Shënimi i muajit

0
93

Si rezultat i rrëzimit të qeverisë së Avdullah Hotit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në fund të dhjetorit, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, shpalli 14 shkurtin, Ditën e të Dashuruarve,  ditën kur do të mbahen zgjedhjet e parakohshme. Përvoja e kaluar tregon se formimi i qeverive që dalin nga zgjedhjet në Kosovë është një proces i ngadalshëm kështu që është reale të pritet se do të kalojë një kohë para se të ketë ndonjë takim të ri në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga Brukseli. Edhe përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajčak, e konfirmoi se “nuk është momenti për të organizuar një takim të ri” duke shtuar se “kemi nevojë për një qeveri të re me një mandat të fortë që do të vazhdojë procesin e dialogut”.

Lajčak e tha këtë në një diskutim online të organizuar nga ambasada gjermane në Uashington disa ditë pas konfirmimit të zgjedhjes së Joe Biden-it për president të SHBA-së. Kongresi konfirmoi fitoren e Biden-it pas largimit të turmës e cila ishte futur me forcë në ndërtesën e Kapitolit, zhvillime  këto të pashembullta në historinë e SHBA-së në më shumë se 200 vitet e fundit. “Kemi mësuar përsëri se demokracia është e çmueshme, demokracia është e brishtë, dhe në këtë orë, miq të mi, demokracia triumfoi,” tha Biden disa javë më vonë, në fjalimin e tij me rastin e inaugurimit, nën masa të ashpra të sigurisë.

Në diskutimin me titull “Potenciali për bashkëpunim BE-SHBA në Ballkanin Perëndimor”, Lajčak përmendi mungesën e bashkëpunimit transatlantik vitin e kaluar. Ai tha se letrat e synimit dhe Marrëveshja e Uashingtonit, të ndërmjetësuara nga përfaqësuesi i presidentit Donald Trump, ambasadori Richard Grenell, “ishin negociuar pa pjesëmarrjen e Bashkimit Evropian dhe e kishin shtyrë Serbinë dhe Kosovën më larg nga e ardhmja evropiane sepse nuk bazoheshin në norma dhe standarde evropiane.” Lajčak theksoi se tani ishte optimist pasi administrata e re amerikane po emëronte “njerëz që e njohin Ballkanin Perëndimor,… njerëz të dëshmuar si partnerë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.”

Një emërim i tillë konsiderohet se është ai i Sekretarit të ri të Shtetit, Antony Blinken, veteran i punëve të jashtme, për të cilin gazeta britanike Financial Times, thotë se “është aq i afërt me zotin Biden sa disa e shohin si ‘alter ego’ të tij“. Në seancën dëgjimore të konfirmimit të tij në komisionin e Senatit për marrëdhenie me jashtë, Blinken theksoi dobinë e angazhimit dypartiak kur u pyet për punën e administratës së Trumpit sa i përket politikës së jashtme. Ai tha se asnjë parti nuk e ka monopolin mbi idetë e mira dhe se janë disa gjëra që ka bërë administrata e Trumpit jashtë kufijve të SHBA-së të cilat ai i duartroket. “E përmendët punën rreth Kosovës dhe Serbisë, e duartrokas edhe atë. Presidenti i zgjedhur [Biden], siç e dini, ka kaluar shumë kohë në ato vende në të kaluarën, dhe mendoj se ai ka të përbashkët me ju besimin se ka gjëra që mund të bëjmë për të ndihmuar për ta çuar Kosovën përpara, dhe shpresoj për ta çuar edhe Serbinë përpara,” tha Blinken.

Kësaj deklarate të sekretarit Blinken iu referua edhe Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) në fund të janarit, kur tha se administrata e Biden-it e mbështet dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja. Radio Evropa e Lirë citon DASH-in se ka thënë që “thelbësore për ecjen përpara të Kosovës dhe Serbisë është një zgjidhje gjithëpërfshirëse, e cila do të çojë në njohje të ndërsjellë; do të ruajë sovranitetin dhe integritetin territorial të të dyja shteteve, si dhe do të fuqizojë institucionet demokratike të tyre. Ajo do të rriste sigurinë dhe prosperitetin e të dyja vendeve, do të avanconte aspiratat e tyre për anëtarësim në BE dhe institucione të tjera shumëpalëshe dhe do të mbështeste qëllimin e qëndrueshëm të një Evrope të tërë, të lirë dhe në paqe”.

Ndërkohë, ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, konsideron se zotimet nga Marrëveshja e Uashingtonit do të mbesin në fuqi por shprehet i sigurt se do të ketë bisedime plotësuese. “Nuk janë të gjithë të kënaqur me procesin që solli deri ato zotime në shtator,” tha Kosnett dhe kërkoi që “njerëzit më pak të fokusohen në vetë procesin dhe politikën e të shohin se për çfarë janë zotuar dy qeveritë.  Mendoj se ato janë gjëra që krijojnë mundësi ekonomike për njerëzit në rajon dhe përmirësojnë lidhjet e transportit”.

Për ditën e parë të shkurtit është paralajmëruar se do të vendosen marrëdhëniet diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit, një nga zotimet e nënshkruara në Uashington në shtator të vitit të kaluar.

SHARE