Shënimi i muajit

0
369

Dhjetori u mbyll pa realizimin e një takimi tjetër të nivelit të lartë të përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, të cilin BE kishte synuar ta ‘lehtësonte’ kohët e fundit.

Në javën e parë të muajit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e përmendi javën e dytë si mundësi për një takim të ri me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vučić.

“Është diskutuar mundësia e një takimi të mundshëm në javën e dytë të dhjetorit në Bruksel me presidentin e Serbisë, nuk kam kurrfarë informacioni se ka kushtëzime nga ndokush veç se vlerësimi se a duhet të mbahet një takim i tillë ose jo, i përket ndërmjetësuesit, lehtësuesit siç e quajnë ata vetën, Josep Borrell dhe emisarit të tij Lajçak. Janë ata të cilët e vlerësojnë nëse do të na i dërgojnë ftesat ose jo”, tha Kurti.

Vlerësimi erdhi një ditë më vonë nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili tha se për një takim të ri të atij niveli mungonte gatishmëria tek Prishtina dhe Beogradi.

“E kemi bërë shumë të qartë, pas dy takimeve këtë vit, që parakusht për takimin e radhës duhet të jetë gatishmëria e të dyja palëve që të dakordohen rreth rezultateve konkrete për të mirën e qytetarëve të tyre. Kontaktet e fundit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri (Josep Borrell) dhe diplomacia e Përfaqësuesit të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak treguan që aktualisht nuk ka gatishmëri”, citohet se ka thënë Stano.

Të njëjtin vlerësim, fjalë-për-fjalë, e konfirmoi të nesërmen edhe vetë shefi i Stanos, Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell. Në një konferencë për media, bashkë me Kurtin, i cili ndodhej në Bruksel për takimin e katërt të Këshillit të Stabilizim-Asociimit BE – Kosovë, Borrell shtoi se viti ende nuk ka mbaruar dhe “ne do të vazhdojmë të bëjmë çmos në përpjekje për të mbajtur një takim të tillë, nëse mund të sigurojmë se do të ketë ndonjë rezultat“.

Titujt e lajmeve u përqëndruan në mospajtimin e shprehur haptas gjatë konferencës nga Kurti e Borrelli rreth theksit që vihet mbi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilën Kurti tha se nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Kurti tha po ashtu se qeveria e Kosovës mbetet “plotësisht e angazhuar në Dialogun e ardhshëm midis Kosoves dhe Serbisë, në mënyrë të sinqertë dhe me frymë përkushtimi të fuqishëm për të arritur një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, të përqëndruar në njohjen e ndërsjellë me synimin për të arritur normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve”.

Në të njëjtën ditë, Vučić u citua se kishte thënë që Serbia dëshiron vazhdimin e dialogut me Kosovën por është Prishtina ajo e cila nuk do që dialogu të vazhdojë.

Dialogu është në një fazë shumë të vështirë,” është konstatimi i ambasadorit britanik në Prishtinë, Nicholas Abbott. Ai mendon se palët nuk kanë një vizion të përbashkët mbi atë se çfarë përfaqëson dialogu dhe shton se “ajo që vërtetë duhet është një lloj fundamental i të menduarit për atë se çfarë po përpiqemi të arrijmë përmes këtij procesi”.   

Një mbështetje e nevojshme plotësuese për dialogun në këtë vit të ri mund të vijë nga diplomati i rryem amerikan, Christopher Hill. Në seancën e zhvilluar më 14 dhjetor në komisionin e punëve të jashtme të Senatit, në kuadër të procedurës së konfirmimit të tij në postin e ambasadorit amerikan në Beograd, Hill theksoi që, si parakusht për anëtarësim në BE, Serbia duhet të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën. Ai iu referua deklaratës së presidentit Joe Biden se SHBA beson që ‘njohja reciproke’ është mënyra më e mirë për të zhbllokuar potencialin evropian të Serbisë dhe për të forcuar stabilitetin dhe sigurinë rajonale. “Nëse konfirmohem”, tha Hill, “unë do të inkurajojë Serbinë që të angazhohet seriozisht dhe urgjentisht për të arritur një kompromis.”

Sidoqoftë, në mes të dhjetorit u zhvillua takimi i rregullt  i grupit punues për targat. Ata u takuan për herë të tretë brenda tre muajve në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për çështjen e targave e cila u kthye në agjendë bujshëm në muajin shtator. Sipas Përfaqësuesit Special të BE-së, Miroslav Lajčak, delegacionet e ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë ishin angazhuar në një ‘diskutim në thellësi’. Në twitter, Lajčak tha: “kam besim që ata do të gjejnë një zgjidhje të përhershme për të mirën e qytetarëve të tyre” – deklaratë kjo më optimiste se ajo e një muaji më parë kur tha se i inkurajonte palët që të gjenin një zgjidhje të përhershme për hir të qytetarëve të tyre. Grupi punues pritet t’i paraqesë gjetjet konkrete për zgjidhjen e çështjes së targave deri në fund të muajit mars.