Si e shohin njëri-tjetrin të rinjtë nga Kosova dhe Serbia?

Nga 22 deri më 27 qershor, pjesëtarët e projektit u takuan për herë të parë me njëri-tjetrin fizikisht, në Serbi. Atyre iu bashkëngjitёn edhe pjesёmarrёsit e vitit 2020, të cilët në pamundësi që të takohen atёherё, për shkak të kufizimeve nga pandemia, kishin komunikuar vetëm virtualisht.

0
771

Në Festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër, “DokuFest”, në Prizren, të hënën u shfaq një ekspozitë digjitale e cila përmban një sërë intervistash mes të rinjve nga Kosova dhe Serbia.

Ajo është rezulatat i projektit 3 vjeçar, “How Do I See You?” (Si të shoh unë?), të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian dhe organizuar nga “DokuFest”, në partneritet me Festivalin e filmit  “Slobodna Zona”.

Projekti i këtij viti është zhvilluar nga muaji mars dhe, për shkak të pandemisë, disa nga aktivitetet janë mbajtur online përmes platformës Zoom, por pavarësisht rrethanave, organizatorët thonë se projekti është përmbyllur me sukses. Në të kanë marrë pjesë 18 vetë, prej të cilëve 9 janë nga Kosova dhe 9 nga Serbia.

Në fund të projektit, si rezultat final është realizuar dhe xhiruar një sesion intervistash, në grupe prej dy personash, mes pjesëmarrësve nga të dyja vendet. Bisedat janё zhvilluar nё gjuhёn amtare tё secilit në praninë e përkthyeses simultane. Ata u munduan që të njohin realitetin e njëri-tjetrit duke shtruar pyetje dhe duke dhёnё pёrgjigje.

Koordinatorja e projektit, Zana Arapi, thotë se qëlliimi i tij është “takimi i të rinjve kosovarë (të të gjitha komuniteteve) dhe atyre në Serbi, të moshave 18 deri 25 vjeç. Organizatorët kanë zgjedhur këtë grupmoshё sepse në këtë moshë krijohet një dije politike dhe të rinjtë hasin në një ballafaqim të pashmangshёm rreth zhvillimeve politike. Si për shembull, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë”. 

Nga 22 deri më 27 qershor, pjesëtarët e projektit u takuan për herë të parë me njëri-tjetrin fizikisht, në Serbi.  Atyre iu bashkëngjitёn edhe pjesёmarrёsit e vitit 2020, të cilët në pamundësi që të takohen atёherё, për shkak të kufizimeve nga pandemia, kishin komunikuar vetëm virtualisht. 

Në Serbi, të rinjtë vizituan Beogradin dhe Krushevcin. Aty vizituan parkun Slobodište, që ndryshe quhet “Parku i Luftës”, ku pas viteve të 90-ta u vendos një tank i luftës me përshkrimin: “I mposhtëm terroristët në Junik që prishën rendin dhe qetësinë”. Zana Arapi tregoi se “Të rinjtë kosovarë nuk kanë reaguar keq ndaj parkut dhe kanë paraqitur pyetje të duhura, ndërsa në anën tjetër, gjatë kësaj vizite, dy anëtare nga Serbia e kanë braktisur trajnimin, për shkak se nuk kishin dëshirë që të ballafaqoheshin me temën e së kaluarës dhe luftës”. Ajo shtoi se “Tё rinjtë kosovarë kanë pasur më shumë njohuri rreth atyre serb, sesa anasjelltas. Pjesëtarët serbë ishin quditur nga mirësjellja e kosovarëve. Kjo tregon se mediat po i gënjeshtërojnë shqiptarët duke i protretizuar si primitivë”.

Duke iu përgjigjur pyetjes nga New Perspektiva se çfarë kanë mësuar nga ky projekt, Laberion Nitaj, pjesëmarrёs nё “How Do I See You?” tha se “ajo që mësuam më shumë prej këtij projekti është se disa nga të rinjtë në Serbi me të vërtetë presin me padurim dhe po përpiqen të mbajnë një marrëdhënie të mirë me vendin tonё”

Për më tepër, Vera Prezena, po ashtu pjesëmarrёse në “How Do I See You?” tregoi për një përshtypje të re që kishte krijuar si rezultat i projektit. ”Unë mendoj se gjëja më e vlefshme që mësova ishte se ato dallime që kemi nuk janë me të vërtetë një pengesë për të krijuar miqësi të reja. Ne të gjithë jemi thjesht njerëz normalë dhe të gjithë mund të kalojmë mirë me njëri-tjetrin nëse duam”.

Të gjithë pjesëmarrësit e projektit janë të ftuar që të marrin pjesë në promovimin e ekspozitës në Prizren, ku DokuFest-i ka siguruar akomodimin dhe ushqimin për 3 ditë të Festivalit. Gjatë kësaj kohe ata do të ndjekin dy panele; njëri me temën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, “Dealing with the past”, dhe tjetri me temë mbrojten e ambientit, “Green”.

This article is made possible by the support of YIHR KS as the implementing partner of the United States Agency for International Development (USAID). The content of this article is the sole responsibility of New Perspektiva and does not necessarily reflect the views of the United States Agency for International Development – USAID, the US Government, or the Youth Initiative for Human Rights Kosovo (YIHR KS).

SHARE