Shënimi i muajit

0
563

Gati dy muaj pas zgjedhjeve, Kosova ende nuk ka qeverinë e re. Megjithatë, në frontin e Dialogut/normalizimit gjatë korrikut ka pasur, nëse jo veprime, atëherë të paktën fjalë – asgjë e pazakonshme. Që në fillim të muajit, shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini ftoi dy presidentët, Hashim Thaçin dhe Aleksandar Vučić-in në një takim, që u cilësua joformal, për të dalë pastaj me kumtesën se “ata ranë dakord të punojnë për fillimin e një faze të re të dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës për normalizim të marrëdhënieve dhe pajtim… po ashtu theksuan rëndësinë e implementimit të marrëveshjeve të arritura në dialog pa vonesë.” Nga ana e saj, Përfaqësuesja e Lartë konfirmoi “përkushtimin e BE-së për perspektivën evropiane të mbarë Ballkanit.”

Rreth gjendjes përsa i përket implementimit pas pak por më parë ndalemi tek paralajmërimi i një faze të re të dialogut.

Këtë mesazh, Mogherini e përforcoi edhe në intervistën për europeanwesternbalkans.com në prag të samitit të 4-të të Ballkanit Perëndimor që u mbajt në Trieste, Itali, kah mesi i muajit. Ajo tha se ky vit ishte “shumë intensiv për marrëdhëniet midis Beogradit e Prishtinës: vetëm disa muaj më parë situata ishte e tendosur, por sot ndodhemi përballë një rasti të ri e të pashembulltë për pajtim”.

Edhe Thaçi tha se “beson që së shpejti do të vijë deri te marrëveshja historike për normalizimin e marrëdhënieve dhe pajtimin midis Kosovës dhe Serbisë, qëllimi përfundimtar i së cilës është pranimi i realitetit”. Në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug, ai tha se “kjo ndoshta nuk do të jetë popullore as për mua, as për presidentin Vučić, por do të jetë mirë edhe për Kosovën edhe për Serbinë. Ne kemi fatin që po paguajmë çmim politik për të ardhme më të mirë të gjeneratave të ardhshme.”

Gjeneratat e ardhshme janë preokupim edhe i Vučić-it në tekstin e tij autorial në gazetën Blic ku flet për dialogun e brendshëm që mendon ta nisë për Kosovën. “Që përparimi ynë të jetë i përhershëm dhe i qëndrueshëm, ne duhet, nëse asgjë tjetër, të paktën të përpiqemi ta zgjidhim nyjën (gordiane) të Kosovës, e jo të fshihemi dhe barrën më të madhe t’ua lëmë fëmijëve tanë.” 

Në lidhje me tekstin e presidentit Vučić, Joanna Hanson e New Perspektivës shkruan se “gjëja më e rëndësishme është që të mund të shpresojmë se këto fjalë tregojnë një qëllim të sinqertë për të ecur përpara dhe për të trajtuar të kaluarën e jo vetëm një taktikë tjetër politike”. 

Kështu ishte korriku në rrafshin verbal, ndërsa sa i përket veprimeve gjërat ishin ndryshe. Zyra e BE-së në Kosovë njoftoi se ka anuluar një ndihmë financiare prej 7.8 milion euro për Mitrovicën e veriut, për projekte që parashihnin ndërtimin e një qendre kulturore dhe të një ndërtese universitare, pasi siç u tha në njoftim ”autoritetet vendore dështuan ti largojnë ndërtesat e paligjshme ekzistuese dhe të krijojnë çasje në të gjitha punishtet.” Kryetari i komunës, Goran Rakić, shprehu “zhgënjimin e tij absolut” dhe tha se arsyeja e vërtetë për këtë vendim ishte kërkesa e Përfaqësueses së Posaçme të BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, “që komuna jonë të mundësojë vazhdimin e revitalizimit të urës, pa asnjë garanci kur është në pyetje ruajtja e sigurisë së qytetarëve, që është interesi ynë primar.” Apostolova e mohoi se ka pasë ndonjë ndikim politik në këtë vendim, duke theksuar se nuk ka asnjë lidhje me revitalizimin e urës kryesore dhe ndërtimin e zonës së këmbësorëve.

Revitalizimi i urës dhe i rrugës kryesore në Mitrovicën e veriut, sipas Ministres për Dialog, Edita Tahiri, bën pjesë në marrëveshjet që “janë ndërprerë në faza të ndryshme të zbatimit”.  Në raportin më të fundit zyrtar rreth gjendjes në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, i cili iu dorëzua BE-së në korrik (mban datën 6 korrik por u botua më 21 korrik) thuhet se “disa nga marrëveshjet janë bllokuar plotësisht siç janë: marrëveshjet për energjinë, drejtësinë dhe diplomat. Të tjerat janë ndërprerë në faza të ndryshme të zbatimit siç janë: marrëveshja për kadastrën, shuarja e “mbrojtjes civile”, rivitalizimi i Urës së Mitrovicës, rivitalizimi i rrugës kryesore në Mitrovicën veriore, shpërbërja e plotë e strukturave të mbetura paralele të Serbisë në Kosovë. Ndërsa disa të tjera i janë nënshtruar vonesave siç janë: asociacioni, reciprociteti në targat e regjistrimit.”

 

SHARE