të vlerësohej i suksesshëm, megjithëse  nuk u duk aspak ashtu kur ndodhi. Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini u shpreh e inkurajuar me “angazhimin konstruktiv të palëve” dhe tha se “ky përkushtim dhe vullnet politik kontribon konsiderueshëm në uljen e tensioneve”. Vlerësimi nga jashtë ishte se takimi “kishte dështuar në tërësi”. Ky angazhim konstruktiv i palëve/dështim i plotë u pasua nga një aktivitet frenetik i presidentit Nikolić dhe kryeministrit Vučić një ditë më vonë. Presidenti Nikolić takoi veç e veç ambasadorin e Rusisë, të Kinës dhe atë të SHBA-së në Beograd, për t’i njoftuar për “sjelljen e delegacionit të Prishtinës, që nuk kishte për qëllim arritjen e marrëveshjeve”. Kryeministri Vučić njoftoi se do të takohej urgjentisht me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës në kazermën në Rashkë. Ai tha se ishte i brengosur, se situata ishte e tendosur, por se  do të japin gjithçka prej vetes që të ulin tensionet dhe të ruajnë paqen”, duke refuzuar të komentonte njoftimet e disa mediave të Beogradit se “ekzistonte rreziku që shqiptarë të armatosur të hynin në veri të Kosovës”. “Menjëherë pas negociatave dhe raporteve se mbledhja nuk kishte përfunduar mirë, Serbia u gdhi me tituj si ‘Serbët nga veriu i Kosovës në frikë’. Mund të thuhet që është më shumë sesa e tmerrshme kur jetoni në veri të Kosovës, e lexoni titullin dhe deri në atë moment as që e keni ditur që jetoni në frikë,” shkruan Nevena Radosavljević në blogun e saj “Shfaqje për publikun”.

Ndonëse e kishte vlerësuar si konstruktiv angazhimin e palëve dy ditë më parë, në ditarin e saj, Mogherini e quajti këtë “moment të vështirë për rajonin” kur “është kritike që dialogu të vazhdojë për t’i dhënë fund tensioneve aktuale”. Më afër zhvillimeve në terren, ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scott, tha se e gjithë kjo ishte veçse “një gungë e vogël në rrugë”, dhe se ishte me rëndësi që Beogradi e Prishtina t’i ktheheshin negociatave e të vazhdonin “rrugën e stabilitetit”.

Gjatë kësaj kohe, siç njoftoi zyra e kryeministrit Mustafa, zyra e BE-së bashkë me Ambasadën amerikane në Prishtinë, në sfond, kishin ‘lehtësuar’ arritjen e një marrëveshje “e cila do t’i ulë tensionet në veri dhe do të ndihmojë lirinë e lëvizjes… për të gjithë qytetarët në veri dhe jug të Mitrovicës”. Muri i ndërtuar në dhjetor u hoq brenda një të diele. Me atë rast, përfaqësuesja e BE-së, Natalya Apostolova, tha se ‘të dyja palët mund të arrijnë marrëveshje kur ka vullnet politik”, duke shprehur shpresën njëkohësisht që me të njëjtin vullnet do të fillojnë edhe diskutimet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe (AKS).

Kur është fjala për AKS-në, ‘kërcënimi” i përfaqësuesve të serbëve të Kosovës se do ta nisin vetë themelimin e tij, nëse Prishtina deri në mes të shkurtit nuk bën hapa drejt kësaj, nuk u realizua, deri sot. Kryeministri Mustafa ka shprehur gatishmërinë “që në çdo moment të punojmë në këtë proces”, por më parë Lista Serbe (LS) duhet të kthehet në institucione të cilat ka kohë që i ka braktisur. LS thotë se “nuk kthehen derisa nuk fillohet themelimi i AKS-së”. Shembull tipik i “Catch-22” (Yçkla-22) – “situatë e pamundur ku nuk mund të bëhet një gjë para se të bëhet një gjë tjetër e cila nuk mund të bëhet  para se të bëhet ajo e para”!

Viti 2017 do të jetë vit i vështirë për dialogun,” thotë studiuesi dhe komentuesi i politikës, Krenar Gashi: “I vështirë, meqë fokusi i Bashkimit Evropian ka qenë më shumë që t’i bëjë reklamë vetes, duke u mburrur me faktin që dy palët po bisedojnë, sesa arritja e qëllimit të dialogut që deklarativisht është përmirësimi i jetës së qytetarëve të Kosovës e Serbisë”. Dhe kjo duket se do të jetë sfida e radhës për ‘lehtësuesen’ Mogherini e cila do të qëndrojë në Kosovë në fillim të marsit në kuadër të një turneu në Ballkanin Perëndimor.

 

SHARE