Shënimi i muajit

0
773

Zhvillimet e një muaji më parë si lirimi i Ramush Haradinajt nga Gjykata franceze dhe përfundimi i shpejtë i zgjedhjeve presidenciale në Serbi krijuan për pak kohë përshtypjen se po i hapej rruga vazhdimit të Dialogut. Por votimi në parlamentin e Kosovës rreth mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë më 10 maj e ndau muajin në dysh duke përcaktuar kështu agjendën e zhvillimeve në skenën politike të vendit për një të ardhme të afërt. Shumëçka që ka të bëjë me procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë do të varet nga ajo se kush i fiton zgjedhjet e 11 qershorit dhe kush do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme të vendit. Se çfarë qëndrimesh do të shpalosin subjektet garuese ndaj çështjeve që kanë të bëjnë me tërë këtë proces ka të ngjarë të mësojmë këto dhjetë ditë të fushatës e cila zyrtarisht filloi më 31 maj.

“Zgjedhjet e parakohshme nuk kanë ndikim të madh mbi dialogun,” tha përfaqësuesja e posaçme e BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, në një intervistë për kanalin e dytë të RTK-së, dhe shtoi se “dialog është edhe zbatimi i marrëveshjeve tashmë të arritura, ka shumë gjëra teknike që bëhen edhe pa përfshirjen e domosdoshme të udhëheqësve politik.”

Shikuar nga ky këndvështrim, muaji filloi me zbatimin e mëtejmë të marrëveshjes për çështjet e telekomunikacionit. ARKEP (Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare) njoftoi se nga 1 maji “përfundimisht janë ndërprerë të gjitha shërbimet e operatorëve të telefonisë mobile Telenordhe ViP mobile, të cilët që nga pas lufta kanë vepruar në mënyrë të pa autorizuar në territorin e Republikës së Kosovës”. Vetëm disa ditë më vonë, po në pajtim me marrëveshjen e lartëpërmendur, nisi të funksionojë rrjeti i telefonisë fikse të MTS-it, i cili ishte ndërprerë në shtator të 2010-s. MTS është ‘kompani e re, degë kjo e një kompanie serbe, e regjistruar në përputhje me kornizën rregullatore të Kosovës’, për të cilën flet marrëveshja e shtatorit të vitit 2013.

Një tjetër marrëveshje në kuadër të së cilës u bënë hapa të tjerë këtë muaj është ajo për njohjen reciproke të diplomave. Në mbledhjen e saj më 4 maj, qeveria e Kosovës vendosi t’i vazhdojë edhe për një vit mandatin Komisionit për Verifikimin e Diplomave, të lëshuara nga Universiteti në Mitrovicë të Veriut. Kjo ndihmon ata që kanë diplomuar në këtë universitet për t’i verifikuar kualifikimet e tyre, që është e domosdoshme për punësim në institucionet e Kosovës. Deri tani janë pranuar më shumë se 500 aplikime, ndërsa janë miratuar mbi 350, citohet se ka thënë Drejtori i zyrës për çështjet e pakicave, Ivan Tomić.

Një ditë më vonë u zhvillua edhe takimi konsultativ i radhës rreth themelimit të Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, me ç’rast u diskutua projekt-rregullorja me të cilën do të dekretohet themelimi i këtij komisioni. Presidenti Hashim Thaçi tha se Komisioni “është i pari i këtij lloji në Ballkan dhe me këtë po bëhet hapi i madh drejt mbylljes së kapitullit të luftës”. Në këtë takim të presidentit me shoqërinë civile ishte i pranishëm edhe drejtori i OJQ-së Aktiv nga Mitrovica e veriut, Miodrag Milićević, i cili më pas tha se “duhet përshëndetur çdo iniciativë që do të çojë drejt procesit te pajtimit midis serbëve dhe shqiptarëve,” por shtoi se “në këtë moment është e paqartë se si do të duket ai komision dhe me çfarë parimesh do të formohet.”

E paqartë është edhe mënyra se si do të vazhdojë dialogu pas zgjedhjeve – tashmë ka kohë që ka pasur sugjerime për ndryshim të formatit të tij. Në një prononcim për New Perspektivën, ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës në largim, Edita Tahiri, tha se qeveria do të marrë vendim politik rreth asaj se si do të vazhdojnë negociatat. Sa i përket një njoftimi gjatë muajit në portalin Sputnik se në Dialog në të ardhmen nga pala kosovare mund të angazhohen edhe ish-presidenti finlandez, Marti Ahtisaari, dhe ish-Sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright, përkundër përpjekjeve, New Perspektiva nuk arriti të marrë ndonjë konfirmim. Të rikujtojmë se në fillim të vitit, Aleanca e Atlantikut të Veriut, NATO, e akuzoi Sputnik-un se ishte pjesë e “makinerisë propagandistike të Kremlinit” dhe se shpërndante artikuj të njëanshëm e “dezinformata” për të influencuar opinionin politik në botë.

SHARE