Shqipëria e Madhe – mit, realitet apo rrezik

Proceset e ndryshimit të kufijve në regjionin ku ende ka probleme të natyrës së tillë assesi nuk do të mbeteshin pa pasoja, sepse nëse do t’u lejohej bashkimi shqiptarëve, kush do të mund t’ia ndalonte të njëjtën edhe popujve të tjerë që jetojnë të ndarë!

0
42

Tashmë një kohë shumë shpesh nëpër media qarkullon tema se si Kosova dhe Shqipëria do të mund të bashkoheshin dhe kështu të sendërtojnë ëndrrën shekullore për krijimin e një territori pak a shumë të njësuar të banuar me shqiptarë si popull shumicë. Po them pak a shumë pasi që prapëseprapë jashtë atij territori do të mbeteshin pjesë të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, si dhe pjesë të Greqisë që janë të banuara me shumicë shqiptare. Mirëpo, që ky është një projekt tejet i rrezikshëm, për këtë pajtohen të gjithë në regjion, sepse me këtë do të prishej një lloj balance e cila deri diku po mbretëron qe një kohë paksa më të gjatë. Edhe pse me ndërprerje të pakta, një gjendje e tillë e balancuar megjithatë ka dhënë rezultate gjatë historisë dhe si e tillë është e vetmja garancë që në këto hapësira do të mbretërojë paqja, e qelqtë, e thyeshme, jostabile, por megjithatë paqe. Ndryshimi i kufijve në shekullin 21 është treguar në shumë shembuj në botë që është tejet i keq dhe kundërproduktiv dhe si i tillë është bërë një metodë mjaft e padëshiruar e zgjidhjes së problemeve territoriale, kudo që të jenë ato dhe pa marrë parasysh se cila ka qenë baza e tyre historike. Duke shikuar shembuj të tillë, është e qartë që një precedent i tillë as këtu nuk do të mund të kalonte pa pasoja për të gjithë neve sepse, për fat të keq, jemi të vetëdijshëm edhe nga historia që pikërisht shembuj të tillë këtu marrin një karakter më të fuqishëm dhe më drastik të cilët jo rrallëherë e lënë të tronditur tërë botën.  

Por, kur veç po e përmendim kontekstin historik, duhet të pyesim veten se çfarë lloj krijese do të ishte kjo dhe çfarë lloj baze do të kishte, sepse nëse marrim shembuj historik kur ka ekzistuar diçka e tillë, pikërisht këtu, do të kujtojmë se të gjithë popujt tjerë që kanë jetuar brenda atij shteti kanë qenë të privuar nga të drejtat dhe të nëpërkëmbur deri në përmasa robërie. Që nga vilajeti i Kosovës në perandorinë Osmane e deri tek Shqipëria e Madhe kuislinge nën udhëheqjen okupuese italiane gjatë Luftës së Dytë Botërore, asnjë krijesë shtetërore shqiptare nuk mund të lavdërohet që ka qenë e rregulluar me parime demokratike të lirive dhe të drejtave qytetare. Në të gjitha ato subjekte shtetëroro-juridike të gjithë popujt tjerë përveç popullit shqiptar nuk kanë pasur kurrfarë të drejtash dhe kanë qenë objekt i persekutimit, terrorit dhe çfarëdo privimi tjetër të të drejtave. Për këtë nuk flas unë personalisht porse mijëra fakte dhe arkivat e mbushur nga Perëndimi deri në Lindje që flasin për terrorin ndaj popullatës pakicë. Nuk dua të them se do të ishte ashtu edhe sot, por kush mund të garantojë që nuk do të jetë ashtu, sidomos nëse e kemi parasysh që edhe tani dy popujt më të mëdhenj të Ballkanit Perëndimor nuk jetojnë edhe aq në dashuri dhe marrëdhënie të mira fqinjësore me njëri-tjetrin, natyrisht, mendoj në shqiptarët dhe serbët. E pikërisht këta dy popuj pothuajse të vetmit do të përfshiheshin në atë krijesë eventuale dhe si të tillë do të duhej të krijonin marrëdhënie të brendshme. Që çështja të jetë edhe më e qartë, edhe vendet e tjera në rajon nuk e shikojnë në mënyrë të favorshme idenë e tillë të disa politikanëve shqiptarë, kështu që edhe kryeministri maqedon, Zoran Zaev, para pak kohësh deklaroi që, edhe pse vendi i tij është anëtar i aleancës NATO, nuk mund të thotë që nuk frikohet nga ideja e përmendur e bashkimit. Kjo vetvetiu e vendos këtë problem në plan ndërkombëtar dhe si i tillë edhe duhet të zgjidhet, kurse të gjitha idetë aventuriere të ca politikanëve të caktuar duhet në kohë të duhur të shqyrtohen me kujdes ashtu që në një moment të caktuar të ardhshëm të mos bëhet vonë për një gjë të tillë.

Proceset e ndryshimit të kufijve në regjionin ku ende ka probleme të natyrës së tillë assesi nuk do të mbeteshin pa pasoja, sepse nëse do t’u lejohej bashkimi shqiptarëve, kush do të mund t’ia ndalonte të njëjtën edhe popujve të tjerë që jetojnë të ndarë! Sikur reaksion zinxhiror do të paraqiteshin dëshirat për bashkim të Serbisë dhe Republika Srpskas, pastaj të një pjese të Hercegovinës me popullatë shumicë kroate me Republikën e Kroacisë, mandej të veriut të Kosovës me Serbinë, etj. I përmendëm vetëm territoret dhe zonat lokale e shembuj të tillë vetëm në Evropë janë 30 e më shumë. Kështu që pasojat do të ishin të paparashikueshme dhe pa marrë parasysh që dikush në fillim do të thoshte se ky është një rast unik, siç e kemi dëgjuar këtë shumë herë më parë, në një të ardhme më të largët pikërisht ky shembull do të shërbente si bazë e veprimeve diplomatike të lëvizjeve të caktuara autonomiste dhe secesioniste në truallin e Evropës. Imagjinoni Spanjën pa Kataloninë, apo Francën pa Korzikën apo pa Alzasin, etj. etj. Kështu që herën tjetër kur dikush e përmend këtë ide le ta shikojë së pari hartën e Evropës dhe të mendojë mirë se cilat do të mund të ishin pasojat. 

Në fund të fundit, nëse populli shqiptar llogarit në mbështetjen e aleatëve perëndimor, do të duhej të ketë kujdes që me veprimet e veta në terrenin tonë vendor të mos e cenojë stabilitetin pikërisht të atyre që edhe u jep atë mbështetje. Jam i mendimit që Franca dhe Gjermania nuk do të pajtoheshin që si pasojë e mbështetjes së një populli në Ballkan të humbin pjesë të territorit të tyre. Të gjitha këto janë paraqitur në mënyrë hipotetike, edhe pse të gjithë kemi drojë që ato të mos shndërrohen në gjëra profetike. 

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE