Shënimi i muajit

0
67

“Ekziston veç një dialog midis Beogradit e Prishtinës dhe ai dialog është lehtësuar nga BE-ja qëkur ka filluar, në vitin 2011.” Kështu u përgjigj Josep Borrell, Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, kur u pyet në fund të prillit nëse janë duke u zhvilluar dy dialogje paralele, meqë duket se SHBA po ecin më shpejt me ‘lehtësimin’ nga ana e tyre. Borrell shtoi se dëshiron të kenë qasje të përbashkët dhe përsëriti se “llogarisin në SHBA si një partner të besueshëm dhe të mirëpritur në rajon.”

Disa ditë më herët, kongresmeni Elliot Engel bashkë me senatorin Bob Menendez, i dërguan një letër sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, në të cilën shprehën shqetësimin e tyre lidhur me rolin e SHBA-së në procesin negociues midis Kosovës dhe Serbisë. Çdo përpjekje për të negociuar një rrugë përpara midis Beogradit e Prishtinës duhet bërë në bashkërenditje me Brukselin dhe kryeqytetet kryesore në kontinent,” thonë ata. Engel, kryetar i Komisionit për punë të jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, dhe Menendez, anëtari më i lartë demokrat i komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me jashtë, shprehën shqetësim të thellë që “SHBA ka marrë qëndrim të ashpër ndaj qeverisë së zgjedhur të Kosovës dhe që mungesa e balancës së administratës së Trumpit ndaj Beogradit dhe Prishtinës po zhvillohet në kontekstin e zgjerimit të lidhjeve nga ana e Serbisë me Rusinë”.

Nga ana e tij, ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Botsan-Kharchenko po këto ditë  foli për përfshirjen e mundshme të Moskës në dialog dhe për këtë, tha ai, “duhet para së gjithash thirrja e  Beogradit” duke shtuar se “vetë procesi negociator duhet të udhëhiqet në kornizën e kuptueshme, për ne të pranueshme, në bazë të Rezolutës 1244 të KS të KB-së, dhe të ketë formë dhe përmbajtje të pranueshme.” Ai tha se “kriteri kryesor për ta ishte se zgjidhja duhet të jetë e pranueshme për Serbinë” ndërsa “aktualitetin e idesë së ‘ndarjes së Kosovës’, si dhe të çdo ideje tjetër, mund ta vlerësojnë vetëm Beogradi dhe Prishtina.”

Çështja shumë e debatuar e shkëmbimit territorial midis Kosovës e Serbisë si zgjidhje përfundimtare nxori këto ditë në pah ato që u interpretuan si dallime edhe midis Përfaqësuesit special të BE-së, të emëruar në fillim të prillit, Miroslav Lajčak, dhe shefit të tij, Josep Borrell. Në një intervistë për disa media të Ballkanit, i pyetur nëse është kundër idesë së shkëmbimit të territorit mes dy shteteve, Borrell tha “unë nuk shoh nevojën që ne të jemi më katolik se Papa. Nuk na takon neve tu themi serbëve dhe kosovarëve se për çfarë duhet të pajtohen ata apo jo. Roli ynë do të jetë të lehtësojmë dialogun.  Disa ditë më vonë, Lajčak në twitter njoftoi se kishte folur për agjencinë austriake të lajmeve, APA, rreth Dialogut dhe synimit për një marrëveshje normalizimi ligjërisht obliguese midis dy vendeve, duke thënë se ajo duhet të jetë në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe t’i kontribuojë stabilitetit në rajon. “Ideja e shkëmbimit territorial bën të kundërtën,” thotë Lajčak.

Një tjetër çështje që u ngrit përsëri këto ditë, dhe shkaktoi debat, ishte ajo e një amnistie të mundshme për krime lufte, po ashtu si pjesë e një marrëveshjeje përfundimtare. Joanna Hanson e NP-së shkruan se “një amnisti me Serbinë nuk duhet të jetë në agjendë meqë ka tejet pak të ngjarë të jetë e ligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare”.  Hanson thekson se vetëm disa ditë më parë BE përsëriti parimin për respektim të ligjeve ndërkombëtare në Deklaratën e saj të Zagrebit më 6 maj ku thuhet:  Duhet ti kushtohen përpjekje të mëtejshme dhe vendimtare pajtimit dhe stabilitetit rajonal si dhe gjetjes dhe zbatimit të zgjidhjeve përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe detyruese për mosmarrëveshjet dypalëshe dhe për çështjet midis partnerëve që i kanë rrënjët në trashëgiminë e së shkuarës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e vendosura

Në samitin e Zagrebit, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Borrell, theksoi edhe një herë se “realizimi i rezultateve konkrete në Dialogun Beograd-Prishtinë do të jetë me rëndësi supreme për Serbinë dhe Kosovën dhe për mbarë rajonin”. Në samitin BE – Ballkani Perëndimor, i cili u mbajt me anë të video lidhjeve për shkak të pandemisë së COVID-19, u riafirmua mbështetja e BE-së për rajonin në luftimin e pandemisë, si dhe u theksua nevoja për një përkushtim të vazhdueshëm ndaj vlerave të BE-së dhe reformave, në rrugën evropiane të rajonit.

Në terren, ndërkaq, lufta kundër pandemisë solli edhe raste bashkëpunimi midis autoriteve te Kosovës dhe atyre të Serbisë. Pas paqartësive fillestare, edhe në komunat me shumicë serbe në Kosovë filloi respektimi i masave të autoriteteve vendore, paralelisht me ato të Serbisë. Ministri i Shëndetësisë i Kosovës dhe homologu i tij serb zhvilluan një diskutim për bashkëpunimin, me video lidhje të organizuar nga ambasada italiane në Prishtinë. Serbia i dhuroi Kosovës 1000 teste për koronavirusin. Ky bashkëpunim u vlerësua nga përfaqësuesit ndërkombëtar në të dyja vendet.

Dhe pas afro shtatë vitesh, “Ujdia mbi energjinë”, e arritur në kuadër të Dialogut në Bruksel, hyri në fazën përfundimtare të zbatimit me votimin e Marrëveshjes së re të Kyçjes në mes të KOSTT-it (Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës) dhe ENTSO-E (Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit). Në Kosovë, ky zhvillim u cilësua si pavarësim i KOSTT-it dhe Republikës së Kosovës nga Serbia edhe në aspektin energjetik.

SHARE