Shënimi i muajit

Përveç lajmeve të filtruara mirë, artikujve, blogjeve, dokumenteve, në faqen tonë (me dizajn të ri) tash e tutje do t’ju sjellim edhe këtë shënim të rregulltë mujor - një përmbledhje të zhvillimeve kryesore në kuadër të dialogut të Brukselit dhe procesit të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

0
1165

Fundi i vitit është njëfarë afati që herë-herë ta krijon përshtypjen sikur e ka atë fuqinë për t’i intensifikuar aktivitetet, qoftë në fushë personale apo atë politike, mbase për ta filluar një vit të ri me sa më pak obligime nga viti që lëmë pas. Këtë radhë kjo vlente sidomos për zhvillimet që kishin të bënin me dialogun e Brukselit dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.  Për ta vërtetuar këtë nuk keni nevojë të ‘navigoni’ nëpër sajte të tjera në kërkim të lajmeve ekskluzivisht të lidhura me këtë proces – vetëm hidhni një sy rubrikës së lajmeve në faqen tonë (tani me dizajn të ri), ku, në këtë kohë të vërshimit të lajmeve të rreme, do të gjeni lajme të filtruara mirë dhe nga vetë burimet e tyre. Përveç lajmeve, artikujve, blogjeve, dokumenteve, tash e tutje do t’ju sjellim edhe këtë shënim të rregulltë mujor, një përmbledhje të zhvillimeve kryesore në këtë fushë.


Pas ujdisë së arritur një muaj më parë, më në fund në mes të dhjetorit, më shumë se tri vjet pas marrëveshjes mbi telekomunikacionin, Kosovës iu nda kodi ndërkombëtar telefonik 383. Kryenegociatorja Edita Tahiri e quajti arritje historike që “fuqizon subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”. Homologu i saj serb, Marko Đurić, e paraqiti këtë si licencë të plotë për Telekomin serb për veprim  në tërë territorin e Kosovës”, pasi më parë kishte thënë se “kodi është pronë e Serbisë dhe se i është ndarë Kosovës si zonë gjeografike e jo zonë ndërkombëtare”. Opozita në të dyja vendet kishin qëndrime tjera prej këtyre. Në Kosovë ajo e kishte cilësuar marrëveshjen si të dëmshme për sovranitetin e vendit , ndërsa në Serbi, marreveshja u sulmua si “një hap tjetër në procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës”. Në një konference për media, Đurić, disa herë kishte kritikuar opozitën serbe për të cilën tha se po i shfrytëzonte ‘argumentet e rreme të Edita Tahirit’, ndërsa në kontekst pozitiv kishte folur për opozitën e Kosovës e cila ‘kritikon informatat që po i jepte qeveria e Kosovës dhe Edita Tahiri.’ A thua në ndonjë takim te radhës në Bruksel, negociatorët do të tundohen të negociojnë këmbimin e opozitave?


Rastësi apo jo, pikërisht në ditën kur Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU) dihej se do të bënte publik në buletinin e tij kodin telefonik për Kosovën, Đurić vizitoi Mitrovicën e veriut përkundër mosmiratimit të lejes zyrtare nga autoritetet kosovare. Dhe ky ishte top bore që në ditët në vazhdim shkaktoi një lloj orteku që nxori në dritë përçarjet brenda Listës Serbe (LS) dhe për një moment premtoi të sillte një qartësim të raportit të këtij subjekti politik ndaj institucioneve të Kosovës. I pranishëm me Đurić-in ishte edhe ministri kosovar i Administrimit dhe pushtetit lokal, Ljubomir Marić, i cili më pas u shkarkua nga shefi i vet, kryeministri Isa Mustafa me arsyetimin se kishte kohë që nuk po e kryente punën e tij si duhet. Lista Serbe (një krah i saj, më saktë) emëroi në vend të tij Mirjana Jevtić-in dhe u kthye në parlament. Pas kësaj në pah doli se Lista përbëhej nga ‘tradhëtarë’, ‘të shitur’, ‘hipokritë’.  U desht të ndërhynte Kryeministri  i Serbisë, Aleksandar Vučić, për t’i kthyer (rewind) gjërat 10 ditë mbrapa, LS të ‘ngrijë’ përsëri pjesëmarrjen në institucione të Kosovës, me dallimin se Marić nuk kthehet më në postin e ministrit në qeverinë e Mustafës, dhe me një paralajmërim të ri se nëse nuk fillon zbatimi i marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, vetë përfaqësuesit serbë do të nisin themelimin e tij më 15 shkurt.

Një vizitë tjetër që nuk kaloi pa jehonë ishte ajo e Kryeministrit Mustafa në veri me rastin e inaugurimit të urës së re që lidh Leposaviqin me Zveçanin. Si rezultat, kryetarët e nëntë nga dhjetë komunat e Kosovës me shumicë serbe nderprenë bashkëpunimin me KFOR-in. Po ashtu, qëndrimi i Edita Tahirit në Mitrovicën e veriut për të inauguruar, siç u tha, objektin e qeverisë së Kosovës atje u pasua me alarm për një bombë të pashpërthyer para hotelit ku, sipas njoftimeve, do të vendosen këto zyra.  

Paralelisht me të gjitha këto po zhvillohej një shfaqje tjetër anësore. Përparimet që u raportuan në fillim të dhjetorit në revitalizimin  e urës nuk zgjatën shumë dhe një mur që u paraqit në anën veriore të qytetit më 6 dhjetor tërhoqi të gjithë vëmendjen dhe energjinë në ditët në vazhdim. A ka qenë muri në projektin e rivitalizimit? A është mur apo shetitore? Cfarë thotë BE-ja? A do të hiqet? Apo do të ridizajnohet? … “Ajo çfarë mbetet e paqartë është se çka po synohet të arrihet me këtë mur? Kujt i shkon për shtati një gjendje e tillë ekzistuese që të mos ketë kurrfarë marrëdhënie midis dy anëve të një qyteti?” Këto janë disa prej pyetjeve që Nevena Radosavljević i shtron në blogun e saj për New Perspektiva “Muret ndajnë njerëzit”.

Në ditët e fundit të dhjetorit, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë me të cilën kërkon heqjen e murit brenda janarit. Sipas marrëveshjes, ura, ashtu si edhe rruga për këmbësore Mbreti Petri duhet të jenë të hapura për qarkullim të plotë me 20 janar! Po para kësaj, një tjetër afat – më 10 janar parashihet që integrimi në gjyqësi të jetë plotësisht efektiv pasi Serbia ka njoftuar, sipas orarit, për nderprerjen e kontratave të punës për gjykatësit, prokurorët dhe personelin administrativ në pajtim me marrëveshjen për drejtësinë të arritur para dy vitesh.

SHARE